Friday, March 29, 2024

Seanca në Gjykatën e Apelit në Belgjikë Përsërit Thirrjet për Dëbimin e Operativit të Regjimit Iranian nga Europa

assadollah-assadi-accomplices-minAta të gjithë pretendonin se jetonin në paqe në demokracitë perëndimore, por në fakt ishin celula të fjetura terroriste të Teheranit, që kërcënonin paqen dhe sigurinë në Europë.

Më 17 dhe 18 nëntor, në një gjykatë belge u dëgjuan apelimet e tre operativëve iranianë që kishin tentuar të shpërthenin një bombë në tubimin e opozitës iraniane në vitin 2018, në Francë. Nasimeh Naami, Amir Saadouni dhe Mehrdad Arefani ishin të gjithë pjesë e një celule terroriste të udhëhequr nga diplomati terrorist i lartë iranian, Assadollah Assadi.

Naami dhe Saadouni u bënë shtetas belgë në fillim të viteve 2000, pasi kishin gëzuar statusin e refugjatit politik për vite të tëra. Statusi i tyre si refugjatë politikë nuk i ka penguar ata të udhëtonin fshehurazi drejt Iranit. Pas mbërritjes në Iran, ata merrnin urdhra nga eprorët e tyre në Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurimit (MOIS).

Naami dhe Saadouni u arrestuan teksa kishin në zotërim mbi 500 gram eksploziv TATP gjatë rrugës për në tubimin “Irani i Lirë”. Gjatë gjykimit të tyre më 30 nëntor dhe 3 dhjetor 2020, u zbulua se ata kishin mbi 240,000 euro në llogaritë e tyre bankare dhe para të gatshme në shtëpinë e tyre.

Dokumentet e marra nga autoritetet nga 2010 deri në 2018-ën tregouan se Naami kishte bërë të paktën 12 udhëtime në Iran. Në 2010-ën, ajo ka bërë dy udhëtime, në 2011-ën një udhëtim, në 2013-ën ajo ka bërë gjithsej katër vizita për 132 ditë, në 2014-ën, një udhëtim, në 2015-ën dy udhëtime, në 2017-ën dy vizita, dhe një udhëtim në 2018-ën në Iran. Edhe Saadouni ka bërë udhëtime të shumta në Iran, me dhe pa Naami-n.

Mehrdad Arefani, terroristi tjetër i dënuar, ka pretenduar se është një “poet ateist” dhe nuk e ka pranuar se ka qenë pjesë e ekipit të Assadit. Edhe pse pretendimi i tij fals u ndërpre nga thirrjet e Saadouni-t se “ai po gënjen”, Arefani dhe avokati i tij përdorën të njëjtën alibi gjatë apelimit të çështjes së tyre më 18 nëntor.

Saadouni kishte rrëfyer se Arefani ka qenë sytë dhe veshët e Assadit. “Sa herë që e gënjeja Assadin për faktet e eventeve të MEK-ut, në një farë mënyre Assadi e dinte që po gënjeja. Mehrdad ishte gjithmonë i pranishëm; pavarësisht gjithçkaje. Prandaj, jam i sigurt se ai ishte në kontakt me Assadin,” ka thënë Saadouni.

 

Përfundim

Arrestimi dhe dënimi i terroristëve dhe spiunëve të regjimit iranian është me të vërtetë një lajm i mirë. Por është naive të supozohet se këto arrestime dhe dënime mund t’i japin fund terrorizmit të shfrenuar të regjimit iranian në Europë.

Gjatë gjyqit të Assadit, u zbulua se ai drejtonte një rrjet të madh terrorizmi dhe spiunazhi në mbarë Europën, dhe paguante shumë shtetas të dyfishtë e refugjatë. Këto celula të fjetura janë nën lëkurën e qyteteve europiane, në pritje të dritës jeshile nga Teherani. Rrjeti i Assadit fatkeqësisht ka mbetur i paprekur dhe kjo është shumë shqetësuese, jo vetëm për disidentët iranianë, por edhe për qytetarët europianë. Duhet mbajtur parasysh se qindra politikanë të njohur perëndimorë ishin në mesin e 100,000 pjesëmarrësve të tubimit “Irani i Lirë”.

Fatkeqësisht, liderët europianë kanë menduar vetëm për interesat e tyre mendjengushta gjatë negociatave me Teheranin për programin e tij bërthamor. Por ata duhet ta dinë se këto veprime vetëm sa e trimërojnë shtetin numër një në botë për sponsorizimin e terrorizmit që të vazhdojë të bëjë kërdinë. Nëse liderët europianë refuzojnë ta ndëshkojnë Teheranin për veprimtaritë e tij terroriste, gjithnjë e më shumë jetë të pafajshme do të shuhen në zjarrin e terrorizmit të shfrenuar të Iranit.

Udhëheqësit perëndimorë duhet të veprojnë tani. Ata duhet t’i mbyllin ambasadat e regjimit iranian, të cilat janë fole spiunësh e terroristësh. Të gjithë operativët e regjimit iranian, të cilët punojnë nën pretekste të ndryshme, duhet të dëbohen nga toka europiane. Kjo sigurisht do ta frenonte terrorizmin e pakontrolluar të Teheranit pasi mullahët do ta kuptonin se duhet të paguajnë një çmim të rëndë për veprimtaritë e tyre keqdashëse.