Friday, March 29, 2024

Samiti Botëror për Iranin e Lirë 2021-Deklarata Nr.2

Samiti online i iranianëve nga 50,000 lokacione në 105 shtete, me pjesëmarrjen e 1,029 personaliteteve politike nga pesë kontinente, dhe me tubime në 17 shtete

  • Maryam Rajavi: Vetëm frika e regjimit nga kryengritjet dhe disfata politike e liderit suprem mund ta shpjegojnë ngritjen e Raisi-t, ekzekutuesit të masakrës së 1988-ës, në këtë post të lartë.
  • JanezJanša, Kryeministër i Sllovenisë: Për 33 vjet, bota e ka harruar masakrën e 1988-ës ndaj 30,000 të burgosurve politikë. Kjo duhet të ndryshojë. Sidomos pasi Amnesty International e ka akuzuar Ebrahim Raisi-n për krime kundër njerëzimit për rolin e tij në këtë masakër
  • Michael Pompeo, ish-Sekretari amerikan i Shtetit (2018-2021): Populli i Iranit e sheh teokracinë e korruptuar në pushtet si armikun e tij të vërtetë dhe si shkakun më kryesor të krizave ekonomike. Duhet të vazhdojmë ta mbështesim popullin iranian në luftën e tij për një Iran më të lirë e më demokratik me çdo mënyrë të mundshme. Në fund, populli iranian do të ketë një Republikë laike, demokratike dhe jo-bërthamore.
  • Fjalime nga 30 ligjvënës amerikanë, përfshirë Senatorët Robert Menendez, Ted Cruz, Roy Blunt,  dhe Kongresmenët Kevin McCarthy e Hakeem Jeffries; si dhe nga Stephen Harper, ish-kryeministër i Kanadasë; ish-ministrat e jashtëm të Francës, Italisë, dhe Polonisë; dhe Ministrat e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës.

Të shtunën, më 10 korrik 2021, filloi Samiti Botëror tre-ditor për Iranin e Lirë-2021 me pjesëmarrjen e iranianëve dhe mbështetësve të rezistencës iraniane nga mbi 50,000 lokacione në 105 shtete, dhe me praninë e mijëra anëtarëve të Mujahedin-e Khalq (MEK/PMOI) që banojnë në Ashraf 3 të Shqipërisë.

Në fjalimin e saj ditën e parë të samitit, zonja Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), tha se instalimi si president [nga Khamenei] i Ebrahim Raisi-t, njërit prej autorëve të masakrës së 1988-ës ndaj 30,000 të burgosurve politikë, shënon disfatën dhe turpin më të madh në historinë e regjimit klerikal. Kjo ishte një lëvizje e nxituar për spastrimin dhe eliminimin e fraksioneve të brendshme në rrugën drejt konsolidimit të pushtetit në fazën finale të sundimit të tij. Vetëm frika e regjimit nga kryengritjet dhe disfata politike e liderit suprem mund ta shpjegojë ngritjen e Raisi-t, ekzekutuesit të masakrës së 1988-ës, në këtë post të lartë. Duam të sjellim përpara drejtësisë liderin suprem të mullahëve, Ali Khamenei, presidentin e tij Ebrahim Raisi, Kryegjyqtarin Gholam-Hossein Mohseni Eje’i, dhe zyrtarët e tjerë përgjegjës për masakrën e 1988-ës, me akuzën e krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit. E nxisim Këshillin e Sigurimit të OKB që të bëjë të mundur ndjekjen penale ndërkombëtare të Raisi-t dhe t’i kërkojë atij llogari për krime kundër njerëzimit. Regjimi i mullahëve nuk do ta braktisë kurrë përpjekjen për të zotëruar armë bërthamore, për të eksportuar terrorizmin, dhe për të nxitur luftëra në rajon. Prandaj, duke qenë kërcënimi kryesor ndaj paqes dhe sigurisë, ai duhet t’u nënshtrohet sanksioneve ndërkombëtare sipas Kreut Shtatë të Kartës së OKB.

Në këtë samit mbajtën fjalimet e tyre Mike Pompeo, Sekretari amerikan i Shtetit (2018-2021), Janez Janša, Kryeministër i Sllovenisë, Donna Brazile, Kryetare në Detyrë e Komitetit Kombëtar Demokratik (2016- 2017), Stephen Harper, kryeministër i Kanadasë (2006-2015), Franco Frattini, Ministër i Jashtëm i Italisë (2008 –2011), Pandeli Majko, ish-kryeministër i Shqipërisë, dhjetëra senatorë e anëtarë të dhomës së përfaqësuesve të SHBA nga të dy partitë, demokratike dhe republikane, përfshirë senatorët Robert Menendez, Ted Cruz, Roy Blunt, dhe kongresmenët Kevin McCarthy e Hakeem Jeffries; Gjenerali James Jones, Këshilltar i Presidentit Obama për Sigurinë Kombëtare, dhe disa ish-ministra europianë, përfshirë ish-ministrat e jashtëm të Francës, Italisë, dhe Polonisë, ish-ministrat e mbrojtjes të Britanisë dhe Francës, si dhe lideri i Partisë Popullore të Europës, më të madhes në Europë.

