Friday, May 14, 2021

Vazhdojnë Protestat në Mbarë Iranin, për Shkak të Kushteve të Rënda Ekonomike dhe Marrëveshjes së Mullahëve me Kinën

Sipas raporteve të mbledhura nga opozita iraniane, Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK), ditët e fundit ka patur disa protesta në mbarë Iranin. Këto protesta janë zhvilluar në mesin e krizës së Covid-19 dhe, pavarësisht shtypjes së regjimit, tregojnë gjendjen shpërthyese të shoqërisë.

Në Iran shpërthyen protesta pasi regjimi i mullahëve shpalli se kishte nënshkruar marrëveshjen e turpshme Iran-Kinë të shtunën, marrëveshje sipas të cilës ai ia dorëzon Kinës burimet natyrore të Iranit.

Të mërkurën, iranianët në qytete të ndryshme zhvilluan protesta kundër marrëveshjes Iran-Kinë për të tretën ditë rresht.

Këto protesta janë zhvilluar në Teheran, Kazeroun, Kermanshah, e qytete të tjera.

Të hënën dhe të martën, iranianët mbajtën protesta përpara Parlamentit të regjimit në Teheran dhe përpara zyrave të guvernatorëve të regjimit në qytete të ndryshme të Iranit. Protestuesit thërrisnin: “Irani nuk është në shitje,” “Vdekje atyre që po e shesin atdheun tonë,” dhe “Do të luftojmë, do të vdesim, do ta rifitojmë Iranin.”

Sipas kësaj marrëveshjeje, regjimi iranian do t’i japë koncesione të mëdha ekonomike Kinës në përpjekje për ta siguruar më fort pushtetin në duart e veta duke u kapur pas një fuqie botërore.

“Që nga fillimi i revolucionit, ne kemi menduar që, duke qenë se Irani është i pasur, kjo pasuri duhet përdorur për qëllime politike dhe sigurie, dhe që revolucioni duhet eksportuar. Si rezultat, ekonomia e Iranit ka qenë gjithmonë në shërbim të politikës dhe sigurisë. Këto dy koncepte të gabuara kanë bërë që vlera e monedhës kombëtare të bjerë me shpejtësi përballë sanksioneve. Për shkak të mungesës së strukturave të forta ekonomike, edhe parametrat e tjerë kanë rënë, dhe njerëzit e pafajshëm janë nën presionin e keqmenaxhimit të brendshëm dhe vjedhjeve në shkallë të gjerë. Familjet e klasës së mesme kanë rënë nën pragun e varfërisë,” shkruante të shtunën e përditshmja shtetërore Arman, lidhur me këtë.

“Nuk ka asnjë dokument bazuar në të cilin mund të analizohen gjykimet [publike]. Fatkeqësisht, në rrethana të tilla, Asistenti i Ministrit të Jashtëm i ka shtuar spekulimet duke thënë që nuk është e nevojshme të publikohet dokumenti. Kjo tregon se zyrtarët nuk kanë mësuar asgjë nga incidentet e tilla si rritja e çmimit të gazolinës [e cila shkaktoi kryengritjen e nëntorit 2019], dhe [mbajtja sekret e marrëveshjes] do ta egërsojë edhe më shumë opinionin publik,” shkruante të mërkurën e përditshmja shtetërore Arman, nga frika se kjo marrëveshje mund të shkaktojë një tjetër kryengritje, si ajo e nëntorit 2019.