Wednesday, January 26, 2022

Ngritja e një Vrasësi të Masave në Postin e Presidentit të Iranit: Shenjë Dobësie, Dëshpërimi, Jo Force 

mohammad-mohaddessin-iran-ebrahim-raisiMë 5 gusht u inaugurua presidenti i ri i regjimit iranian, Ebrahim Raisi. Ngritja e Raisi-t në postin e presidentit tregoi edhe një herë se pandëshkueshmëria për sa i përket dhunimeve të të drejtave të njeriut ka pushtet absolut në Iran, pasi Raisi është një vrasës i masave. Ai ka qenë një nga figurat kryesore në masakrën e 1988-ës ndaj 30,000 të burgosurve politikë. Lideri Suprem i regjimit, Ali Khamenei, e ka zgjedhur Raisi-n me qëllimin për ta konsoliduar pushtetin në regjimin e tij të përbërë nga hajdutë e vrasës të masave. Por a erdhi kjo zgjedhje nga forca e regjimit, apo ishte një shenjë dëshpërimi e dobësie?

Në një artikull të publikuar në Townhall më 25 tetor, Z. Mohammad Mohadessin, kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme në Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), e analizon këtë çështje dhe hedh dritë mbi dëshpërimin që e ka shtyrë regjimin të zgjedhë Raisi-n si president.

Më poshtë është teksti i plotë i këtij artikulli.  

Të hënën, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit shpalli se Presidenti i regjimit, Ebrahim Raisi, nuk do të marrë pjesë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara mbi Ndryshimin Klimatik (COP26) muajin e ardhshëm, pas thirrjeve për arrestimin e tij. Dhe në shtator, Raisi u detyrua të dërgonte një mesazh të regjistruar që më parë në Asemblenë e Përgjithshme të OKB-së, në vend që të merrte pjesë fizikisht atje. Kjo ndodhi pavarësisht faktit që regjimi është duke kërkuar dëshpërimisht një formë vëmendjeje ndërkombëtare për t’i shpëtuar izolimit të dhimbshëm.

Të dyja këto raste kanë ardhur si shkak i dënimit ndërkombëtar të paprecedent që është shprehur ndaj Raisi-t, veçanërisht si vrasës i masave i përfshirë në masakrën ndaj 30,000 të burgosurve politikë në 1988-ën.

Raisi ka shumë kohë që dënohet si dhunues serial i të drejtave njerëzore. Në nëntor 2019, Shtetet e Bashkuara e etiketuan Raisi-n, i cili në atë kohë ishte në krye të pushtetit represiv gjyqësor të regjimit, për dhunime të rënda të të drejtave njerëzore. Thesari i SHBA ka thënë në një deklaratë se, “si zëvendës prokuror i përgjithshëm i Teheranit, Raisi ka qenë pjesë e një të ashtu-quajturi “komision të vdekjes” që ka dhënë urdhër për ekzekutimin pa gjyq të mijëra të burgosurve politikë në 1988-ën.”

Amnesty International ka deklaruar se Raisi duhet të ndiqet penalisht për krime kundër njerëzimit, një thirrje që është përsëritur edhe nga hetuesi i OKB-së për të drejtat njerëzore në Iran, si dhe nga shtatë ekspertë të lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut.

Regjimi është i dëshpëruar për vëmendje ndërkombëtare, por Raisi vazhdon t’i anulojë planet për vizita në vende të huaja, kryesisht për shkak të fushatave të gjera nga opozita e organizuar iraniane, që kërkojnë arrestimin dhe ndjekjen penale të tij nëse ai guxon të shkelë jashtë shtetit.

Në rrethana të tilla, pse është përpjekur me të gjitha mënyrat e mundshme Lideri Suprem i regjimit Ali Khamenei për ta instaluar Raisi-n si president të regjimit? Çdo vrojtues me logjikë e kupton se Khamenei duhet ta ketë parashikuar një reagim kaq të egër kundër një presidenti vrasës të masave si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Atëherë, pse?

Sigurisht, Khamenei e dinte shumë mirë se Raisi është një figurë e urryer. Por kishte shumë pak mundësi zgjedhjeje. I gjendur përballë një ekonomie copë-copë dhe një përgjigjeje të dështuar në mënyrë katastrofike ndaj pandemisë së koronavirusit, e cila ka vrarë afërsisht gjysëm milioni njerëz në Iran, regjimi është i tmerruar nga kryengritjet kundër pushtetit të tij jo legjitim e të korruptuar. Për këtë arsye, Khamenei ka vendosur t’i ngushtojë radhët e të përgatitet për t’u përballur me kryengritjet masive.