Në fjalimin e tij, Secretary Pompeo tha: “Regjimi teokratik është në gjendjen më të pasigurt që nga viti 1979, dhe perspektiva e tij për mbijetesë po vihet në dyshim haptazi nga zyrtarët e brendshëm të regjimit dhe nga një komb i trazuar e liri-dashës. Me pak fjalë: shumë pak njerëz votuan PRO Raisi-t… Këto zgjedhje janë ndikuar nga një varg trazirash madhore sociale, duke përfshirë kryengritjet e viteve 2017, 2018, dhe 2019, të cilat kishin si sllogan kryesor: ‘Konservatorë, reformistë, loja ka mbaruar tashmë,’ dhe ‘Vdekje diktatorit.’ Kjo e trondit të gjithë regjimin deri në themele… Ata e shohin teokracinë e korruptuar në pushtet si armikun e vërtetë, dhe si shkakun më kryesor të krizave ekonomike. Një nga slloganet më mbizotëruese në kryengritjet e fundit ka qenë: ‘Armiku ynë është këtu; gënjejnë kur thonë se është Amerika.’” Sekretari Pompeo shtoi: “Duhet të vazhdojmë ta mbshtesim popullin iranian në luftën e tij për një Iran më të lirë e më demokratik me çdo mënyrë të mundshme. Në fund, populli iranian do të ketë një Republikë laike, demokratike dhe jo-bërthamore.”

“Për gati 33 vjet, bota i ka harruar 30,000 të burgosurit politikë që ranë viktima në masakrën e 1988-ës,” tha Janez Janša, kryeministër i Sllovenisë. “Kjo situatë duhet të ndryshojë. Komisioni Hetimor i OKB është ka një detyrë thelbësore për të hedhur dritë mbi masakrën e tmerrshme të 1988-ës. Kjo është veçanërisht e rëndësishme po të kemi parasysh faktin që presidenti i ardhshëm i regjimit do të jetë Ebrahim Raisi, të cilin Amnesty International e akuzon për krime kundër njerëzimit për shkak të rolit të tij në këtë masakër.”

Sen. Robert Menendez, kryetar i Komitetit të Sentatit për Punët e Jashtme, tha se Ebrahim Raisi “fitoi një farsë zgjedhjesh pasi regjimi kishte përjashtuar nga gara çdo sfidues të vërtetë të tij. Një farsë zgjedhjesh ku shumica e votuesve të ligjshëm shprehën neverinë e tyre duke refuzuar të merrnin pjesë, duke çuar kështu në pjesëmarrjen më të ulët të votuesve që nga viti 1979… Është një akuzë e mëtejshme për sundimin e tij fakti që ai jo vetëm ka qenë pro marrjes së postit të presidentit nga një njeri si Raisi, por edhe ka manovruar për ta favorizuar një gjë të tillë. Për Raisi-n, një njeri i cili ka qenë i përfshirë në mënyrë aktive në zhdukjen me forcë dhe vrasjen jashtë-gjyqësore të mijëra disidentëve iranianë në vitin 1988. Një njeri për të cilin Sekretarja e Përgjithshme e Amnesty International, Agnès Callamard, ka thënë së fundmi se duhet të hetohet për krime kundër njerëzimit.”

Senatori Ted Cruz paralajmëroi kundër politikës së paqësimit ndaj regjimit, duke theksuar: “Po i shohim frytet e këtij paqësimi në formën e sulmeve të vazhdueshme nga Irani dhe nga ushtritë e tij terroriste ndaj forcave amerikane dhe aleatëve tanë në Lindjen e Mesme.” “Do të vazhdoj ta udhëheq luftën në Senat për t’i kërkuar llogari regjimit për veprimtaritë e tij malinje. Dhe për ta rikthyer politikën amerikane në një politikë presioni maksimal deri në çastin kur ky regjim i lig e despotik më në fund të rrëzohet,” shtoi ai.

Kevin McCarthy, Lider i Minorancës në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, tha: “Jam i lumtur që jam me ju sot për të shprehur mbështetjen për një Iran të lirë e demokratik. Regjimi shtypës në Teheran dhe presidenti i tij i ri kanë një histori të gjatë të shtypjes së lirisë së fjalës, të mbështetjes për terrorizmin, dhe të përpjekjes për të zotëruar armë bërthamore. Shpresoj që ditët e errëta të frikës nën sundimin e Liderit Suprem do të marrin fund dhe Irani të lulëzojë si një komb i përgjegjshëm dhe demokratik. Përfytyrojeni. Një Iran i lirë.”

Në një pjesë tjetër të Samitit të sotëm, mes atmosferës më të rëndë të represionit në Iran, video-mesazhe nga mbi 1,000 anëtarë të Njësive të Rezistencës të MEK nga brenda Iranit u shfaqën në ekrane të mëdha në këtë event. Në këto mesazhe, të rinjtë e rebeluar theksonin gatishmërinë e tyre për ta përmbysur diktaturën fetare.

Njëkohësisht me këtë samit, mijëra iranianë janë grumbulluar në Portën Brandenburg të Berlinit, si dhe në 16 qytete e kryeqytete të tjera të botës, përfshirë Paris, Uashington, Londër, Amsterdam, Stokholm, Oslo, Vienë, Romë, dhe Gjenevë. Këto tubime u lidhën drejtpërdrejt me samitin.