Wednesday, June 23, 2021

Të Frikësuar nga Shoqëria e Trazuar, Zyrtarët e Regjimit Akuzojnë Njëri-Tjetrin për Masakrimin e Dëshmorëve të Protestave Iraniane

Mbi 1,500 njerëz janë vrarë gjatë Kryengritjes Mbarëkombëtare të Popullit Iranian në nëntor 2019.

Ditët e fundit, zyrtarët e regjimit të mullahëve, mes grindjeve të tyre të brendshme, kanë akuzuar njëri-tjetrin për vrasjen e protestuesve të pafajshëm gjatë protestave madhore të Iranit në nëntor 2019. Sipas Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), forcat e sigurisë të regjimit kanë vrarë mbi 1500 protestues.

“Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit [Ali Shamkhani] ka shpallur së fundmi se dëmet e incidenteve [kryengritjes] të nëntorit 2019 ndaj [regjimit] mund të ishin parandaluar. Fajin e ka Ministri i Brendshëm,” tha Ahmad Alirezabeigi, anëtar i parlamentit të regjimit, të enjten.

Ai akuzoi Ministrin e Brendshëm të regjimit, Abdolreza Rahmani Fazli, se ka “gjakun e popullit në duar,” duke shtuar se “ai nuk është i kualifikuar për të mbajtur përgjegjësinë e rrezikshme” të organizimit të farsës së zgjedhjeve presidenciale të regjimit, dhe kërkoi shkarkimin e tij.

Fjalët e Alirezabeigi nënvizojnë faktin që ruajtja e pushtetit nga regjimi është në rrezik, pasi farsa e zgjedhjeve presidenciale mund të çojë në një kryengritje mbarëkombëtare.

Nga frika e reagimit të popullit, Ministria e Brendshme e regjimit është përpjekur ta minimizojë rolin e saj në vrasjen e protestuesve të pafajshëm gjatë protestave madhore të Iranit në nëntor 2019. Duke i quajtur iranianët “banditë,” Zëvendës Ministri i Brendshëm Parlamentar  tha: “në ndeshjen me banditët, fatkeqësisht, disa nga bashkatdhetarët tanë, si dhe disa nga forcat e sigurisë, humbën jetën apo u plagosën.”

Së fundmi edhe Mahmoud Sadeghi, një ish-deputet, e ka pranuar se regjimi ka vrarë qytetarë të pafajshëm.

“Në komisionet që kishin për detyrë trajtimin e [kryengritjes së nëntorit] është pyetur nëse ka patur shenja të grupeve opozitare, por ata thanë jo. I thashë Z. Shamkhani se këta janë njerëz. Ata po vrasin njerëz në rrugë. Çfarë po bëni? Do të vazhdoni të vrisni nëse ata vazhdojnë të dalin në rrugë? Shamkhani tha, po, do ta bëjmë,” thotë Sadgheri në një video të shpërndarë në rrjetet sociale.

Vlen të përmendet që Rahmani Fazli e ka mbrojtur paturpësisht rolin e tij në vrasjen e protestuesve dhe bllokimin e internetit gjatë protestave madhore të Iranit në nëntor 2019.

“Thonë që Rahmani e bllokoi internetin në atë kohë. Sigurisht që e bëra sepse ata i komandonin e i trajnonin [njerëzit] përmes internetit. Pse mërziten njerëzit? Ata po përpiqeshin të nisnin një luftë civile. Si zyrtarë të sigurisë së vendit, ne i kishim gjurmuar veprimtaritë e tyre; ata kishin muaj të tërë që bënin plane,” ka thënë Rahmani në qershor 2020.