Sunday, October 25, 2020

Japonia Raporton se do t’i Ndalojë Importet e Naftës nga Irani

Publikuar më 03 shtator 2018.

Grosistët më të mëdhenj japonezë të naftës po përgatiten të pezullojnë importet e naftës bruto nga Irani në tetor, nga frika se Uashingtoni do t’i sanksionojë vendet që importojnë naftë iraniane, raportoi media lokale të hënën.

Presidenti amerikan Donald Trump në maj u tërhoq nga një pakt bërthamor i vitit 2015 me Iranin dhe muajin e shkuar filloi të rivendoste sanksionet që nuk i lejojnë vendet e tjera të bëjnë tregti me Iranin.

Një fazë e dytë e sanksioneve që ka në shënjestër industrinë bazë të naftës së Iranit si dhe sektorin bankar të tij do të rifillojë më 5 nëntor.

Japonia ka kërkuar lëshime që do ta lejonin të vazhdonte importimin e naftës iraniane, por nuk duket se do t’i marrë ato, kanë raportuar agjensia Jiji Press dhe media të tjera lokale ditët e fundit.

Si rezultat, kompanitë japoneze të naftës po përgatiten t’i ndalojnë importet e naftës iraniane bruto dhe po bëjnë kërkime për mënyra se si mund t’i rrisin importet nga vende të tjera për të kompensuar mungesën, thonë raportet.

Një zyrtar i ministrisë së tregtisë, konfirmoi të hënën se Japonia kishte ngritur çështjen e lëshimeve për sa i përket sanksioneve, në bisedimet me SHBA-në por refuzoi të jepte komente të mëtejshme. Importuesit e naftës nuk pranuan të konfirmonin se kishin një plan rezervë për ndalimin e importeve iraniane.

“Kemi thënë se do të zbatojmë një vendim qeverie (mbi importet e naftës iraniane), por nuk mund të japim komente të mëtejshme pasi nuk japim informacion mbi tregtitë individuale,” tha një zëdhënëse e kompanisë Showa Shell Sekiyu për AFP të hënën.

As kompania JXTG nuk pranoi ta konfirmonte raportin.

Japonia, e cila është e varfër në resurse, mbështetet fuqimisht në importet e naftës nga Lindja e Mesme, megjithëse nafta bruto nga Irani përbënte vetëm 5.3 përqind të importeve totale të vendit vitin e shkuar.

Burimi: Japan Today