Friday, May 14, 2021

Në Iran, Krizat e Shumëfishta e Pengojnë por Nuk Mund ta Nënshtrojnë Shtytjen e Popullit drejt Demokracisë

Ndërkohë që shumë vende tashmë kanë një perspektivë realiste për të dalë nga pandemia e koronavirusit, Irani vazhdon të përballet me krizën më të rëndë të sëmundjes në Lindjen e Mesme, dhe një nga më të rëndat në botë. Ministria e Shëndetësisë e regjimit deklaron se kjo sëmundje ka vrarë rreth 60,000 iranianë, por kjo vjen nga keqraportime sistematike pas më shumë se një muaji mohim të plotë të ekzistencës së të infektuarve në fillim të 2020-ës. Sipas raporteve të mbledhura nga Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK), bilanci i vërtetë i vdekjeve është afërsisht një çerek milioni, dhe vazhdon të rritet.

Por as kjo nuk nuk i përmbledh plotësisht vështirësitë me të cilat po përballet populli iranian. Kriza e koronavirusit është vetëm një pjesë e diçkaje më të gjerë, dhe efektet e saj janë rënduar nga vite të tëra përkeqësimi të kushteve ekonomike dhe neglizhimi të nevojave jetike të popullit nga ana e regjimit. Kjo neglizhencë ishte një ndër faktorët që i dhanë shkëndijën një kryengritjeje mbarëkombëtare gjatë ditëve të fundit të 2017-ës, kryengritje e cila vazhdoi gjatë një pjese të mirë të janarit 2018 dhe në të cilën u shfaqën një numër slloganesh që shprehnin miratimin popullor për objektivin e ndryshimit të regjimit.

Kjo kryengritje u shtyp në fund nga autoritetet e regjimit pas dhjetëra vrasjeve e mijëra arrestimeve. Por rryma nëntokësore e lëvizjes për ndryshim mbeti aktive, sigurisht e shtyrë përpara nga simbolizmi i pohimit nga lideri suprem i regjimit se sistemi teokratik ishte më i brishtë se ç’kishte qenë i gatshëm të pranonte më parë ai. Në një fjalim të mbajtur në kulmin e kryengritjes, Ali Khamenei pati deklaruar se këto trazira ishin nxitur gjatë disa muajve përpjekje nga ana e MEK, organizatë e cila është fokusi i një pjese të madhe të propagandës së fryrë të regjimit.

Pas kryengritjes së janarit 2018, udhëheqësja e opozitës Znj. Maryam Rajavi i nxiti iranianët, sidomos të rinjtë, që ta kthenin vitin që vinte në një “vit plot kryengritje.” Apeli i saj u mirëprit në mbarë vendin, dhe për muaj të tërë më pas u zhvilluan protesta të shpërndara të cilat e mbajtën në qarkullim të rregullt mesazhin thelbësor të kryengritjes së parë. Vlera e kësaj lëvizjeje u qartësua si për audiencat e brendshme, ashtu edhe për ato ndërkombëtare, në nëntor 2019, kur regjimi shpalli rritje të çmimeve të gazolinës dhe banorët e gati 200 qyteteve të mëdha e të vogla u përgjigjën duke organizuar një tjetër kryengritje e duke u dhënë jetë të re slloganeve si “vdekje diktatorit.”

Kryengritja e dytë mbarëkombëtare zgjati pak më shumë se një javë para se edhe ajo të rikthehej nëntokë nga një represion i dhunshëm. Në këtë rast, represioni qe shumë më ekstrem se ç’kishte qenë pothuajse dy vite më parë. Në zona të ndryshme gjatë nëntorit 2019, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike hapi zjarr mbi turmat e njerëzve, duke vrarë një total prej rreth 1,500 njerëzish. Edhe pse protestat shpërthyen sërish në provinca të shumta vetëm dy muaj më vonë, shtypja e nëntorit qe një tregues shumë i mirë i klimës socio-politike në të cilën do të ndodhte shpërthimi i parë i koronavirusit.

Kur IRGC qëlloi dhe rrëzoi një avion pasagjerësh pranë Teheranit në janar 2020, shumë iranianë treguan gatishmërinë e tyre për t’iu kundërvënë represionit të regjimit në mënyrë që t’i kërkonin llogari regjimit të mullahëve për disa nga aktet më të rënda të tij. Por zhvillimi i protestave në shkallë të gjerë u bë shumë më i vështirë kur Covid-19 nisi të paraqiste një sfidë më shumë për njerëzit që donin të mblidheshin në mënyrë spontane në hapësira publike. Kjo vështirësi u shumëfishua edhe nga fakti që efektet ekonomike globale të pandemisë ua bënë edhe më të vështirë iranianëve sigurimin e jetesës.

