Monday, November 29, 2021

Dështojnë Udhëtimet e Brendshme dhe Ndërkombëtare të Presidentit Iranian Raisi

 

Të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të regjimit iranian shpalli se presidenti i regjimit, Ebrahim Raisi, nuk do të marrë pjesë në Konferencën e OKB për Ndryshimin Klimatik COP26 në Glasgow. Në përgjigje ndaj reporterëve, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme tha se ‘ky udhëtim nuk ka qenë asnjëherë në agjendën e presidentit’. Refuzimi i një mundësie të tillë diplomatike për një regjim i cili po kërkon dëshpërimisht njohje ndërkombëtare për presidentin e tij është një pengesë serioze.

Sapo u bë e qartë që Raisi me shumë mundësi do të merrte pjesë në COP26, viktimat e regjimit iranian dhe ish-eurodeputeti Struan Stevenson bënë një kërkesë zyrtare për arrestimin e Raisi-t. Kjo kërkesë zyrtare u bë për shkak të historikut të errët të dhunimeve të të drejtave njerëzore nga Raisi. Raisi njihet për rolin e tij në masakrën e 1988-ës ndaj 30,000 të burgosurve politikë. Kërkesa zyrtare e bërë nga aktivistët iranianë dhe Z. Stevenson është mbuluar gjerësisht nga mediat.

“Është bërë një kërkesë zyrtare për arrestimin e presidentit iranian për krime kundër njerëzimit nëse ai merr pjesë në Cop26 në Glasgow,” ka raportuar Times. “Aktivistë të të drejtave njerëzore, viktima, dhe familjarë të personave të torturuar dhe ekzekutuar nga regjimi iranian i kanë bërë thirrje Policisë së Skocisë që ta hetojë Raisi-n sipas konceptit ligjor të juridiksionit universal. Kjo do të thotë që, dhunuesit e të drejtave njerëzore të çfarëdo kombësie mund të hetohen në çdo shtet, pavarësisht se ku janë kryer krimet,” shton Times.

Gjithashtu, Rezistenca Iraniane ka mbajtur një konferencë për shtyp më 13 tetor. Në këtë event morën pjesë ish të burgosur politikë, viktima të regjimit, si dhe Z. Stevenson. Pjesëmarrës ishte edhe Tahar Boumedra, ish drejtor i Zyrës së OKB për të Drejtat e Njeriut në Irak. Z. Boumedra nënvizoi se “E kemi bërë kallëzimin e parë më 2 korrik 2021. Ne besojmë se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.”

Ka thirrje gjithnjë e më të forta për t’i kërkuar llogari Raisi-t për rolin e tij në masakrën e 1988-ës, si dhe për krimet që ai ka kryer si Kryegjyqtar i regjimit nga 2019 në 2021, kryesisht gjatë protestave të mëdha në Iran.