Wednesday, September 22, 2021

Provinca të tjera të Iranit u bashkohen protestave të Khuzestanit për ujin në natën e shtatë

 

More provinces join water protests on seventh nightNë natën e shtatë të protestave për ujin, provinca të tjera janë bashkuar në mbështetje të banorëve që kërkojnë ujë në provincën jug-perëndimore Khuzestan.

Mbrëmjen e djeshme, më 21 korrik, u derdhën nëpër rrugë protestues në Dezful, Rashir, Ahvaz, Shadegan, Mahshar, Khormousa (Mahshahr), Masjed Soleyman, Susangerd, Behbahan, Elhayi në Khuzestan në Iranin jug-perëndimor, Yazdanshahr në Isfahan në Iranin qendror, dhe Bushehr e Ganaveh në Bushehr në Iranin jugor. Mbi 30 qytete janë përfshirë në protestat e ujit gjatë shtatë netëve të fundit.

Protestat për ujin nisën më 15 korrik në disa qytete të provincës Khuzestan. Arabët iranianë kanë protestuar kundër keqmenaxhimit të ujit nga regjimi. Iranianët thërrisnin “Uji është e drejta jonë” dhe “Na plaçkitën në emër të fesë” në arabisht. Në natën e gjashtë, protestuesit në Izeh, që është një qytet kryesisht i përbërë nga banorë Bakhtiari në Khuzestan, morën në shënjestër Liderin Suprem të regjimit, duke thirrur “Poshtë Khamenei!” dhe “Nuk e duam Republikën Islamike!”, mes slloganeve të tjera anti-regjim.

Policia anti-rebelim u përplas me banorët, duke përdorur plumba fallco dhe gaz lotsjellës për ta shpërndarë turmën. Forcat e sigurisë përdorën dhunë, ndonjëherë letale, kundër protestuesve. Protestuesit u vunë zjarrin gomave të makinave për të krijuar bllokada në rrugët kryesore të disa qyteteve.

Raportet në rrjete sociale tregojnë se janë vrarë disa protestues gjatë shtatë netëve të protestave. Ne kemi konfirmuar dy nga këto vrasje dhe nuk i kemi përfshirë identitetet e disa protestuesve të tjerë në këtë raport.

Shumë protestues janë plagosur e arrestuar, por detajet e identiteteve të tyre nuk janë publikuar ende. Agjencia e Lajmeve për të Drejtat Njerëzore ka thënë se janë arrestuar 18 njerëz.

Netblocks, një organizatë që monitoron bllokimet ndërkombëtare të internetit, ka raportuar ndërprerje të vazhdueshme të internetit në provincën jug-perëndimore Khuzestan duke filluar që nga 15 korriku.