Monday, September 20, 2021

Dita e Parë e Samitit Botëror për Iranin e Lirë 2021

 

Samit online me pjesëmarrjen e iranianëve nga 50,000 lokacione në 105 shtete, duke përfshirë tubime në 17 shtete

Maryam Rajavi: Instalimi i Raisi-t si president është shenjë e fazës së fundit të regjimit, frikës nga kryengritjet, paaftësisë për ndryshim, dhe intensifikimit të spastrimit të brendshëm

  • Fjalim nga JanezJanša, Kryeministër i Sllovenisë
  • Fjalime nga Sekretari i Shtetit Michael R. Pompeo (2018-2021) dhe nga 30 ligjvënës amerikanë, duke përfshirë senatorët Menendez, Cruz, Blunt, Cardin, përfaqësuesit Kevin McCarthy, Hakeem Jeffries
  • Maryam Rajavi: Khamenei, Ebrahim Raisi, dhe autorët e tjerë të masakrës së 1988-ës duhet të hidhen në gjyq për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Këshilli i Sigurimit i OKB duhet ta organizojë këtë gjykim.
  • Regjimi iranian nuk do ta braktisë kurrë projektin e tij për të zotëruar bomba atomike, eksportin e terrorizmit, dhe luftënxitjen. Për të ruajtur paqen dhe sigurinë, ky regjim duhet t’i nënshtrohet sanksioneve ndërkombëtare sipas Kreut VII të Kartës së OKB, dhe duhet të njihet përpjekja e popullit iranian për ndryshim regjimi dhe për liri e barazi.

 Të shtunën, më 10 korrik 2021, filloi Samiti Botëror tre-ditor për Iranin e Lirë-2021 me pjesëmarrjen e iranianëve dhe mbështetësve të rezistencës nga mbi 50,000 lokacione në 105 shtete, dhe me praninë e mijëra anëtarëve të Mujahedin-e Khalq (MEK/PMOI) në Ashraf 3 të Shqipërisë. Nga Sidnej në Hawaii, pjesëmarrësit u mblodhën bashkë online në vende të ndryshme me një diferencë kohore prej 20 orësh.

Në fjalimin e saj ditën e parë të samitit, zonja Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), tha se instalimi si president [nga Khamenei] i Ebrahim Raisi-t, njërit prej autorëve të masakrës së 1988-ës ndaj 30,000 të burgosurve politikë, shënon disfatën dhe turpin më të madh në historinë e regjimit klerikal. Kjo ishte një lëvizje e nxituar për spastrimin dhe eliminimin e fraksioneve të brendshme në rrugën drejt konsolidimit të pushtetit në fazën finale të sundimit të tij. Vetëm frika e regjimit nga kryengritjet dhe disfata politike e liderit suprem mund ta shpjegojë ngritjen e Raisi-t, ekzekutuesit të masakrës së 1988-ës, në këtë post të lartë.

Znj. Rajavi shtoi: Vullneti ynë dhe i popullit tonë mund të përmblidhet në këto tre fjalë: liri, demokraci, dhe barazi. Për sa i përket komunitetit ndërkombëtar, i kërkojmë që ta njohë përpjekjen e popullit iranian për ta përmbysur këtë regjim dhe t’i njohë këto tre koncepte. Duam të sjellim përpara drejtësisë liderin suprem të mullahëve, Ali Khamenei, presidentin e tij Ebrahim Raisi, Kryegjyqtarin Gholam-Hossein Mohseni Eje’i, dhe zyrtarët e tjerë përgjegjës për masakrën e 1988-ës, me akuzën e krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit. E nxisim Këshillin e Sigurimit të OKB që të bëjë të mundur ndjekjen penale ndërkombëtare të Raisi-t dhe t’i kërkojë atij llogari për krime kundër njerëzimit, si dhe të mos e lejojë praninë e tij në seancën e ardhshme të Asemblesë së Përgjithshme të OKB. Regjimi i mullahëve nuk do ta braktisë kurrë përpjekjen për të zotëruar armë bërthamore, për të eksportuar terrorizmin, dhe për të nxitur luftëra në rajon. Prandaj, duke qenë kërcënimi kryesor ndaj paqes dhe sigurisë, ai duhet t’u nënshtrohet sanksioneve ndërkombëtare sipas Kreut Shtatë të Kartës së OKB.

