Friday, March 29, 2024

Të Kuptojmë Grevën e Punëtorëve të Naftës në Iran dhe Pasojat e Saj për Regjimin e Mullahëve

Punëtorët e naftës dhe industrive petrokimike po zhvillojnë greva në provincat jugore të pasura me naftë të Iranit. Edhe pse çdo ditë bëhen protesta të ndryshme me njerëz nga të gjitha sferat e jetës në Iran, greva e punëtorëve të naftës ka një impakt të drejtpërdrejtë mbi ekonominë e regjimit e cila është e varur nga nafta. Slloganet e punëtorëve, kërkesat e tyre dhe, më e rëndësishmja, fakti që ata e identifikojnë regjimin si burimin e problemeve të tyre, i shfuqizojnë përpjekjet e vazhdueshme të regjimit për të fajësuar sanksionet amerikane si burimi i vërtetë i krizës ekonomike.

Këto greva nisën të shtunën, kur punëtorët e rafinerive në Abadan dhe Mahshahr, të Rafinerisë së Naftës në Qeshm, si dhe punonjësit e Rafinerisë Parsian, Kompanisë Petrokimike në Lamerd të provincës Fars, dhe të fazave 22 e 24 të Pars-it Jugor në Kangan të provincës Bushehr protestuan ndaj kushteve të vështira të punës, mungesës së kushteve minimale të sigurisë, dhe rrogave të vonuara. Këta punëtorë kritikuan ata që e prishin grevën dhe theksuan se emrat e tyre do të publikohen në fazën e ardhshme të fushatës së protestave.

Lidhur me këtë, Znj. Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), i ka lavdëruar grevistët dhe ka theksuar se punëtorët e shtypur janë ngritur për të fituar të drejtat e tyre të vjedhura nga regjimi anti-punëtor. “Me anë të kontratave shtypëse, regjimi klerikal i shfrytëzon punëtorët dhe nuk ua paguan as ato rroga të vogla që kanë. Regjimi e shpërdoron kapitalin e vendit për projekte bërthamore e raketash, si dhe për terrorizëm, ose e vjedh atë dhe e fut në llogaritë bankare të zyrtarëve të tij e familjeve të tyre jashtë vendit,” nënvizoi Znj. Rajavi.