Tuesday, March 19, 2024

Rudy Giuliani, ish-Kryetar i Bashkisë së New York, në një event online të Rezistencës Iraniane

Çdo shenjë që po jep regjimi tregon se mezi po qëndron më këmbë. Të gjithë e dinë se ai është një regjim terrori. Që nga fundi i viteve 1970 e deri tani, çdo vit ka qenë terror e vrasje. Ata kanë rekordin më të keq për vrasjen e qytetarëve të vet. Por ata vazhdojnë të marrin mbështetje nga vendet që duhet ta kuptojnë se kjo nuk duhet bërë.

Shtetet e Bashkuara janë treguar dashamirëse ndaj Iranit për një kohë shumë të gjatë. Dukej sikur ishte prioritet të ruanim një marrëveshje të rrezikshme bërthamore. Pse? Nuk ka asnjë arsye për këtë. Dhe nuk ka asnjë arsye që qeveritë europiane të mos i mbështesin sanksionet kundër regjimit.

Që kur administrata ndryshoi nga paqësuese ndaj Iranit në një administratë që ka vënë sanksione, ngjarjet në Iran kanë pësuar një ndryshim të plotë.

Sanksionet janë bërë më të forta, dhe na janë bashkuar shumë të tjerë. Ky presion ka sjellë protestat në Iran të cilat kanë nisur dy vite më parë dhe kanë vazhduar e kanë fituar gjithnjë e më shumë mbështetje. Nisi me njerëzit që kanë luftuar për liri që në fillim, por tashmë është zgjeruar për të përfshirë popullsinë e përgjithshme, njerëz që kanë vuajtur sepse regjimi nuk kujdeset për njerëzit e vet dhe i vret ata.

Bota tashmë po përballet me një çështje thelbësore për sa i përket politikës ndaj Iranit. Debati është: a duhet të hiqet embargo e armëve mbi regjimin apo duhet të vihen sanksione më të rënda. Embargo e armëve është thelbësore për të ruajtur status quo-në, por duhet të bëjmë edhe më shumë.

Europianët kanë refuzuar t’i mbështesin Shtetet e Bashkuara. Ata pretendojnë se mbrojnë lirinë, demokracinë e të drejtat njerëzore. Por i kanë braktisur këto parime. Ata po bëjnë biznes me një regjim barbar. Ata i kanë braktisur metodat e presionit që mund ta çlirojnë popullin e Iranit nga robëria.

Ata supozimisht kanë vlerësim të lartë për të drejtat njerëzore dhe u bëjnë leksion të tjerëve. Po të drejtat njerëzore të popullit iranian? Të gjitha ato para që i japin Iranit dhe e gjithë ndihma që i japin Iranit duke mbyllur sytë ndaj akteve barbare të regjimit po mundëson vrasjen e njerëzve. A nuk e kuptoni që paratë po i shkojnë terroristëve, dhe terroristët vrasin njerëz?

Regjimi po vret njerëz. Ata janë një regjim i dëshpëruar, dhe treguesi më i mirë për këtë është fakti që janë hedhur në sulm. Situata po përkeqësohet në Iran. Ditët e fundit, ata kanë ekzekutuar kampionin e mundjes, Navid Afkari, për faktin se ka protestuar. Ai ka protestuar kundër barbarizmit të regjimit. Mostafa Salehi është ekzekutuar për të njëjtën akuzë. MEK ka shpallur së fundmi se 20 njerëz të tjerë janë në pritje të ekzekutimit për akuza politike, për faktin se kanë kundërshtuar regjimin. Kjo është një diktaturë barbare. Nuk duhet të bëni biznes me ta.

Regjimi i terrorit i ka shtuar veprimtaritë e tij terroriste kundër opozitës iraniane.

Tre gjëra duhet të kenë përparësi:

  • Vuajtja e popullit iranian dhe dëshira e tij për ndryshim. Boll e kanë duruar këtë regjim.
  • Moslejimi i regjimit që të ndërtojë një armë bërthamore. Këtij regjimi nuk duhet t’i besohen armë bërthamore.
  • Duhet të marrin fund ndërhyrjet dhe veprimtaritë terroriste të regjimit në rajon e në botë. Terrorizmi dhe paqja nuk shkojnë bashkë. Marrëveshjet me njerëzit që sponsorizojnë terrorizmin janë marrëveshje vetëm me fjalë.

Zgjidhja e vërtetë është në duart e popullit iranian. Populli iranian dëshiron ta kontrollojë vetë jetën dhe kombin e tij. Ai do që të respektohet në botë. MEK dhe NCRI paraqesin një alternativë demokratike ndaj këtij regjimi terrori. Ato mund ta udhëheqin Iranin përmes tranzicionit. Kemi një qeveri në mërgim e cila do të garantojë që vendi juaj të ecë përpara me prosperitet. Irani ka frikë nga vizioni i zonjës Rajavi për të ardhmen e Iranit, plani i saj me dhjetë pika.

Rudy Giuliani, former Mayor of New York at an online event of the Iranian Resistance