Monday, September 27, 2021

Protesta nga Pensionistët në Teheran e Qytete të Ndryshme

 

Shkruar nga Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI)

5 shtator 2020

Të shtunën më 5 shtator, qindra pensionistë u grumbulluan përpara zyrave të Organizatës së Sigurimeve Shoqërore të regjimit për të protestuar ndaj varfërisë, inflacionit dhe çmimeve të larta. Këta pensionistë ishin nga Teherani, Mashhad, Rasht, Ahvaz, Bushehr, Karaj, Urmia, Tabriz, Arak, Bojnurd, Khorramabad, Kerman, Lahijan, Shush, Neyshabur, dhe qytete të tjera të Iranit për të protestuar për të drejtat e tyre. Forcat represive të Sigurisë së Shtetit (SSF) dhe forcat speciale kundër rebelimeve u shfaqën në tubime me armatosje të plotë për të mos e lejuar publikun t’u bashkohej protestuesve.

Pavarësisht premtimeve për negociata me përfaqësuesit e pensionistëve, protestuesit në Teheran e vazhduan tubimin, duke thirrur, “Ne nuk do të dorëzohemi deri sa t’i marrim të drejtat tona” dhe “Inflacion, çmime të larta, Rouhani duhet të përgjigjet.”

Në disa qytete, forcat represive u përpoqën t’i parandalonin tubimet duke i kërcënuar e frikësuar pensionistët. Në Rasht, një pensioniste që po merrte pjesë në protestë e arrestuan dhe e morën me vete forcat SSF. Në Karaj, SSF i rrethuan protestuesit dhe i shpërndanë ata. Në Yazd, forcat represive i shpërndanë me forcë pensionistët, duke thënë se tubimi ishte i organizuar nga MEK.