Tuesday, August 3, 2021

Protestat në Iranin Veri-Lindor: Shenjë e Trazimit të Shoqërisë

Të martën, banorët e Gonbad-e Kavus në Iranin veri-lindor u derdhën nëpër rrugë, duke protestuar ndaj mosveprimit të regjimit përballë përdhunimit të dy vajzave.

Një rojë sigurie në Digën e Golestan ka përdhunuar dy vajza, shtatë dhe tetë vjeç. Familjarët e tyre kanë bërë kallëzim dhe e kanë akuzuar për përdhunim autorin e krimit.

Megjithatë, prokurori i regjimit i ka refuzuar akuzat dhe ka pretenduar se raporti mjeko-ligjor nuk ka gjetur shenja përdhunimi. Ai shtoi se roja e sigurisë është thirrur dhe akuzuar për “grabitje.” Pas komenteve të prokurorit, banorët e fshatit arab Sharank zhvilluan një protestë. Si përgjigje, Forcat e Sigurisë së Shtetit (SSF) u përpoqën t’i shtypnin protestuesit. Njerëzit u përplasën me forcat SSF dhe ua thyen xhamat e makinave. Regjimi ka dërguar njësi anti-rebelim për t’i shtypur banorët.

Këto protesta vijnë pothuajse një muaj pas kryengritjes në provincën Sistan dhe Baluchestan, në jug-lindje të Iranit, kryengritje e cila u zhvillua pasi forcat e sigurisë të regjimit vranë disa hamaj të varfër. Krahas kësaj kryengritjeje në Sistan dhe Baluchestan, në Iran zhvillohen protesta të përditshme nga të gjithë sektorët e shoqërisë.

Regjimi nuk ka mundur t’i vërë fre shoqërisë, dhe gjatë 2020-ës ka patur qindra protesta shoqërore. Regjimi i ka shtuar masat shtypëse për shkak të frikës që ka nga trazimi i shoqërisë. Që nga fillimi i vitit 2021 janë kryer të paktën 80 ekzekutime.

Të mërkurën, Kryegjyqtari i regjimit, Ebrahim Raisi, kërcënoi publikun. “Asnjë pasiguri në shoqëri nuk është e tolerueshme; policia dhe zyrtarët e sigurisë nuk duhet t’i lënë të veprojnë prishësit e rendit,” tha ai, sipas televizionit shtetëror. Këto komente nuk janë të papritura nga një person i cili është një prej autorëve kryesorë të masakrës së 1988-ës ndaj 30,000 të burgosurve politikë.