Wednesday, January 26, 2022

Masakra e 1988-ës nuk mund të fshihet

Mbështetësit e Rezistencës Iraniane zhvillojnë demonstrata ndërkohë që Hamid Noury gjykohet në Stokholm të Suedisë

Pas dëgjimit të dëshmive të dëshmitarëve dhe paditësve, proces që ka zgjatur disa javë, gjykata suedeze që po zhvillon gjyqin ndaj Hamid Noury-t, një zyrtar i regjimit i cili ka qenë i përfshirë në krime kundër njerëzimit, i ka dhënë të pandehurit mundësinë për të shpjeguar versionin e tij të ngjarjeve.

Noury kishte katër ditë për të mbrojtur çështjen e tij. Por në këto katër ditë, përpjekjet e tij për të shfajësuar veten vetëm sa e kanë theksuar edhe më shumë shkallën e mizorive të kryera në burgjet e Iranit, si dhe nevojën për t’u kërkuar llogari zyrtarëve iranianë për krimet e tyre.

Në vitin 1988, udhëheqësi suprem i atëhershëm Ruhollah Khomeini nxori një fetva, një dekret fetar, përmes të cilës urdhëronte spastrimin e burgjeve iraniane nga të gjithë mbështetësit e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK). Me urdhër të Khomeinit, mbi 30,000 të burgosur politikë u ekzekutuan në të gjithë Iranin. Detyrën për kryerjen e këtyre vrasjeve e kishin Komisionet e Vdekjes, të cilat ishin delegacione autoritetesh gjyqësore dhe ekzekutive që i thërrisnin të burgosurit dhe ua vulosnin fatin në procese gjyqësore që zgjatnin vetëm pak minuta. Të gjithë të burgosurit që refuzonin ta mohonin mbështetjen e tyre për MEK dërgoheshin menjëherë për t’u varur.