Tuesday, September 29, 2020

Raportohen protesta në qytete të ndryshme të Iranit

Storeowners protesting and marching in the city of Qeshm, southern Iran – July 26, 2020Pronarët e dyqaneve protestojnë dhe marshojnë në qytetin Qeshm, në Iranin jugor – 26 korrik 2020

Pronarët e dyqaneve në qytetin Qeshm në jug të Iranit zhvilluan një protestë dhe marshim të dielën, më 26 korrik, në protestë ndaj vendimit të zyrtarëve vendorë për ta mbyllur doganën e qytetit e për t’i lënë paketat në port. Shumë nga artikujt po prishen për shkak të kësaj neglizhence.

 

“Kam blerë mallra nga India që në shkurt dhe ato kanë ardhur. Por e kanë mbyllur doganën për shkak të koronavirusit,” tha njëri nga pronarët e dyqaneve. “Dogana e Dubait është hapur vetëm një javë pas mbylljes për shkak të Covid-19. Ndërsa doganat në Iran vazhdojnë ende të mbyllura. Pronarët e dyqaneve në Qeshm janë në gjendje shumë të vështirë. Covid-19 e ka shkatërruar tregun dhe nga ana tjetër, ata i mbajnë të bllokuara në dogana mallrat e njerëzve.”

 

Të shtunën më 25 korrik, punonjësit e spitalit Beheshti në qytetin Shiraz, në Iranin jug-qendror, mbajtën një tubim jashtë spitalit për të protestuar ndaj faktit që pagat e tyre nuk janë rritur me 50 përqind siç është bërë për punonjësit e spitaleve që janë nën mbikëqyrjen direkte të Ministrisë së Shëndetësisë dhe strukturave të tjera të regjimit të mullahëve.

Protestuesit jashtë spitalit Beheshti janë dëgjuar duke thirrur, “Zyrtarë të pakualifikuar, jepni dorëheqjen, jepni dorëheqjen!”

Të dielën, banorët e fshatit Dab Heradan në provincën Khuzestan të Iranit jug-perëndimor, me një popullsi prej mbi 2,000 njerëzish, mbajtën një tubim për të protestuar ndaj faktit që në shtëpitë e tyre nuk ka ujë të rrjedhshëm dhe që zyrtarët nuk i kanë mbajtur premtimet në këtë aspekt. Ky tubim u mbajt jashtë  zyrës së guvernatorit të Khuzestan.

“Kemi patur shumë vështirësi dhe zyrtarët e fshatit refuzojnë të japin një përgjigje siç duhet për pyetjet tona,” tha një individ. “Aktualisht, jemi të detyruar të udhëtojmë shumë kilometra deri në një zonë pranë qytetit Ahvaz dhe ta blejmë ujin atje.”

Vlen të përmendet se banorët e Dab Heradan jetojnë në një nga provincat më të pasura me ujë të Iranit, e megjithatë nuk kanë ujë të pijshëm, as ujë për rutinën e përditshme, fermat, bagëtitë, apo nevojat e tjera të zakonshme.