Thursday, August 13, 2020

Një “Efekt Domino” në Daljen e Kompanive Perëndimore nga Irani

 Franca, Gjermania dhe Britania kanë kërkuar zyrtarisht të përjashtohen nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara mbi Iranin.

Sipas disa raporteve të lajmeve franceze (6 qershor 2018), Ministri i Ekonomisë së Francës Bruno Le Maire, ka deklaruar: “Franca, Britania, Gjermania, dhe Bashkimi Europian, i kanë kërkuar Shteteve të Bashkuara të mos i aplikojnë sanksionet ndaj marrëveshjeve të tyre të biznesit me Iranin, të cilat janë aktualisht brenda një kornize ligjore”.

Më 6 qershor 2018, këto vende i paraqitën kërkesën e tyre të përbashkët në një letër Steven Mnuchin-it, Sekretarit të Thesarit të SHBA, si dhe Mike Pompeo-s, ministrit të punëve të jashtme të SHBA.

Thesari Amerikan u ka dhënë vendeve europiane vetëm 90 dite për t’i mbyllur krejtësisht bizneset e tyre me Iranin.

Ndërsa sanksionet potenciale mbi këto vende nuk kanë hyrë në fuqi, kompanitë e tyre kanë dalë të gjitha nga Irani; gjë që e shfuqizon përkushtimin e tyre ndaj marrëveshjes bërthamore me Iranin.

Në të njëjtin raport francez lajmesh (6 qershor 2018), përmendet se: “Boeing ka anulluar dërgimin e avionëve të vet në Iran”.

Bazuar në një kontratë të mëparshme midis Boeing dhe HOMA (Korporata Iraniane e Linjave Kombëtare Ajrore), 80 avionë duhej të dërgoheshin në Iran në një kohëzgjatje 10 vjeçare. Vlera e kësaj kontrate shkonte mbi 16 bilion dollarë.

Përveç deklaratës së Boeing mbi tërheqjen e saj nga marrëveshja me Iranin, një prodhues francez makinash i quajtur PSA (prodhues i gjigantëve Peugeot dhe Citroen) ka shpallur gjithashtu vendimin e tij për të ndaluar investimin në Iran. Përfaqësuesit e Shoqatës së Pjesëve të Makinave të Francës e kanë anulluar gjithashtu udhëtimin e tyre të ardhshëm në Teheran.

Ndërsa Trump po i ngushton rrugët ligjore përmes të cilave kompanitë amerikane bashkëpunojnë me Iranin, me dhjetra kompani po i anullojnë bizneset e tyre me Iranin shumë shpejt, për të shmangur sanksionet e ardhshme shtypëse të SHBA, të cilat janë planifikuar për në nëntor.

Në një fjalim të mbajtur më 21 maj 2018 në Fondacionin e Trashëgimisë, Mike Pompeo parashtroi një listë me 12 pika të cilave iu referua si “kërkesa bazë” të një rruge të re me Iranin.

Ai e quajti traktatin e mëparshëm (nga viti 2015) një marrëveshje “humbëse” dhe theksoi “pasojat e mëdha negative” të saj. Ai shtoi se që kur ramë dakord me këtë marrëveshje në korrik 2015, regjimi i Iranit vetëm sa e ka zgjeruar ndikimin dhe veprimtaritë e tij në Lindjen e Mesme; sipas tij, qeveria e Iranit është mbështetësja më e madhe e Terrorizmit në botë.

Pompeo theksoi gjithashtu trysninë e këtyre sanksioneve dhe se: “Pasi sanksionet tona të hyjnë plotësisht në fuqi, Irani do ta ketë të vështirë ta mbajë gjallë ekonominë e vet; atëherë duhet të marrë një vendim – ose të luftojë për ta mbajtur ekonominë e tij gjallë brenda vendit ose të vazhdojë ta harxhojë pasurinë e tij të çmuar për të mbështetur terroristët dhe grupet rebele në Liban, Siri, Irak, Jemen, e vende të tjera”.

Ai shtoi: “Amerika shpreson se punimet tona drejt paqes dhe sigurisë do të japin fryte për popullin e shumë-vuajtur të Iranit. Ne dëshirojmë t’i shohim në prosperitet dhe lulëzim si në dekadat e shkuara, dhe si kurrë më parë”.