Wednesday, December 2, 2020

Samiti Trans-Atlantik mbi Politikën ndaj Iranit

Në prag të seancës vjetore të Asemblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, një samit ndërkombëtar online me titull “Samit Trans-Atlantik mbi Politikën ndaj Iranit, Koha për t’i Kërkuar Llogari Regjimit Iranian,” mblodhi bashkë iranianë nga 10,000 lokalitete në vende të ndryshme të botës.

Në Samitin Trans-Atlantik mbi Politikën ndaj Iranit morën pjesë qindra personalitete të shquara politike nga SHBA dhe Shqipëria. Disa nga personalitetet që folën direkt në këtë samit apo dërguan mesazhe mbështetjeje ishin:

Rudy Giuliani, ish-Kryetar i Bashkisë së New York, në një event online të Rezistencës Iraniane

Çdo shenjë që po jep regjimi tregon se mezi po qëndron më këmbë. Të gjithë e dinë se ai është një regjim terrori. Që nga fundi i viteve 1970 e deri tani, çdo vit ka qenë terror e vrasje. Ata kanë rekordin më të keq për vrasjen e qytetarëve të vet. Por ata vazhdojnë të marrin mbështetje nga vendet që duhet ta kuptojnë se kjo nuk duhet bërë.

Shtetet e Bashkuara janë treguar dashamirëse ndaj Iranit për një kohë shumë të gjatë. Dukej sikur ishte prioritet të ruanim një marrëveshje të rrezikshme bërthamore. Pse? Nuk ka asnjë arsye për këtë. Dhe nuk ka asnjë arsye që qeveritë europiane të mos i mbështesin sanksionet kundër regjimit.

Që kur administrata ndryshoi nga paqësuese ndaj Iranit në një administratë që ka vënë sanksione, ngjarjet në Iran kanë pësuar një ndryshim të plotë.

Sanksionet janë bërë më të forta, dhe na janë bashkuar shumë të tjerë. Ky presion ka sjellë protestat në Iran të cilat kanë nisur dy vite më parë dhe kanë vazhduar e kanë fituar gjithnjë e më shumë mbështetje. Nisi me njerëzit që kanë luftuar për liri që në fillim, por tashmë është zgjeruar për të përfshirë popullsinë e përgjithshme, njerëz që kanë vuajtur sepse regjimi nuk kujdeset për njerëzit e vet dhe i vret ata.

Bota tashmë po përballet me një çështje thelbësore për sa i përket politikës ndaj Iranit. Debati është: a duhet të hiqet embargo e armëve mbi regjimin apo duhet të vihen sanksione më të rënda. Embargo e armëve është thelbësore për të ruajtur status quo-në, por duhet të bëjmë edhe më shumë.

Europianët kanë refuzuar t’i mbështesin Shtetet e Bashkuara. Ata pretendojnë se mbrojnë lirinë, demokracinë e të drejtat njerëzore. Por i kanë braktisur këto parime. Ata po bëjnë biznes me një regjim barbar. Ata i kanë braktisur metodat e presionit që mund ta çlirojnë popullin e Iranit nga robëria.

Ata supozimisht kanë vlerësim të lartë për të drejtat njerëzore dhe u bëjnë leksion të tjerëve. Po të drejtat njerëzore të popullit iranian? Të gjitha ato para që i japin Iranit dhe e gjithë ndihma që i japin Iranit duke mbyllur sytë ndaj akteve barbare të regjimit po mundëson vrasjen e njerëzve. A nuk e kuptoni që paratë po i shkojnë terroristëve, dhe terroristët vrasin njerëz?

