Saturday, October 16, 2021

Koronavirusi Përhapet në Iran, Regjimi Nuk Merr Asnjë Masë

Koronavirusi në Iran

Raportet zyrtare nga regjimi iranian konfirmojnë se përhapja e koronavirusit vdekjeprurës ua ka marrë jetën deri tani pesë njerëzve dhe mbi 200 janë infektuar.

Megjithatë, regjimi iranian nuk ka ndërmarrë masa parandaluese apo veprimet e nevojshme. Raportet lokale tregojnë se numri i vdekjeve është më i lartë se shifra e shpallur nga regjimi.  

Më herët këtë javë, mediat shtetërore raportuan se dy iranianë kishin vdekur në Qom pasi kishin rezultuar pozitivë për koronavirusin. Është shpallur se tre pacientë të tjerë dyshohet se janë të infektuar me këtë virus në Babol të Iranit verior dhe në Arak të Iranit qendror.  

Autoritetet nuk pranojnë ta shpallin numrin e vërtetë të të infektuarve dhe të të vdekurve. Kjo ndërkohë që banorët e qytetit Qom thonë se numri i vdekjeve ka shkuar në 12 ndërsa i të infektuarve, në mbi 200.

 

“Ka njerëz që po trajtohen për këtë virus në të paktën katër qytete të ndryshme, duke përfshirë kryeqytetin Teheran, ku në disa farmaci janë mbaruar që tani maskat dhe pastruesit e duarve. Qytetet e tjera janë Qom, Arak dhe Rasht,” raportoi AP më 22 shkurt.  

Ekspertët thonë se ky njoftim i papritur tregon se virusi është përhapur në popullsi. Numri i të vdekurve është një  përqindje e vogël e numrit të të infektuarve. 

E megjithatë, në një deklaratë të paturpshme, Kianush Jahanpur, Kreu i Qendrës së Informacionit dhe Marrëdhënieve me Publikun në Ministrinë e Shëndetit të regjimit, ka thënë se dy personat e infektuar kishin vdekur në një spital në Qom për shkak të sëmundjeve të frymëmarrjes. 

Ka patur raporte për përhapjen e koronavirusit në pjesë të ndryshme të Iranit, por autoritetet nuk i kanë konfirmuar ato. Një numër i paspecifikuar rastesh të dyshuara janë aktualisht në karantinë. 

Koronavirusi është përhapur në të paktën njëzet e katër shtete. Kjo epidemi ua ka marrë jetën mbi 2,400 njerëzve deri tani dhe mbi 74,000 janë infektuar. 

Në vend që të marrë masat e nevojshme, regjimi ka nisur një fushatë masive të fshehjes së të vërtetës. Njerëzit në Qom thonë se shkaku kryesor i përhapjes së virusit janë udhëtimet rutinë për në Kinë, duke përfshirë udhëtimet e pakufizuara të klerikëve e studentëve kinezë të teologjisë të pajtuar nga regjimi. 

Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), i ka bërë thirrje Organizatës Botërore të Shëndetit (ËHO) që të dërgojë menjëherë skuadrat e saj mbikëqyrëse e mjekësore në Iran për të mos lejuar rritje të numrit të viktimave të koronavirusit.

 

Znj. Rajavi ka theskuar gjithashtu se regjimi i mullahëve duhet t’i vërë të gjitha burimet mjekësore në dispozicion të mjekëve e infermierëve në qytete të ndryshme në mënyrë që ata të kenë mundësi t’i trajtojnë e t’i shërojnë njerëzit e prekur nga virusi.