Wednesday, October 20, 2021

Përpjekjet e Dëshpëruara të Regjimit Iranian për ta Demonizuar MEK-un: Falsifikimi i Email-eve

Shkruar nga Shahriar Kia

Iran regime’s desperate attempts to demonize MEK: forging emails accounts Mbështetësit e MEK në një tubim në Londër, korrik 2019

Regjimi iranian shpërndan rregullisht informacione të rreme lidhur me lëvizjen kryesore opozitare ndaj tij, Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI-MEK), dhe kohët e fundit ka filluar të shtiret online si anëtarë të kësaj organizate. Ndërkohë që strategjitë keqinformuese të regjimit vazhdojnë dhe marrin trajta të ndryshme, bëhet gjithnjë e më e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar të jetë vigjilent dhe t’i amplifikojë zërat që e kundërshtojnë këtë keqinformim.

Regjimi iranian, me veprimtaritë e ndryshme malinje dhe keqinformimin e vazhdueshëm, përpiqet ta portretizojë situatën sikur nuk ekziston një alternativë e vlefshme ndaj regjimit.

Ky portretizim ka qenë një aspekt kyç i keqinformimit të regjimit, dhe fatkeqësisht ka patur sukses falë një infrastrukture globale mediatike e cila është shpesh bashkëfajtore, dhe disa politikave perëndimore që shpesh kanë tendencën t’i paqësojnë mullahët e Iranit.

Rasti më i fundit ishte një çështje gjyqësore në Gjermani. Në maj, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit bëri një padi kundër Frankfurter Allgemeiner Zeitung për faktin se kjo e fundit kishte përhapur gënjeshtra lidhur me situatën në kompleksin në Shqipëri, të njohur si Ashraf-3, ku strehohen anëtarët e MEK. Në qershor u dha verdikti që pohonte se ishin shkelur standardet e duhura gazetareske dhe se FAZ duhet t’i heqë deklaratat e paligjshme nga artikulli i saj.

Megjithatë, ato deklarata ishin të lidhura ngusht me disa akuzime të paraqitura nga një artikull në Der Spiegel një vit më parë. Edhe këto u ndëshkuan në një çështje ligjore, dhe u vendos që botuesi do të duhej të paguante 250,000 euro për secilën deklaratë nëse i përsëriste ato, qoftë të paraqitura si fakte apo si dyshime. Por vetë ekzistenca e rastit të fundit është një shenjë që tregon se nga rasti i parë nuk janë marrë mësimet e duhura, dhe kjo duhet t’i bëjë politikëbërësit ndërkombëtarë të ndalen e ta mendojnë mirë se çfarë duhet bërë me deklaratat publike që vijnë nga regjimi iranian.

Por gjithsesi, askush që vlerëson demokracinë e lirinë nuk duhej t’i kishte marrë seriozisht fjalët e atij regjimi gjatë gjithë këtyre 40 viteve të fundit. Zyrtarët e tij e kanë gënjeshtrën në majë të gjuhës, dhe kjo aftësi është vënë në provë shumë herë, sidomos kur gjenden përballë krizave madhore të cilat ekspozojnë dobësinë e regjimit dhe mospërfilljen e tij për mirëqenien e popullit të vet.

Tubimi i ardhshëm për Lirinë e Iranit, kongresi i përvitshëm i Rezistencës Iraniane, është një tjetër temë që përbën shqetësim për regjimin dhe kjo është arsyeja pse regjimi ka nisur që tani të përhapë informacione të rreme lidhur me këtë konferencë. Një grup email-esh të dërguara gjoja nga zyrtarë të MEK tek mbështetësit e Rezistencës Iraniane në të vërtetë janë dërguar nga llogari të rreme të krijuara nga Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS) e regjimit iranian, zbulohet në një deklaratë të re të publikuar nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI).

Këto email-e të rreme ishin nën emrin e zyrtarëve të MEK dhe NCRI dhe kishin për qëllim përhapjen e keqinformimit.