Regjimi po vret njerëz. Ata janë një regjim i dëshpëruar, dhe treguesi më i mirë për këtë është fakti që janë hedhur në sulm. Situata po përkeqësohet në Iran. Ditët e fundit, ata kanë ekzekutuar kampionin e mundjes, Navid Afkari, për faktin se ka protestuar. Ai ka protestuar kundër barbarizmit të regjimit. Mostafa Salehi është ekzekutuar për të njëjtën akuzë. MEK ka shpallur së fundmi se 20 njerëz të tjerë janë në pritje të ekzekutimit për akuza politike, për faktin se kanë kundërshtuar regjimin. Kjo është një diktaturë barbare. Nuk duhet të bëni biznes me ta.

Regjimi i terrorit i ka shtuar veprimtaritë e tij terroriste kundër opozitës iraniane.

Tre gjëra duhet të kenë përparësi:

  • Vuajtja e popullit iranian dhe dëshira e tij për ndryshim. Boll e kanë duruar këtë regjim.
  • Moslejimi i regjimit që të ndërtojë një armë bërthamore. Këtij regjimi nuk duhet t’i besohen armë bërthamore.
  • Duhet të marrin fund ndërhyrjet dhe veprimtaritë terroriste të regjimit në rajon e në botë. Terrorizmi dhe paqja nuk shkojnë bashkë. Marrëveshjet me njerëzit që sponsorizojnë terrorizmin janë marrëveshje vetëm me fjalë.

Zgjidhja e vërtetë është në duart e popullit iranian. Populli iranian dëshiron ta kontrollojë vetë jetën dhe kombin e tij. Ai do që të respektohet në botë. MEK dhe NCRI paraqesin një alternativë demokratike ndaj këtij regjimi terrori. Ato mund ta udhëheqin Iranin përmes tranzicionit. Kemi një qeveri në mërgim e cila do të garantojë që vendi juaj të ecë përpara me prosperitet. Irani ka frikë nga vizioni i zonjës Rajavi për të ardhmen e Iranit, plani i saj me dhjetë pika.

 

Gjenerali James Jones, Këshilltari i parë për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Barack Obama dhe ish-Komandanti Suprem i Aleancës për Europën, në një event online të Rezistencës Iraniane

Nuk ka dyshim që Irani është mbështetësi numër një i terrorizmit në shumë anë të botës. Nuk ka dyshim që qëllimi i tij final është të ndërtojë armë bërthamore. Ky regjim e ka identifikuar veten si armiku i popullit.

Navid Afkari u ekzekutua pavarësisht protestave globale. Kanë komplotuar për të vrarë një ambasador amerikan. Nuk ka asnjë dyshim se çfarë është dhe çfarë ka qenë Irani gjatë dekadave të fundit. Pyetja është, çfarë duhet të bëjmë lidhur me këtë?

Marrëveshja aktuale e ekzekutuar në Uashington do ta trondiste Teheranin sepse rrethi i shteteve që janë në kundërshtim të drejtëpërdrejtë me atë që po bën Irani po zgjerohet me hapa të mëdhenj.

Duhet të ketë më shumë izolim të liderëve të Iranit. Ata nuk duhet të mirëpriten në vendet që mbështesin lirinë dhe demokracinë. Duhet ta mbështesim popullin iranian. Duhet ta mbështesim NCRI-në dhe popullin e Iranit. Janë ata që do ta rrëzojnë regjimin. Ata do të hapin një epokë të re në historinë e Iranit.

E vlerësoj thellësisht udhëheqjen e zonjës Rajavi dhe planin e saj xhefersonian me dhjetë pika.

 

Gjenerali Jack Keane, ish Zëvendës Shef i Shtabit i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, në një event online të Rezistencës Iraniane

Vitin e shkuar, 1,500 iranianë trima u vranë nga mullahët për faktin se protestuan kundër tiranisë së regjimit. 12,000 njerëz janë në burg dhe po torturohen. Navid Afkari, kampioni, u vra nga regjimi këtë javë.

JCPOA u kishte dhënë mullahëve 150 bilion dollarë për të ushqyer terrorizmin dhe një shteg drejt armëve bërthamore. Qassem Soleimani, i cili drejtonte luftërat proksi dhe fushatat terroriste të Iranit, është vrarë më në fund. Vdekja e tij ishte një pikë kthese madhore për liderët e rajonit që të formonin një aleancë kundër mullahëve.

