Tuesday, December 7, 2021

Protestat në Mbarë Iranin Reflektojnë Dëshirën e Publikut për Ndryshim Regjimi

Iran, 2017–2018 uprising

Iran, kryengritja e 2017–2018

Ka patur një numër protestash dhe përplasjesh midis popullit dhe forcave të sigurisë të regjimit në Iran gjatë muajve të fundit. Këto protesta, shumica të nxitura nga problemet ekonomike, tregojnë trazimin e shoqërisë së Iranit.

Të enjten, fshatarët në Aleshtar të provincës Lorestan u përplasën me forcat e sigurisë. Konfliktet shpërthyen pas shtypjes së përgjakshme që iu bë banorëve kur po protestonin kundër prerjes së pemëve të arrave nga forcat qeveritare si pjesë e një plani për t’ua marrë tokat fshatarëve. Prokurori i përgjithshëm i Lorestan ka thënë se disa nga forcat e sigurisë janë plagosur gjatë përplasjeve dhe rreth dymbëdhjetë persona janë arrestuar.

Përpara fillimit të vitit të ri të kalendarit iranian në mars, Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit mbajti një fjalim ku tha se trazirat më të fundit shoqërore në Iran tregojnë se “flaka e kryengritjeve është ngritur nga hiri i koronavirusit.” Muaji që pasoi ofroi gjithnjë e më shumë mbështetje për këtë konkluzion, teksa “Njësitë e Rezistencës” të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit qarkullonin mesazhe mbështetjeje për grupe të ndryshme protestuesish, duke e nxitur gjithashtu publikun në tërësi që ta bojkotojë farsën e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale të cilën regjimi klerikal shpreson t’ia prezantojë botës si një simbol të legjitimitetit të tij.

Protestat madhore të Iranit nisën ditët e fundit të 2017-ës kur një protestë në qytetin Mashhad u përhap me shpejtësi në mbi 100 qytete të mëdha e të vogla duke shpërndarë edhe mesazhe anti-regjim. Një tjetër kryengritje përfshiu rreth 200 lokalitete në nëntor 2019 dhe u përball me masa të jashtëzakonshme represive që vranë mbi 1,500 njerëz. Megjithatë, protestat në shkallë të gjerë u shfaqën përsëri në janar 2020, gjë që tregon se kryengritjet do të kishin vazhduar edhe përtej asaj pike po të mos kishin qenë efektet e pandemisë mbi grumbullimet publike.

Do të ishte gabim të thoshim se lëvizja protestuese e Iranit u zhduk plotësisht gjatë vitit të shkuar të kalendarit iranian. Ka patur demonstrata të shpërndara që kanë vazhduar të përdorin slloganet e popullarizuara gjatë kryengritjeve të mëparshme. Mes këtyre janë thirrjet për rrëzimin e Liderit Suprem të regjimit Ali Khamenei si dhe të Presidentit Hassan Rouhani, krahas thirrjeve dënuese për të dy grupimet e regjimit, si “konservatorët” ashtu edhe “reformistët”. Gjithsesi, asgjë pas janarit 2020 nuk e ka rivalizuar shkallën e tre lëvizjeve protestuese masive.

Kjo mbetet e vërtetë edhe sot, por shpërthimet më të fundit të disidencës tregojnë për një tendencë përshkallëzuese në neverinë e popullit për teokracinë në pushtet, dhe si rrjedhim, edhe në gatishmërinë e tij për të marrë në sy rreziqet e dyfishta të represionit të regjimit dhe infektimit me koronavirus në mënyrë që ta sfidojë të ardhmen e diktaturës teokratike.

Fjalimi i zonjës Rajavi me rastin e Novruzit u mbajt vetëm pak javë pas përplasjeve midis banorëve vendas dhe regjimit në qytetin Saravan dhe në provincën kufitare Sistan dhe Baluchistan. Pasi Garda Revolucionare (IRGC) hapi zjarr mbi hamajtë e lëndës djegëse të cilëve, i vetmi burim për sigurimin e jetesës i ishte zhvatur nga ky entitet terrorist, pjesëtarët e komunitetit përreth u erdhën në mbrojtje hamajve dhe shprehën zemërim të madh ndaj represionit të regjimit duke u vënë zjarrin ndërtesave të policisë e duke thirrur kundër IRGC-së në mënyrë specifike.

Ndërkohë që hamajtë në zonat kufitare janë veçanërisht të prirur ndaj margjinalizimit shoqëror, përplasjet në Saravan reflektojnë efektet shumë më të gjera të korrupsionit brenda një sistemi ku IRGC ka nën kontroll më shumë se gjysmën e prodhimit të brendshëm bruto të Iranit përmes një rrjeti partnerësh tregtarë e kompanish frontale. Ky korrupsion ka qenë fokusi qendror i disa prej lëvizjeve më të fundit protestuese të cilat parathonë perspektivën e një kryengritjeje tjetër mbarëkombëtare.