Saturday, September 25, 2021

Iran: Teherani i Shpërblen Zyrtarët për Dhunime të të Drejtave; Fuqitë Botërore Duhet të Kërkojnë Llogari-dhënie

 

Autorë të masakrës së 1988-ës, Ebrahim Raisi (djathtas), Gholamhossein Mohseni Ejei (qendër), dhe Hossein Ali Naieri (majtas)

Të enjten, Lideri Suprem i regjimit iranian Ali Khamenei caktoi Gholamhossein Mohseni Ejei si kryegjyqtarin e ardhshëm të vendit. Duke vepruar kështu, ai përforcoi mesazhin e përçuar muajin e shkuar nga caktimi i Ebrahim Raisi-t si pasues i Hassan Rouhani-t në postin e presidentit të regjimit. Në të dyja këto raste, Khamenei e ka bërë zgjedhjen duke u bazuar kryesisht tek historiku i dhunimeve të të drejtave njerëzore nga personi, dhe tek përkushtimi i tij i përgjithshëm ndaj politikave ultra-konservatore dhe sjelljeve në mbrojtje të sistemit teokratik dhe të vetë liderit suprem.
Raisi në veçanti është famëkeq për rolin kyç që ka luajtur në ekzekutimet në masë të të burgosurve politikë në burgun Evin të Teheranit gjatë verës së 1988-ës. Këto vrasje kanë qenë pjesë e një masakre mbarëkombëtare e cila sipas raporteve ua ka marrë jetën mbi 30,000 njerëzve. Në këtë masakër, dhe Ejei ka luajtur një rol të rëndësishëm si përfaqësues i kryegjyqtarit në Ministrinë iraniane të Inteligjencës dhe Sigurisë.
Lidhjet e Ejei-t me drejtësinë dhe Ministrinë e Inteligjencës i hapën rrugë atij për të kontribuar në një represion të mëtejshëm ndaj disidencës si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, në vitet pas masakrës së 1988-ës, duke marrë në shënjestër kryesisht anëtarët dhe mbështetësit e grupit kryesor pro demokracisë, Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK). Gjatë një pjese të madhe të viteve 1990, operativët e inteligjencës iraniane kanë kryer një varg sulmesh ndaj disidentëve, sulme të cilat shpesh njohen si “vrasjet zinxhir.” Ejei ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë fushatë, duke kontribuar gjithashtu në burgosjen dhe ekzekutimin e liderëve disidentë fetarë, si një zyrtar në Gjykatën Speciale të Klerit.