Presidentja e zgjedhur e NCRI vuri në dukje se regjimi klerikal gjendet në një rrugë pa krye: Një lake drejton pushtetin Ekzekutiv; një ekzekutues dhe torturues famëkeq me emrin Eje’i drejton pushtetin Gjyqësor, dhe një mullah gjakatar ndodhet në majë të të gjithë regjimit. Tani skuadra e kanibalëve është plotësuar. Ky kombinim flet vetë dhe nuk ka nevojë për prova të tjera për të kuptuar se regjimi është në fazën e fundit. Prandaj, në epokën e re, armiqësia midis regjimit dhe shoqërisë iraniane do të intensifikohet më shumë se kurrë më parë, ashtu siç ndodhi edhe me Shahun tashmë të rrëzuar, i cili pati deklaruar regjimin ushtarak duke emëruar Gjeneralin Gholamreza Az’hari si kryeministër, por rezultati i gjithë kësaj qe e kundërta e pritshmërive të tij.

Znj. Rajavi theksoi: Asetet tona janë rebelimi dhe revolta e ushtrisë së të rinjve që u derdhën nëpër rrugë në nëntor 2019. Dhe fuqia jonë vjen nga një rrjet mbarëkombëtar i Njësive të Rezistencës të cilat kanë punuar pa pushim çdo ditë të vitit, dhe në vitin 2020 e kanë dyfishuar numrin e veprimtarive dhe operacioneve të tyre krahasuar me vitin e mëparshëm, për t’i thyer zinxhirët e represionit.

Ajo shtoi: Rezistenca Iraniane mbron me një plan të qartë të drejtën e autonomisë për të gjitha minoritetet etnike të shtypura, brenda kuadrit të unitetit dhe integritetit territorial të Iranit, dhe mban lart flamurin e marrëdhënieve të drejta bazuar në respektin për pavarësinë, sovranitetin kombëtar, dhe për interesat e ndërsjellta me fqinjët e saj dhe me botën.

Njëkohësisht me Samitin, mijëra iranianë u grumbulluan në Portën Brandenburg të Berlinit, si dhe në 16 qytete e kryeqytete të tjera, si Paris, Uashington, Londër, Amsterdam, Stokholm, Oslo, Vienë, Romë, dhe Gjenevë. Këto tubime u lidhën drejtpërdrejt me samitin.

Në këtë samit mbajtën fjalimet e tyre Janez Janša, Kryeministër i Sllovenisë, Mike Pompeo, Sekretari amerikan i Shtetit deri në vitin 2021, Donna Brazile, Kryetare në Detyrë e Komitetit Kombëtar Demokratik (2016- 2017), Stephen Harper, kryeministër i Kanadasë (2006-2015), Franco Frattini, Ministër i Jashtëm i Italisë (2008 –2011), Pandeli Majko, ish-kryeministër i Shqipërisë, dhjetëra senatorë e anëtarë të dhomës së përfaqësuesve të SHBA nga të dy partitë, demokratike dhe republikane, përfshirë senatorët Robert Menendez, Ted Cruz, Roy Blunt, Ben Cardin, dhe kongresmenët Kevin McCarthy e Hakeem Jeffries; Gjenerali James Jones, Këshilltar i Presidentit Obama për Sigurinë Kombëtare, dhe disa ish-ministra europianë, përfshirë ish-ministrat e jashtëm të Francës, Italisë, dhe Polonisë, ish-ministrat e mbrojtjes të Britanisë dhe Francës, si dhe lideri i Partisë Popullore të Europës, më të madhes në Europë.