Saturday, November 21, 2020

Ekspozitë me Foto në Kryeqytetin Amerikan: Të Kujtojmë Dëshmorët e Protestave të Iranit

Shkruar nga Shahriar Kia

Organizata e Komuniteteve Iraniano-Amerikane (OIAC) ka organizuar një ekspozitë me foto përpara Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara më 21 tetor, ku ka përkujtuar 120,000 dëshmorët e Iranit, të rënë për liri. Homazhe u bënë edhe për 1500 dëshmorët e protestave të mëdha në Iran në nëntor 2019, teksa po afrohet përvjetori i tyre.

Në këtë event morën pjesë disa figura dhe parlamentarë të spikatur amerikanë. Gjykatësi Michael Mukasey, ish-Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara; Ambasadori Mitchell Reiss, drejtor i planifikimit të politikave në Departamentin amerikan të Shtetit nga 2003 në 2005; Ambasadori Marc Ginsberg, ish Ambasador i SHBA në Marok; ish-Senatori Robert Torricelli; Linda Chavez, ish-drejtore e marrëdhënieve me publikun në Shtëpinë e Bardhë; dhe Profesor Ivan Sascha Sheehan, drejtor i negocimit dhe menaxhimit të konflikteve në Universitetin e Baltimore, ishin disa nga folësit në këtë event.

Kjo ekspozitë me foto përmbante mijëra foto të dëshmorëve iranianë të rënë për kauzën e lirisë dhe demokracisë. OIAC e zhvilloi këtë event përpara përvjetorit të protestave mbarëkombëtare të Iranit në nëntor 2019.

Përhapja e gjerë e protestave të Iranit në 2019 demonstroi qartë se sa e trazuar është shoqëria iraniane. Tregoi gjithashtu gatishmërinë e popullit për ta përmbysur regjimin iranian. Edhe pse regjimi ia doli t’i shtypte përkohësisht ato protesta, protestat në vazhdim nga të gjitha shtresat e jetës në mbarë Iranin, së bashku me veprimtaritë e të rinjve të rebeluar dhe të “Njësive të Rezistencës” të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), e kanë mbajtur gjallë flakën e kryengritjes së nëntorit.

 

Kur regjimi ekzekutoi Navid Afkari-n, kampionin iranian të mundjes që e kishin arrestuar gjatë kryengritjes së 2018-ës, për ta frikësuar publikun, të rinj të rebeluar sulmuan gjykatën që e kishte dënuar me vdekje Navid-in. Gjithashtu, Njësitë e Rezistencës të MEK i mbushën muret e qyteteve kryesore të Iranit me foto të Navid-it dhe u betuan se do ta vazhdonin rrugën e tij.

Me përshkallëzimin e krizave shoqërore dhe ekonomike, Irani është më shumë se kurrë në prag të një revolucioni, siç thuhet edhe nga shumë prej mediave shtetërore e think-tank-eve të regjimit. Gjithashtu, presioni i brendshëm dhe ndërkombëtar mbi regjimin i ka intensifikuar grindjet e brendshme të mullahëve. Kohët e fundit, grindjet e brendshme të regjimit kanë arritur maja të reja, pasi grupimi rival ka bërë thirrje për heqjen dhe ekzekutimin e presidentit të mullahëve, Hassan Rouhani.

Lidhur me këtë, e përditshmja shtetërore Resalat shkroi më 22 tetor: “Nisur nga situata delikate ekonomike dhe politike e tanishme, efekti i krijimit të paqëndrueshmërisë në degën ekzekutive të vendit në mes të luhatjeve të rënda në tregje të ndryshme, duke i rritur papërputhshmëritë në organet ekzekutive, e shton edhe më shumë presionin mbi popullin dhe dëmin tek publiku.” Dëmi tek publiku nuk është gjë tjetër veçse siguria e regjimit, e cila jo vetëm që dëmtohet por do të shkatërrohet në copa nga kryengritja e radhës.

Siç ka shkruar e përditshmja Hamdeli më 18 tetor: “Vendi ynë është i ekspozuar ndaj një dukurie jashtëzakonisht të rrezikshme për shkak të neglizhencës dhe mungesës së profesionalizmit në fushën e politikë-bërjes dhe ndarjes së burimeve. Si rrjedhim, mendjet e politikë-bërësve të vendit duhet të fokusohen tek problemet përtej varfërisë, si mjerimi. Nëse nuk merremi ndershmërisht me këtë situatë, me shumë mundësi do të ekspozohemi ndaj trazirave, rebelimeve e krizave jashtëzakonisht të rrezikshme.