Natyrisht, Teherani nuk tregoi asnjë interes për ta përmbysur këtë trend. Ta bënte këtë do të thoshte të përqafonte kërcënimin e kryengritjeve të mëtejshme nga një popullsi që vazhdonte të ishte aq e varfëruar dhe e uritur sa të xhindosej nga politikat e gabuara të regjimit, por jo aq e varfëruar dhe e uritur sa të bëhej e plogësht apo e paaftë për një revoltë të organizuar. Kështu, Lideri Suprem i regjimit Ali Khamenei refuzoi t’i përdorte në shërbim të popullit asetet e tij qindra biliona dollarëshe që ka akumuluar përmes të ashtu-quajturave fondacione fetare, dhe IRGC gjithashtu i mbajti fort pas vetes bizneset e zotërimet e saj financiare, të cilat sipas raporteve përbëjnë më shumë se gjysmën e prodhimit të brendshëm bruto të Iranit.

Mungesa e ndihmës financiare ndaj iranianëve të rëndomtë i detyroi shumë prej tyre që të vazhdonin të shkonin në punë në rrethana gjithnjë e më të rrezikshme. Ndërkohë, Teherani nuk bëri pothuajse asgjë për t’i përmirësuar këto rrethana. Izolimet dhe ndalimet e udhëtimeve nuk zgjatën shumë dhe nuk u zbatuan me forcë, dhe që nga fillimi i vitit 2021, Khamenei duket se e ka vënë në rrezik përpjekjen për vaksinim duke ndaluar importimin e ilaçeve të prodhuara në Amerikë e Britani, e më pas duke ia dorëzuar përgjegjësinë për shpërndarjen e vaksinave kompanive të lidhura me IRGC-në të cilat dihet me siguri se do të marrin vendime në shërbim të vetvetes dhe do të përpiqen të përfitojnë nga nevojat e popullit sa më shumë që të munden.

Siç ka thënë më parë Rezistenca Iraniane, autoritetet e regjimit e kanë lejuar qëllimisht përhapjen e koronavirusit që të dalë jashtë kontrollit me pritshmërinë se kjo gjë do ta dobësonte vendosmërinë e popullit dhe do ta zvogëlonte mundësinë që ai t’i rifillonte demonstratat publike në favor të ndryshimit të regjimit.

Por kjo nuk do të thotë që shoqëria ka qenë plotësisht e heshtur. Kjo tregon vetëm që shprehjet serioze të ndjenjave anti-regjim kanë qenë të rezervuara për shumicën e iranianëve.

Opozita iraniane i ka regjistruar vazhdimisht veprimtaritë e zhvilluara gajtë periudhës së trazirave të zbutura, periudhë e cila koinçidon me pandeminë e koronavirusit. Ato përfshijnë përpjekjet për të organizuar një bojkot të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, plus shfaqjet publike tët posterave e graffiti-ve që dënojnë diktaturën teokratike dhe promovojnë vizionin demokratik të udhëheqësit të Rezistencës Massoud Rajavi dhe presidentes së zgjedhur të opozitës, Znj. Maryam Rajavi.

Edhe Njësitë e Rezistencës të MEK kanë zhvilluar protestat e veta në shkallë të vogël, si dhe kanë demonstruar solidaritet me shpërthimet më të mëdha të mospajtimit kohët e fundit në zona si Kurdistani iranian dhe provinca jug-lindore Sistan dhe Baluchistan. Në këtë mënyrë, veprimtaritë e tyre të kujtojnë ato veprimtari që mbushën “vitin plot kryengritje” duke mbushur hendekun midis janarit 2018 dhe nëntorit 2019, dhe duke përgatitur terrenin për këtë të fundit.

Kjo tregon se pavarësisht efekteve shtypëse të një krize të shëndetit publik që u zhvillua përsipër një krize ekonomike, dhe përsipër kërcënimeve konstante të dhunës politike, populli iranian është ende i gatshëm për revoltë. Kështu tha edhe Znj. Rajavi në fjalimin e saj me rastin e Novruzit, Vitit të Ri iranian, në mars. Krizat e shumta, tha ajo, “kanë përhapur vdekje e errësirë, janë përpjekur ta shuajnë çdo flakë e çdo lëvizje dhe ta pllakosin mbarë vendin me vuajtje e hidhërim. Por njësitë e Rezistencës dhe të rinjtë e rebeluar i kanë mbajtur gjallë këto flakë. Dhe së fundmi, këto flakë gjëmuan në Saravan dhe në Sistan e Baluchistan.”
“Populli i Iranit ka qenë, dhe vazhdon të jetë, në luftë me sëmundjen, varfërinë, dhe urinë,” shtoi ajo përpara se të deklaronte me vetëbesim se  pavarësisht kësaj, apo ndoshta për shkak të kësaj, viti pers 1400, “do të jetë viti kur populli i Iranit do të ngrihet sërish për ta përmbysur regjimin.”