Friday, June 18, 2021

Pasojat e shtimit të protestave në mbarë Iranin

Protests are growing across IranAutor:Aladdin Touran

Protestat po shtohen në mbarë Iranin

 

Në Iran po shtohet tensioni. Çdo ditë, komunitete e segmente të ndryshme të shoqërisë iraniane zhvillojnë demonstrata dhe protestojnë kundër korrupsionit të regjimit, politikave shkatërrimtare dhe shtypjes.

Të dielën, duke i dalë kundër një vale masash represive të regjimit iranian, pensionistët e Organizatës së Sigurimeve Shoqërore dolën nëpër rrugë dhe zhvilluan tubime protestuese në 13 qytete. Në katër muajt e fundit, pensionistët kanë organizuar protesta të rregullta, ndonjëherë edhe dy apo tre herë në javë.

Në të njëjtën ditë, të diplomuarit për mësuesi nga qytete të ndryshme u mblodhën në Teheran dhe zhvilluan një tubim të madh, për të protestuar kundër papunësisë dhe premtimeve të rreme e të papërmbushura të regjimit.

Ndërkohë, nxënësit e shkollave të nivelit të mesëm e të lartë zhvilluan demonstrata për disa ditë rresht në gjashtë qytete, duke protestuar kundër vendimit të regjimit për t’i anashkaluar protokollet e covid-it dhe për t’i detyruar nxënësit t’i bëjnë provimet në klasa.

Ajo që i bashkon të gjitha këto protesta është fakti që ato e shënjestrojnë direkt regjimin e mullahëve si burimin kryesor të të gjitha problemeve të vendit. Pensionistët thërrisnin: “Punëtorët e burgosur duhet të lirohen,” “Nuk do të votojmë, kemi dëgjuar shumë gënjeshtra,” “Po përballemi me diskriminimini dhe koronavirusin, dhe askush nuk mendon për ne,” “pensionistët ngrihen kundër diskriminimit dhe tiranisë.”

Autoritetet e regjimit janë të alarmuar nga përshkallëzimi i situatës së protestave. “Për sa i përket protestave [shoqërore], ajo që ka rëndësi është se çështja po shndërrohet nga kërkesa të thjeshta në formë qytetare në një çështje sigurie,” paralajmëroi e përditshmja shtetërore Mostaghel më 9 maj.

Pas shtypjes së kryengritjes së nëntorit 2019, regjimi i vari shpresat tek përhapja e koronavirusit për të parandaluar shpërthimin e protestave të mëtejshme shoqërore. Lideri suprem i regjimit Ali Khamenei shkoi deri në atë pikë sa ta quante përhapjen e covid-it si një “bekim.”

Por në situatën aktuale, ku sipas Mostaghel, “varfëria dhe mjerimi u kanë hyrë familjeve deri në palcë” deri në atë pikë sa “studentët po kryejnë vetëvrasje,” as pandemia e koronavirusit nuk mund ta mbajë nën kontroll zemërimin e popullit. Këtë fakt e dëshmon përshkallëzimi gradual i protestave gjatë katër muajve të fundit. Pensionistët e filluan lëvizjen e tyre protestuese në pak qytete. Por në javët që vijuan, kësaj lëvizjeje iu bashkuan komunitete nga shumë qytete të tjera. Dhe atmosfera u përhap edhe tek komunitetet iraniane nga të gjithë sektorët e shoqërisë, duke përfshirë punëtorët, mësuesit, studentët, kreditorët, dhe fermerët.