Saturday, June 19, 2021

Perspektiva e Farsës së Zgjedhjeve Presidenciale të Iranit Sinjalizon një Bojkot Kombëtar

Teksa afrohet farsa e zgjedhjeve presidenciale të regjimit iranian në qershor, gjithnjë e më shumë zyrtarë po e pranojnë se do të ketë një tjetër bojkot kombëtar dhe paralajmërojnë njëri-tjetrin. Farsa e zgjedhjeve parlamentare të regjimit në 2020-ën u përball me një bojkot kombëtar.

Të martën, në një intervistë me agjencinë gjysmë-zyrtare të lajmeve ILNA, Mahmoud Sadeghi, një ish-anëtar i parlamentit të regjimit, tha: “Statistikat për pjesëmarrjen e njerëzve në zgjedhje janë shqetësuese; pyetja më e rëndësishme e njerëzve është, ç’kuptim ka të marrësh pjesë në zgjedhje…në zgjedhjet e vitit të shkuar patëm pjesëmarrjen më të ulët.”

Ai tha gjithashtu: “Javët e fundit, Z. Rahmani Fazli mbajti një fjalim në një grumbullim partish në Ministrinë e Brendshme, dhe tha se ka shenja shqetësuese se, jo vetëm që nuk ekziston dëshira për ta rritur pjesëmarrjen publike, por sondazhet dhe llogaritjet tregojnë që, krahasuar me vitin e shkuar, ka një ulje në dëshirën e publikut për të marrë pjesë në zgjedhje.”

Sadeghi i paralajmëroi gjithashtu zyrtarët e regjimit se “është shqetësuese dhe duhet të shohim se si mund t’i bëjmë njerëzit të kenë shpresë,” apo me fjalë të tjera, t’i mashtrojnë ata me pretendime të rreme “moderimi.” Kjo nuk është zgjidhje për krizën aktuale, pasi njerëzit kanë thirrur vazhdimisht gjatë kryengritjes së tyre mbarëkombëtare: “reformistë, konservatorë, loja mbaroi.”

Regjimi iranian ka nevojë të ketë një pjesëmarrje të madhe në zgjedhje në mënyrë që ta legjitimizojë sundimin e tij, sidomos pas shtypjes së përgjakshme të kryengritjes së nëntorit 2019 dhe vrasjes së mbi 1500 protestuesve.