Sistemi i mullahëve po e lë në baltë popullin iranian. Khamenei po përpiqet të krijojë një krizë globale ekonomike duke penguar rrjedhën e naftës, dhe ka dështuar.

Populli i Iranit e kupton që regjimi është i pambrojtur, më i izoluar se kurrë. Populli e sheh dhe e ndien që kundër mullahëve po shtohet trysnia. Populli iranian e di se është maja e heshtës, është tashmë rrugës drejt ndryshimit të regjimit. Njerëzit jo vetëm që kanë dalë nëpër rrugë duke demonstruar kundër regjimit, por gjithashtu po marrin në shënjestër objektet dhe simbolet e regjimit.

Ne në SHBA frymëzohemi nga guximi i gjallë i popullit iranian dhe nga udhëheqja e Maryam Rajavi-t, dhe nga çfarë do të arrijë ajo si presidente e Iranit. Ne identifikohemi plotësisht me njerëzit që protestojnë në rrugët e Iranit.

Pandeli Majko, ish-Kryeministër i Shqipërisë, në një event online të Rezistencës Iraniane

Irani e ka kthyer Lindjen e Mesme në një fushëbetejë. Situata e përkeqësuar ekonomike në Iran mund të ketë pasoja. Në këtë situatë, duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përgatitur. Është e qartë se çdo boshllëk i lënë nga Perëndimi do të mbushet nga Irani. Kjo mund ta ngrejë statusin e Iranit në Lindjen e Mesme.

MEK dhe zonja Rajavi janë një alternativë për paqen mes Lindjes dhe Perëndimit. Mbijetesa e tyre sjell shpresë jo vetëm për njerëzit në Iran por edhe për marrëdhënien midis Lindjes dhe Perëndimit.

Ne kemi ndihmuar MEK-un, por kemi ndihmuar edhe veten. Jemi të nderuar që jemi konsideruar si një shtëpi e dytë për opozitën e Iranit.

 

Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane dhe ish-Ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë, në një event online që bën thirrje për mbështetje ndërkombëtare për një Iran të lirë

Është bekim t’ju kemi në vendin tonë. Ju jeni frymëzim për të gjithë ne. Faleminderit që na keni dhënë familje e miq nga e gjithë bota. Duhet të mendojmë më shumë se çfarë mund të bëjmë në të ardhmen.

Liria është e drejta e çdo individi e kombi, duke përfshirë Iranin. Duhet të qëndrojmë e të punojmë së bashku për t’i kërkuar llogari regjimit.

OKB është një organizatë kombesh, e krijuar për të ndihmuar njerëzit. Ata duhet të vendosin se si mund ta ndihmojnë popullin iranian. Njerëzit duan jetë dhe liri, jo bomba bërthamore. Regjimi po i masakron njerëzit. Duhet të mendojmë se çfarë mund të bëjmë për këtë.

Populli iranian është kundër terrorizmit. Është e rëndësishme që të gjithë ta dinë se çfarë po bën regjimi iranian në Shqipëri, në Lindjen e Mesme dhe në botë. Është koha të ngrihemi për atë që është e drejtë.

Regjimi nuk do t’ia dijë për ekonominë dhe popullin e Iranit, pasi ai mendon vetëm për kapacitetet e tij ushtarake. Regjimi po kërkon aleatë të tjerë nëpër botë. Është e rëndësishme që të gjitha shtetet të qëndrojnë bashkë dhe të gjejnë një zgjidhje e cila mund ta ndihmojë Rezistencën Iraniane.

 

Klajda Gjosha, ish-Ministre shqiptare për Integrimin Europian, në një event online që bën thirrje për mbështetje ndërkombëtare për një Iran të lirë

Është e papranueshme ajo që po ndodh në Iran, torturat dhe ekzekutimet. E mbështes vërtet atë që zonja Rajavi po bën për popullin e Iranit. Është koha që komuniteti ndërkombëtar t’i përgjigjet me masa konkrete këtij regjimi, i cili është një rrezik i vërtetë për rajonin dhe botën.

