Saturday, November 27, 2021

Punëtorët e Naftës në Mbarë Iranin Vazhdojnë Grevat në Protestë për të Drejtat e Tyre

Pas dy grevave të vitit të shkuar, punëtorët iranianë të naftës, të cilët kanë kontrata të përkohshme pune, patën kërcënuar se do t’i rifillonin grevat në mars 2021 po të mos u plotësoheshin kërkesat nga zyrtarët e regjimit iranian. Si rezultat i refuzimit të regjimit për t’ua plotësuar këto kërkesa, faza e dytë e grevave nisi siç ishte planifikuar dhe ka vazhduar gjatë këtyre 7 muajve të fundit, dhe tani është edhe më e përhapur se më parë.

Gjatë fazës më të fundit të këtyre grevave janë zhvilluar protesta në 114 qytete të Iranit, me pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra punëtorëve. Tani në tetor 2021, 40% e punëtorëve janë ende në grevë.

Sipas Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), “Ata [punëtorët iranianë] nisën një fushatë të njohur si 10-20, përmes së cilës ata kërkonin të punonin njëzet ditë dhe të kishin 10 ditë pushim të paguar në muaj, si dhe të konsideroheshin zyrtarisht të punësuar.”

Ish-presidenti Mahmoud Ahmadinejad, së bashku me zyrtarë të tjerë të regjimit, ka paralajmëruar se mospërfillja ndaj kërkesave të punëtorëve “nuk do të sjellë pasoja të mira.”

Presidentja e zgjedhur e NCRI, Maryam Rajavi, u ka bërë thirrje forcës punëtore dhe rinisë iraniane që t’i mbështesin grevistët në betejën e tyre. Ajo tha: “Represioni dhe përjashtimi do ta intensifikojnë zemërimin e punëtorëve ndaj regjimit çnjerëzor e anti-punëtor dhe do ta shtojnë vendosmërinë e publikut për ta përmbysur këtë regjim e për të themeluar lirinë e drejtësinë.”

Sipas NCRI, “Është thelbësore të kuptojmë kërkesat e punëtorëve, çfarë kanë arritur ata, situatën e tyre aktuale, dhe çfarë do të ndodhë në të ardhmen.”

Një nga kërkesat është fushata 10-20 e cila bën thirrje për 10 ditë pushim për çdo 20 ditë punë. Duke qenë se shumë nga punëtorët jetojnë larg vendit të punës, udhëtimi nga puna në shtëpi dhe pastaj prapë në punë u lë atyre shumë pak ditë pushimi.