Saturday, July 2, 2022

Përpara Syve të Botës, Protestat Iraniane do të Ringjallen në Vitin Pers 1400

Protestat në Iran – foto fajli

Pas disa kryengritjeve popullore gjatë dy viteve të mëparshme, protestat iraniane ndaluan për një kohë të shkurtër për shkak të situatës së pandemisë së koronavirusit. Kjo nuk do të thotë që zemërimi i popullit ndaj keqmenaxhimit ekonomik dhe korrupsionit qeveritar është zbutur. Thjesht organizimi i demonstratave në shkallë të gjerë u bë më i vështirë përballë shpërthimit vdekjeprurës të virusit që e ka prekur Iranin shumë më rëndë sesa vendet përreth.
Gjithsesi, një gjë që nuk është zbutur fare është pikërisht ankthi i regjimit iranian lidhur me trazirat publike. Në fakt, ka arsye për të besuar se ky ankth vetëm sa është thelluar edhe më shumë gjatë periudhës së pandemisë, teksa qytetarët iranianë u bënë gjithnjë e më të vetëdijshëm për dështimin e plotë të regjimit në konfrontimin e krizës së shëndetit publik.
Regjimi e ka lejuar qëllimisht sëmundjen të përhapet në Iran në mënyrë relativisht të pakontrolluar, duke i përdorur njerëzit si një mjet për uljen e shkallës së protestave për një periudhë afat-shkurtër, por gjithashtu edhe si një mjet për të konsoliduar kontrollin e tij mbi shoqërinë civile. Komentet nga Lideri Suprem i regjimit Ali Khamenei, i cili e përshkruan pandeminë si një “bekim,” dhe fakti që Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike i është dhënë autoriteti për të kontrolluar derë më derë në çdo lagje, gjoja për të identifikuar dhe izoluar të infektuarit, konfirmojnë se qëllimi i regjimit ka qenë përdorimi i viktimave në masë për të parandaluar një kryengritje.