Friday, March 29, 2024

Me Zgjedhjet Presidenciale dhe Ligjet e Reja, Irani po Përgatitet për ta Zgjeruar Shtypjen ndaj Disidentëve

 

IRGC forces in an Iranian prison (file photo)Forcat e IRGC-së në një burg iranian (foto fajli)

Regjimi iranian është aktualisht në prag të miratimit të një ligji që do ta zgjeronte edhe më tej kapacitetin tashmë shumë të madh të regjimit për të shtypur disidentët. Më 8 qershor, parlamenti miratoi një projektligj i cili e përcakton dënimin me vdekje si një ndëshkim të pranueshëm ligjor për “bashkëpunimin me shtete armike” – akuzë e cila shpesh ngrihet kundër aktivistëve që i kundërvihen sistemit në pushtet. Gjithashtu, ky projektligj e kriminalizon qartë aktin e filmimit apo fotografimit të skenave të krimit apo të çdo incidenti me vdekje ose plagosje të rënda.

Miratimi i këtij drafti u bë vetëm dhjetë ditë para zgjedhjeve presidenciale të regjimit iranian dhe erdhi në një kohë kur nuk kishte pothuajse asnjë dyshim se cili do të ishte rezultati i atyre zgjedhjeve. Më 18 qershor, u konfirmua se presidenti i ardhshëm i regjimit iranian do të ishte kryegjyqtari aktual Ebrahim Raisi, i cili është një dhunues i njohur i të drejtave njerëzore. Si rrjedhim, ky legjislacion në pritje të miratimit mund të shihet si pjesë e një përpjekjeje të gjerë për ta vazhduar trashëgiminë brutale të Raisi-t.

Në 1988-ën, Raisi ishte zëvendës prokuror publik i Teheranit. Në verën e atij viti, atij iu dha një post në “komisionin e vdekjes” që ishte përgjegjës për implementimin e një fatwa kundër Mojahedin-e-Khalq (MEK) në kryeqytetin e vendit. Me këtë post, ai u bë shpejt një nga kontribuesit më të mëdhenj të një masakre që ua mori jetën  30,000 njerëzve në mbarë vendin. Pas kësaj masakre, Raisi e ka rikonfirmuar vazhdimisht statusin e tij si një nga përkrahësit kryesorë të ndëshkimit trupor e kapital në Iran, si dhe e ka justifikuar shpesh masakrën dhe thirrjen e liderit suprem për trajtim të pamëshirshëm të shënjestrës kryesore të tij, Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK).