Sunday, May 16, 2021

Iran: Konferencë Online me Anëtarë të Parlamentit Francez

Maryam Rajavi April 15 online conference

Anëtarët e Parlamentit Francez Diskutojnë mbi Situatën Iraniane me Presidenten e Rezistencës Iraniane Maryam Rajavi në një Konferencë Online

Një konferencë online me titull “Perspektivat për Iranin, një politikë e saktë” u mbajt sot, më 15 prill, nga Komiteti Parlamentar për një Iran Demokratik (CPID) në Parlamentin Francez.
Michèle de Vaucouleurs, anëtare e parlamentit francez nga lëvizja demokratike dhe presidente e CPID, përshëndeti pjesëmarrësit dhe Maryam Rajavi-n, presidenten e zgjedhur të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) e cila ishte folësja kryesore.
“Bojkoti i përgjithshëm i zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në qershor do të jetë përgjigjja e natyrshme e popullit ndaj masakrimit të 1500 demonstruesve paqësorë në nëntor 2019 nga autoritetet,” tha presidentja e zgjedhur e Rezistencës Iraniane.
“Problemet e brendshme të regjimit nuk i lënë ata të merren me negociata serioze për sa i përket çështjes bërthamore. Për shembull, gjatë negociatave, ata fillojnë të pasurojnë uraniumin në një nivel 60%, që është një hap i qartë drejt prodhimit të bombës. Rezistenca iraniane pranon çdo marrëveshje që nuk do ta lejojë këtë regjim të ketë në duar një bombë atomike.”

Në këtë konferencë foli edhe ish-ministri i jashtëm italian Giulio Terzi.
“Duhet ta lëmë mënjanë politikën e paqësimit që është përdorur deri më sot. Duhet të aplikohen sanksione më serioze sesa ato aktuale, për ta detyruar regjimin të sillet në mënyrën e duhur,” tha ish-diplomati.
“Gjatë kryengritjeve mbarëkombëtare, populli iranian e ka refuzuar idenë e rreme të ekzistencës së elementëve të moderuar brenda këtij regjimi dhe ka zgjedhur të kërkojë një ndryshim total regjimi,” shtoi Z. Terzi.
Ish-ministri italian e mirëpriti vendimin e BE-së për të listuar tetë autoritete iraniane si terroristë për shkak të rolit të tyre në masakrimin e përgjakshëm të demonstruesve në 2019-ën.
André Chassaigne, anëtar i Parlamentit nga partia komuniste dhe zëvendës-president i CPID, theksoi rolin e Rezistencës së organizuar brenda vendit përballë një regjimi që nuk toleron asnjë kundërshtim.
“Reagimet e egra të regjimit ndaj Muxhahedinëve (MEK) nuk kanë shpjegim tjetër përveç mbështetjes së fortë popullore brenda vendit për MEK. Roli i njësive të rezistencës të MEK gjatë kryengritjeve të dy viteve të fundit ka qenë deciziv. Për praninë e saj në terren, MEK u detyrohet udhëheqësve të vet, dhe juve, Znj. Rajavi, për gjithë këto vite këmbëngulje e përkushtim,” tha Z. Chassaigne.
Frédéric Reiss, anëtar i parlamentit nga partia republikane, paralajmëroi në lidhje me negociatat në vazhdim midis shteteve 4+1 dhe regjimit iranian, duke thënë se negociatorët europianë duhet të jenë vigjilentë e të kenë kujdes nga manovrat dredharake të mullahëve.
Senatori francez Bernard Fournier theksoi në fjalimin e tij se Franca duhet ta përdorë të gjithë fuqinë e saj për t’i frenuar ambiciet rajonale e bërthamore të regjimit iranian.
Në këtë takim online folën edhe Hervé Saulignac, anëtar i Parlamentit nga partia socialiste; Philippe Gosselin, anëtar i Parlamentit nga partia republikane; Brahim Hammouche, anëtar i Parlamentit nga lëvizja demokratike; dhe Jean-Michel Clément nga partia socialiste.
Për pjesëmarrësit u transmetua gjithashtu një video rreth veprimtarive shoqërore të njësive të Rezistencës brenda Iranit.