Friday, May 14, 2021

Ekspertët e Punëve të Jashtme Bëjnë Thirrje për një Politikë më të Fortë nga SHBA teksa Irani Hyn në një Vit të Ri

Të mërkurën, zyra përfaqësuese në SHBA e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) zhvilloi një takim virtual, për shkak të nevojës për distancim social, në vend të mbledhjes së përvitshme që ajo organizon me mbështetës amerikanë e aktivistë iranianë në mërgim. Kjo mbledhje online kishte për qëllim festimin e Vitit të Ri iranian, Novruz, i cili zyrtarisht ndodhi të shtunën dhe shënoi fillimin e vitit 1400 në kalendarin iranian.

Pjesëmarrësit e spikatur në këtë tubim mbajtën fjalime përpara një audience virtuale aktivistësh iraniano-amerikanë dhe mbështetësish të NCRI, të cilët merrnin pjesë nga pothuajse të gjitha shtetet e SHBA. Gjithashtu, javën e shkuar u zhvillua një tjetër tubim i ngjashëm që u fokusua në theksimin e mbështetjes dypartiake që NCRI ka arritur të gëzojë në Senatin amerikan. Nga fundi i kësaj konference pati fjalime nga demokratët Robert Menendez dhe Ben Cardin, republikanët Ted Cruz dhe John Cornyn, si dhe disa anëtarë të tjerë të të dy partive. Mesazhi i mbështetjes dypartiake u theksua edhe nga fjalimet e eventit të kësaj jave, fjalime të cilat erdhën nga disa akademikë amerikanë, diplomatë, dhe ish-zyrtarë të qeverisë.

Mitchell Reiss, ish-president i Washington College dhe ish-punonjës i Departamentit amerikan të Shtetit, e pranoi hapur se mbështetja dypartiake është e rrallë në politikën aktuale amerikane, por vërejti se qëndrimet ndaj regjimit iranian janë një përjashtim i spikatur nga ky trend. Në fakt, disa folës të tjerë dhanë përshtypjen se dakordësia dypartiake për sa i përket çështjeve iraniane është rritur madje vitet e fundit, siç dëshmohet edhe nga mungesa e interesit që administrata Biden duket se po tregon lidhur me përmbysjen e politikave të vendosura nga administrata e mëparshme.

Gjenerali Charles Wald, ish zëvendës komandant i Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara, e përqendroi një pjesë të madhe të komenteve të tij tek shkeljet që Irani i ka bërë marrëveshjes bërthamore, duke pohuar se kjo marrëveshje ka patur qëllim të mirë por mangësi serioze, të cilat janë përkeqësuar edhe nga veprimtaritë e mirë-praktikuara mashtruese të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike. Wald i bëri thirrje SHBA-së të shkojë përtej refuzimit për të hedhur hapin e parë mbrapsht drejt status quo-së, dhe të kërkojë një marrëveshje të re dhe më larg-pamëse, e cila nuk do të lejojë zgjerime të menjëhershme e pa limit të veprimtarive bërthamore të Iranit, si dhe do të adresojë edhe veprimtaritë e tjera malinje të regjimit.

Kjo ide e një nevoje për presion më gjithëpërfshirës mbi regjimin iranian u kthye në refren të eventit të së mërkurës. Robert Joseph, ish-nënsekretar i shtetit për kontrollin e armëve dhe sigurinë ndërkombëtare, komentoi gjithashtu mbi çështjen bërthamore, duke këmbëngulur në faktin se Irani i është vënë pas në mënyrë aktive prodhimit të armëve bërthamore dhe se nuk do të dorëzohet kurrë në këtë përpjekje për sa kohë që sistemi aktual të vazhdojë të jetë në pushtet atje. Më pas, ai e lidhi këtë me vërejtje më të gjera për sa i përket natyrës së regjimit teokratik, i cili sipas tij “nuk mund të reformohet,” “nuk mund të ndryshojë,” dhe “mund të mbijetojë vetëm me anë të represionit e brutalitetit.”

Joseph, aktualisht ekspert i lartë në Institutin Kombëtar për Politikën Publike, paralajmëroi se heshtja perëndimore përballë këtij brutaliteti do të përbënte “braktisje të vlerave tona dhe inkurajim për diktatorët në mbarë botën.” Pothuajse çdo folës në këtë event iu referua në mënyrë të ngjashme represionit që regjimi ushtron mbi popullin e vet, represion i cili është përshkallëzuar vitet e fundit, pasi ndjenjat anti-qeveritare janë bërë gjithnjë e më të përhapura dhe gjithnjë e më të guximshme.