Friday, May 20, 2022

Fuqitë Perëndimore Duhet të Vënë Sanksione mbi Teheranin e Jo të Vazhdojnë Bisedimet 

Statusi i negociatave mbi paktin bërthamor të 2015-ës me Iranin mbeti i pasigurt në fund të javës, teksa pjesëmarrës të ndryshëm u përpoqën të promovonin një këndvështrim optimist, por nuk arritën të citonin ndonjë pikë specifike progresi. Sapo rifilluan bisedimet në Vienë më 6 dhjetor pas një vonese pesë-mujore, u kritikuan ashpër taktikat shantazhuese të regjimit iranian dhe përpjekjet e tij për t’i kthyer mbrapsht kompromiset që ishin vendosur gjatë gjashtë seancave të mëparshme të bisedimeve.

Pavarësisht shantazheve bërthamore të regjimit, Enrique Mora, diplomati i Bashkimit Europian i cili aktualisht drejton bisedimet, tha përpara negociatave të enjten se ka njohur një “ndjenjë të ripërtërirë qëllimi” tek të gjithë partnerët negociues, në lidhje me nevojën për një zgjidhje që ta ringjallë plotësisht marrëveshjen e vitit 2015, të njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit.

Sigurisht, përkushtimi ndaj këtij rezultati nuk ka qenë kurrë në dyshim. Problemi kryesor është se regjimi iranian vazhdon të kërkojë heqjen e plotë dhe të menjëhershme të të gjitha sanksioneve të vendosura ose të rivendosura pas tërheqjes së SHBA-së nga JCPOA në 2018-ën. Pavarësisht shfaqjeve të optimizmit nga BE, nuk ka asnjë tregues të qartë se Teherani është tërhequr nga kjo kërkesë apo ka ofruar diçka në këmbim. Deri më tani, qëndrimi i vendosur i regjimit ka qenë se ai do ta diskutojë korrigjimin e shkeljeve të shumta të kushteve të JCPOA-së vetëm pasi të verifikohet heqja e sanksioneve.

Pavarësisht njëfarë optimizmi, SHBA dhe tre shtetet nënshkruese europiane të JCPOA-së e kanë pranuar publikisht nevojën për masa alternative për t’i kërkuar llogari regjimit në rast se ai vazhdon ta pengojë procesin e negociatave.

 

Iran nuclear talks resume in Vienna as tensions run high

 

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Ned Price, foli me gazetarët të enjten dhe përsëriti nocionin se Teherani nuk do të lejohet të “fitojë kohë” ndërsa vazhdon t’i përshpejtojë aktivitetet e tij bërthamore. Ai konkludoi se regjimi shpreson t’i përdorë këto aktivitete si një burim “avantazhesh shtesë”, por gjithashtu vuri në dukje se kjo strategji me sa duket varet nga ‘basti’ i Iranit mbi dobësinë amerikane – një bast që ai premtoi se regjimi do ta humbasë.

Megjithatë, fuqitë perëndimore nuk e kanë ndalur paqësimin e mullahëve dhe kanë vazhduar t’i japin regjimit më shumë kohë për të çuar përpara programin e tij bërthamor.

Departamenti i Mbrojtjes i SHBA e ka informuar Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Biden, Jake Sullivan, për një sërë opsionesh ushtarake që më 25 tetor. Kohët e fundit, drejtori i CIA-s Bill Burns la të kuptohej se SHBA mund të kërkojë më shumë se thjesht ringjalljen e JCPOA-së përpara se të revokojë kërcënimet për presion të mëtejshëm, për shkak se njohuritë e lidhura me armët bërthamore që Teherani ka fituar që nga viti 2019 do të jetë e vështirë të “neutralizohen me sanksione”.

Ky vlerësim është shprehur më parë nga Rafael Grossi, kreu i Organizatës Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, kur deklaroi me sinqeritet të pazakontë se “nuk është e mundur” që JCPOA ta realizojë qëllimin e saj origjinal e vetme në rrethanat aktuale. Grossi ishte më pak i hapur në lidhje me rekomandimet se si të ushtrohet presioni i duhur mbi regjimin iranian, por përpara rifillimit të bisedimeve në Vienë, ai ra dakord me sugjerimin se do të ishte një “ide e mirë” që Bordi i Guvernatorëve të IAEA-së ta censuronte zyrtarisht Teheranin për shkeljet e tij dhe refuzimin për të bashkëpunuar.

Një censurim i tillë duhet të bëhet gjithsesi. Regjimi iranian me fakt ka treguar se është i gatshëm vetëm të vrasë kohën për ta vazhduar programin e tij klandestin bërthamor dhe për të zotëruar një bombë bërthamore. Regjimi me të vërtetë i ka kthyer negociatat në një cikël mashtrimesh. Këmbëngulja e fuqive perëndimore për t’i vazhduar këto bisedime të kota vetëm sa do ta inkurajonte Teheranin për të vazhduar me shantazhet e tij bërthamore.