Saturday, March 28, 2020

Mbështetës të NCRI dhe MEK Mbajnë Konferencë në Kaliforni: Solidaritet me Protestat e Iranit dhe Viktimat e Avionit të Rrëzuar

10 janar,  Mbështetës të NCRI dhe MEK Mbajnë Konferencë në Kaliforni në Solidaritet me Protestat e Iranit dhe Viktimat e Avionit të Rrëzuar

Anëtarë të komunitetit iraniano-amerikan në Kaliforni, mbështetës të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI, Mujahedin-e Khalq ose MEK) dhe Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), mbajtën një konferencë në Los Angeles të shtunën më 11 janar, në mbështetje të protestave mbarëkombëtare të Iranit dhe të lëvizjes iraniane të rezistencës, NCRI, dhe MEK.

Në këtë event morën pjesë edhe personalitete amerikane si ish-kongresisti Patrick Kennedy, ish-komandanti i Marinës Amerikane Gjenerali James Conway, Senatori Robert Torricelli, Ambasadori Lincoln Bloomfield, dhe Profesor Ivan Sasha Sheehan. Ata mbajtën fjalime në mbështetje të betejës së popullit iranian për të themeluar një vend të lirë e demokratik.

Pjesëmarrësit dhe folësit në këtë event dënuan rrëzimin e fluturimit PS752 të Ukraine International Airlines të mërkurën nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të regjimit, dhe shprehën edhe një herë mbështetjen e tyre për kryengritjen e popullit iranian dhe për “Njësitë e Rezistencës” të MEK. Ata bënë thirrje gjithashtu që të ndiqen penalisht dhe t’u kërkohet llogari personave të përfshirë në masakrimin e popullit iranian. 

Znj.  Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e NCRI-së, foli në këtë konferencë përmes një mesazhi. Ajo iu referua rrëzimit të avionit ukrainas nga IRGC, ngjarje që pati 176 viktima. Znj. Rajavi theksoi se Lideri Suprem i regjimit iranian Ali Khamenei gjithmonë “hakmerret mizorisht” ndaj popullit iranian dhe njëkohësisht kërcënon anëtarët e MEK në Shqipëri.

“Regjimi iranian ka marrë goditje të pashërueshme. Më e forta nga të gjitha ishte kryengritja e Iranit në nëntor. Eliminimi i komandantit terrorist të Forcave Qods, Qassem Soleimani, i ka dhënë një goditje fatale strategjisë së eksportit të fondamentalizmit dhe terrorizmit,” tha Znj. Rajavi.

 

“Regjimi nuk ka patur askënd si mjeshtrin e terrorit Soleimani gjatë 40 viteve të fundit. Ai mishëronte shthurjen dhe mizorinë e regjimit të mullahëve. Të gjitha grupimet e brendshme të regjimit ishin të bashkuar në mbështetjen ndaj tij,” shtoi Znj. Rajavi. 

“Për shkak të kryengritjeve në Iran, Irak e Liban, strategjia e mullahëve për eksportimin e reaksionizmit e terrorizmit po shkërmoqet në këtë moment që flasim,” vazhdoi Znj. Rajavi. “Lindja e një Irani të lirë mund të shihet tashmë në kryengritjen e paepur dhe në përpjekjet e njësive të rezistencës.”  

Folësit në këtë konferencë e përshkruan vrasjen e komandantit të Forcave Quds të IRGC-së, Qassem Soleimani, si një goditje e rëndësishme dhe e pashërueshme për regjimin iranian. Ata e quajtën këtë si një hap madhor në përshpejtimin e përmbysjes së regjimit të mullahëve në Iran. Qassem Soleimani ka vrarë anëtarë të MEK dhe ka luajtur rol kryesor në shtypjen e protestave të popullit iranian.