Janë tre faktorë kryesorë që e kanë shtyrë Khamenei-n të bëjë lëvizjen e dëshpëruar për të ngritur në pushtet Raisi-n dhe kabinetin e tij plot me vrasës, terroristë, e hajdutë të korruptuar.

Së pari, situata socio-ekonomike është më e rënda në dekadat e fundit. Teokracia është e rrethuar nga kriza serioze, për të cilat nuk ka zgjidhje. Shumica dërrmuese e popullit iranian mezi arrin të fitojë bukën e gojës; javën e shkuar, banka qendrore shpalli se inflacioni ka arritur në 58 përqind, që është shifra më e lartë që në 1943-in gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe në shumë zona, aksesi në nevojat bazë si uji dhe elektriciteti është i dëmtuar rëndë. Varfëria është në nivelet më të larta, dhe po shkakton rritjen e numrit të të pastrehëve, si dhe trende të tilla si banimi në varre boshe.

Së dyti, në mesin e trendeve katastrofike socio-ekonomike, protestat dhe trazirat janë bërë më të shpeshta e më të përhapura se kurrë më parë. Katër kryengritjet kryesore që në janar 2018 ishin po aq të egra e të fuqishme sa ç’ishin të organizuara. Mijëra institucione korrupsioni të lidhura me shtetin u sulmuan dhe u dogjën nga protestuesit në nëntor 2019. Slloganet mbizotëruese, të përsëritura pa pushim, kanë bërë thirrje për përmbysjen e regjimit në tërësinë e tij, si zgjidhja e vetme për një mori problemesh gjithnjë e më të thella të popullit.

Zemërimi i shkaktuar nga rënia me shpejtësi e standardeve të jetesës shndërrohet gjithmonë në kërkesën politike mbizotëruese: Poshtë Diktatura. Irani i sotëm është i mbushur me një dëshirë të zjarrtë popullore për ndryshim, ndryshim demokratik të regjimit.

Dhe, së treti, treguesi më i fuqishëm i kësaj dëshire është shtimi i shpejtë i Njësive të Rezistencës, të përbëra nga aktivistë të rinj që rebelohen ndaj shtypjes së regjimit. Këto Njësi Rezistence janë të organizuara nga opozita kryesore Mujahedin-e Khalq (MEK), e cila ka qenë me kohë shënjestër e fushatave demonizuese më helmuese të regjimit. Por brezi i ri nuk gënjehet nga propaganda e regjimit. Ata po e përqafojnë si kurrë më parë mesazhin dhe strategjinë e MEK-ut për përmbysjen e regjimit.

Gjatë dy viteve të fundit, Khamenei e ka lënë popullin iranian të pambrojtur ndaj koronavirusit. Përmes pandemisë, ai ka krijuar një fushë vrasëse, duke flakur sistematikisht njerëz të pafajshëm në gojën e dragoit. Ai ka spekuluar se zhgënjimi dhe letargjia shoqërore që do të rezultonte nga kjo, do të ishte kaq e rëndë saqë do t’i parandalonte kryengritjet.

Por përhapja e Njësive të Rezistencës e ka penguar strategjinë e fushës vrasëse të Khamenei-t. Gjithnjë e më shumë njerëz po frymëzohen nga aktet e rebelimit, duke e ndezur sërish shpresën se ndryshimi i regjimit është më i mundshëm se kurrë më parë.

Sigurisht, caktimi i Raisi-t si president kishte për qëllim frikësimin e popullsisë. Por Irani i 2021-it është shumë më i ndryshëm nga ai i 1988-ës. Siç është vërtetuar nga zhvillimet e javëve të fundit, Raisi është një thikë me dy presa për regjimin.

Me kryengritjet që duken në horizont, dhe me Njësitë e Rezistencës që po e mbledhin popullin iranian rreth thirrjes së fuqishme për përmbysjen e regjimit, teokracia po bëhet më e dëshpëruar, e frikësuar, dhe e mjeruar se kurrë më parë. Prandaj perspektiva e një Irani laik, demokratik, dhe jo-bërthamor nuk ka ndriçuar kurrë më fort se tani.

Bota duhet ta përshëndesë këtë perspektivë premtuese po aq fort sa ç’duhet ta dënojë praninë e një vrasësi të masave si Raisi në skenën botërore.