I bëjmë thirrje botës që të hetojë masakrën e 1988-ës. Është nevoja t’i jepet fund pandëshkueshmërisë. Komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë gjithashtu për t’i dhënë fund ekzekutimeve në Iran.

Ndryshimi i regjimit është e vetmja shpresë për popullin iranian që të jetojë në liri. Irani është një vend i mrekullueshëm që meriton një qeveri e cila të punojë për popullin.

 

Senatori amerikan Roy Blunt në një event online të Rezistencës Iraniane

Regjimi iranian mbetet shteti kryesor sponsorizues i terrorizmit, shkel detyrimet e tij në traktate, dhe vazhdon mospërfilljen e tij ndaj të drejtave të njeriut. Ata po e destabizilojnë Lindjen e Mesme, po financojnë militantët Shiite në Irak, po mbështesin regjimin e Assad-it në Siri, rebelët Houthi në Jemen, Hezbollah në Liban. Po përpiqen të ndërhyjnë në procesin zgjedhor të Amerikës.

Regjimi ka neglizhuar popullin e vet, ka fshehur informacionet lidhur me shpërthimin e koronavirusit, ka refuzuar mbështetjen nga bota. Nuk ka limit se deri ku shkojnë ata për të dëmtuar qytetarët e Iranit. Regjimi i dështuar në Iran ka bërë gjithçka ka mundur për ta bërë Soleimani-n dëshmor. Por ne e dimë që ai ishte njeri i keq. Ai pretendonte sikur ishte një zyrtar ushtarak i rangut të lartë por në të vërtetë ishte një terrorist me uniformë. Fatmirësisht, ai u eliminua.

Forcimi i sanksioneve mbi Iranin është një përgjigje e duhur ndaj agresioneve të tij të vazhduara. Populli i Iranit ka paguar një çmim shumë më të lartë sesa durimi i sanksioneve, për shkak të qeverisë me të cilën po përballen. Sjellja e qeverisë nuk ka ndryshuar pas JCPOA-së.

Duhet të jemi të shqetësuar për situatën e përditshme të popullit të Iranit. Kemi parë një përshkallëzim të protestave në dy vitet e fundit. Njerëzit e vazhdojnë betejën. Pavarësisht se sa brutal bëhet regjimi, sado të rënda dënimet, pavarësisht se sa shumë të burgosur politikë ekzekutohen, ju vazhdoni ta udhëhiqni këtë betejë. Duhet t’ia vëmë veshin popullit iranian teksa thërret për rrëzimin e diktaturës. SHBA qëndron në krah të popullit të Iranit.

 

Senatori amerikan Ted Cruz në një event online të Rezistencës Iraniane

Është një domosdoshmëri absolute që t’u kërkojmë llogari zyrtarëve të regjimit për krimet e tyre kundër njerëzimit. Nuk ka mizori që regjimi nuk është i gatshëm ta kryejë. Ata ia nxorën me torturë një rrëfim Navid Afkari-t dhe e ekzekutuan. Duhet t’u kërkojmë llogari për këtë krim.

Mullahët jo vetëm që e shtypin me dhunë popullin e vet, por duan gjithashtu ta projektojnë atë shtypje tek popujt e tjerë në botë.

Regjimi iranian vazhdon ta financojë terrorizmin dhe vë në rrezik sigurinë tonë e të aleatëve tanë. Rikthimi i sanksioneve ia mohon burimet regjimit dhe ngadalëson programin bërthamor. Irani ka qenë vazhdimisht në shkelje të kufizimeve bërthamore më përpara, gjatë dhe pas negocimit të marrëveshjes.

Unë mbetem i përkushtuar për të garantuar që regjimi iranian të përmbyset përfundimisht.