Saturday, July 2, 2022

Raporti i Ri Rrit Nevojën për Vigjilencë të Vazhdueshme Kundër Dizinformimit Online të Iranit

Iran Regime Used Fake Twitter Accounts to Push Its AgendaShkruar nga Shahriar Kia

Gjatë viteve të fundit, ka pasur raporte të shumta se Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë e Iranit (MOIS) ka përdorur prej kohësh mediat sociale për të përhapur narrativa të favorshme për interesat e veta, por kohët e fundit, ky fenomen është tejkaluar nga përdorimi i bot-ëve dhe llogarive të rreme në rrjete sociale për të përhapur dizinformim rreth aktivistëve të opozitës vendase, shpesh duke u shtirur si pjesëtarë të grupeve më të spikatura që bëjntë thirrje për ndryshim regjimi.

Përhapja e kësaj praktike ka çuar në mbylljen e mijëra llogarive nga Facebook, Twitter dhe Instagram – një trend që u identifikua për herë të parë publikisht në 2014-ën dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Raportet e shpeshta për mbyllje të tilla nënvizojnë faktin se nevojitet vigjilencë e vazhdueshme për të luftuar dizinformimin në mediat sociale, veçanërisht në një kohë kur hakerat e lidhur me shtetin iranian raportohet se kanë zgjeruar vazhdimisht fushën e aftësitve të tyre dhe kanë rritur koordinimin.

Në fakt, ky koordinim dhe avancim pa dyshim ka ndihmuar që ritmi i shtimit të llogarive të rreme dhe faqeve mashtruese në përgjithësi ta tejkalojë ritmin e mbylljeve të tyre. Në gusht 2018, Facebook raportoi se kishte mbyllur 652 faqe, grupe dhe llogari të përfshira në përhapjen e propagandës dhe dizinformimit në emër të regjimit iranian. Qindra të tjera si këto u mbyllën janarin që pasoi, dhe 513 të tjera u mbyllën në mars 2019. Menjëherë pas kësaj, Twitter rezultoi të ishte një burim potencialisht më i madh shqetësimi, pasi 2,800 llogari të mbështetura nga Irani u mbyllën për aktivitet mashtrues në maj, dhe muajin në vijim u mbyllën edhe 4,779 të tjera.

Rreth kohës kur po njoftoheshin këto mbyllje të njëpasnjëshme, firmat e sigurisë kibernetike po ndanin gjithashtu raporte me mediat globale në lidhje me aktivitetin e koordinuar joautentik në përgjithësi, dhe kontributet në rritje të Iranit në këtë fushë, në veçanti. Disa nga këto raporte shkruanin qartë se Facebook dhe Twitter me shumë mundësi do ta kishin të vështirë për t’i identifikuar llogaritë dhe postimet e dyshimta aq shpejt sa të mund ta ndalonin zgjerimin e tyre. Raporte të tjera vinin në dukje një sërë taktikash që me sa dukje po përdorte regjimi, të cilat shkonin përtej thjesht përhapjes së dizinformimit.

Një firmë e quajtur FireEye raportoi në qershor 2019 se disa llogari iraniane shtireshin si politikanë amerikanë me qëllim që të promovonin politika dhe narrativa të favorshme për regjimin. Taktika të tilla ishin krijuar më parë si një mjet me të cilin Teherani shpifte për aktivistët e opozitës, veçanërisht ata të lidhur me grupin kryesor pro-demokratik të vendit, Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI-MEK) dhe koalicionin e saj mëmë, Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit.

Iranian Lobbyist’s Arrest Should Lead To Broader Efforts To Counter Iran’s Covert Influence

Iranian Lobbyist’s Arrest Should Lead To Broader Efforts To Counter Iran’s Covert Influence

Një letër e hapur e publikuar nga një ish-agjent i regjimit iranian në fillim të vitit ndihmoi në zbulimin e shkallës së madhe të një aspekti tjetër të fushatës dizinformuese të regjimit.

Letra në fjalë ishte shkruar nga Hadi Sani-Kani, të cilin, pasi ishte larguar nga MEK, e afruan menjëherë operativët e inteligjencës iraniane dhe e stimuluan për të marrë pjesë në një fushatë të gjerë dizinformimi që kishte në shënjestër në mënyrë specifike atë organizatë.

Sani-Kani shpjegonte me hollësi strukturën e operacioneve të MOIS, pagesën që merrnin operativët për shkrimin e artikujve dhe dhënien e intervistave në media bazuar në narrativat e përcaktuara nga eprorët e tyre, si dhe mënyrat me të cilat rrjeti i tij bashkëpunonte me -“reporterë miqësorë” dhe akademikë për të krijuar një lloj qarku të mbyllur feedback-u midis përmbajtjeve të prodhuara nga regjimi dhe publikimeve e transmetimeve të palëve të treta.

Natyrisht, mediat sociale luanin një rol në atë qark, dhe letra e Sani-Kanit tregonte se çdo personi që rekrutohej për operacione propagandistike i kërkohej të mbante të paktën një llogari në Facebook dhe një në Instagram, përmes të cilave ata ndanin artikujt e tyre si dhe versione të shkurtuara të të njëjtave narrativa. Secili prej operativëve të rrjetit duhej të prodhonte të paktën 12 artikuj në muaj, me përmbajtje të pafavorshme për lëvizjen opozitare, ose konkluzione shkurajuese për politikat që mund ta kishin mbështetur atë.

Analizat e sigurisë kibernetike e kanë shtjelluar më tej rrëfimin e Sani-Kanit duke identifikuar një numër të madh faqesh interneti të rreme që regjimi iranian përpiqej t’i përdorte për t’u dhënë hije legjitimiteti narrativave të tij të brendshme. Në qershor 2021, kërcënimi i paraqitur nga faqe të tilla u nënvizua kur qeveria amerikane sekuestroi rreth tre duzina domene interneti për shkak të rolit të tyre në përhapjen e “dizinformatave iraniane”. Sigurisht, shumica e faqeve në fjalë thjesht migruan në serverë të tjerë, por heqja e tyre nga domenet amerikane mund ta ketë bërë më pak të mundshme që ato të merren seriozisht si media legjitime lajmesh dhe të përdoren si burime nga reporterë të palëve të treta.

Teherani vetëm sa është bërë më i guximshëm në praktikën e llogarive të rreme, siç dëshmohet nga krijimi i një llogarie në Twitter në janar 2021, e cila kishte marrë identitetin e përfaqësueses së NCRI-së në SHBA, Soona Samsami, dhe postoi një deklaratë ku i nxiste iranianët të mblidheshin në Shtëpinë e Bardhë ose Kapitol. Llogaria në fjalë u mbyll menjëherë nga Twitter pasi u raportua nga vetë NCRI, por po të marrim parasysh historitë e kohëve të fundit, ajo do të rezultojë të jetë vetëm njëra nga qindra, apo edhe mijëra, llogaritë e rreme që Teherani u përpoq të përdorte gjatë vitit të fundit.

Prandaj, mesazhi kryesor që ndajnë bashkë firmat e sigurisë kibernetike, Hadi Sani-Kani dhe NCRI mbetet po aq i rëndësishëm sa ç’ka qenë gjithmonë: nevojitet vigjilencë e vazhdueshme për të mos e lejuar dizinformimin online të Iranit të bëjë edhe më shumë dëme sesa ka bërë deri tani.