Friday, July 1, 2022

Frenimi i Programit Bërthamor të Iranit; Një Përqasje që Fuqitë Botërore Nuk e Kanë Tentuar Asnjëherë

Të martën, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) shprehu shqetësim lidhur me aktivitetet bërthamore të regjimit iranian dhe fshehjen e tyre nga ky regjim. Sipas Reuters, Rafael Grossi tha se regjimi “po e zvarrit dhënien e informacionit rreth grimcave të uraniumit të gjetura në komplekse të vjetra të padeklaruara në vend”.

“Duke folur në parlamentin e BE-së, Grossi tha se është jashtëzakonisht i shqetësuar nga situata dhe se i kishte thënë Iranit që i duket i vështirë finalizimi i paktit bërthamor nëse IAEA ka dyshime serioze për gjërat që duhej t’i kishte ditur,” raporton Reuters.

Grossi ka shkuar disa herë në Iran dhe gjatë vizitës së tij të fundit në mars, ai nënshkroi një marrëveshje tre mujore me homologët e tij iranianë. Por, çuditërisht, regjimi nuk iu përmbajt angazhimeve të tij.

Komentet e tij përkojnë me udhëtimin e fundit në Teheran të të dërguarit të BE-së në bisedimet bërthamore në Vjenë, Enrique Mora. Udhëtimi i Moras është përshkruar si përpjekja e fundit e BE-së për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015, e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA).

Irritimi i Grossit lidhur me fshehjen nga regjimi iranian të veprimtarive të tij bërthamore konfirmon se përpjekja e kotë e fuqive perëndimore për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të Iranit nuk mund dhe nuk do të frenojë ambiciet bërthamore të Teheranit. Marrëveshja në fjalë u nënshkrua në vitin 2015 dhe me anë të saj fuqitë perëndimore siguruan komunitetin ndërkombëtar që e kishin shtyrë mundësinë e Teheranit për të prodhuar një bombë atomike duke reduktuar ndjeshëm aftësitë e tij bërthamore.

Megjithatë, ky pretendim u hodh poshtë nga veprimet e papritura dhe të shpejta të Teheranit për shkeljen e angazhimeve të tij sipas JCPOA-së, duke përfshirë pasurimin dhe grumbullimin e uraniumit në një nivel shumë më të lartë se ai i lejuar nga marrëveshja.

Fuqitë evropiane dhe administrata e re në Shtetet e Bashkuara deri më tani janë përpjekur ta ringjallin marrëveshjen duke i ofruar lëshime të ndryshme teokracisë që sundon Iranin. The Spectator raportoi në janar 2022 se SHBA kishte paraqitur një propozim “që ishte aq bujar sa iranianët duhej të fërkonin sytë për ta besuar”.

Por sapo negociatorët e regjimit ndjenë dobësinë e perëndimorëve, filluan të kërkonin edhe më shumë. Teherani shkoi deri në atë pikë sa të këmbëngulte që Uashingtoni të hiqte Gardën Revolucionare (IRGC) nga lista e Organizatave të Huaja Terroriste (FTO) e SHBA. Kjo kërkesë bëri shumë bujë në Shtetet e Bashkuara dhe i ka vonuar bisedimet pasi, nën presionin e Kongresit, Uashingtoni ka hezituar të përmbushë kërkesën e regjimit.

Kjo kërkesë e pacipë nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 dhe ishte në përputhje me qasjen maksimaliste të regjimit e cila përbën shantazh bërthamor. Teherani shkoi deri në atë pikë sa të kërkonte mbylljen e hetimit të IAEA-së mbi grimcat e uraniumit të gjetura në tre komplekse të padeklaruara.

Bllokimi i bisedimeve të Vienës ka vazhduar për muaj të tërë dhe regjimi po luan me fuqitë botërore ndërkohë që pasuron uraniumin. Ai është mbështetur gjithashtu te aleatët e tij “lindorë”, Rusia dhe Kina, dhe ka përfituar nga qasja e dobët e Perëndimit ndaj kërkesës për më shumë lëshime.

Tani, shumë diplomatë perëndimorë sugjerojnë se praktikisht nuk ka asnjë shpresë për të shpëtuar marrëveshjen e 2015-ës. Të martën, Ned Price, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, tha: “Nuk ka qenë kurrë e sigurt, nuk e kemi patur kurrë të qartë nëse do të ishim në gjendje të arrinim një rikthim të përbashkët në zbatimin e [JCPOA-së], kështu që ne kemi qenë gjithmonë të angazhuar në planifikimin e emergjencës me partnerët tanë.”

Meqënëse fuqitë botërore kanë tentuar dhe dështuar me të njëjtën përqasje për më shumë se dy dekada përballë tipeve të ndryshme të administratave në Teheran, ndoshta ato duhet të përpiqen t’ua vënë veshin njerëzve brenda Iranit që kanë shprehur gjithnjë të njëjtin mesazh dhe kërkesë: një Iran të lirë, laik, demokratik dhe jo bërthamor.