Friday, May 14, 2021

Iran: Deklaratë nga Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të NCRI-së

Mohammad Mohaddessin, Kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit

Në reagimin e tij ndaj diskutimeve që u bënë sot mbi programin bërthamor të regjimit iranian në Vienë, Mohammad Mohaddessin, kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme në Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), foli si vijon:

Rezistenca Iraniane mirëpret çdo përpjekje për të mos e lejuar regjimin e mullahëve të prodhojë një bombë bërthamore. Programi bërthamor i regjimit është në dëm të popullit iranian. Sigurimi apo përftimi i armëve bërthamore është një nga shtyllat jetike të strategjisë së mbijetesës të regjimit iranian.

Regjimi është në kërkim të armëve bërthamore me qëllimin që të ushtrojë hegjemoninë e tij mbi vendet fqinje dhe t’u bëjë shantazh bashkëbiseduesve të huaj në mënyrë që ata t’i bëjnë lëshime ekonomike e politike dhe ta lejojnë ta vazhdojë sjelljen e tij agresive e shtypjen ndaj popullit iranian.

Pas nënshkrimit të Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA) në 2015-ën, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, Znj. Maryam Rajavi, pati përsëritur se “anashkalimi i gjashtë rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe një marrëveshje e panënshkruar, e cila nuk përmbush kriteret e një traktati zyrtar ndërkombëtar, nuk do t’ua bllokonte mullahëve as shtigjet për mashtrime, as aksesin në një bombë bërthamore.”

Pas gjashtë vitesh, është një fakt i pranuar botërisht që JCPOA nuk e ka shkurajuar regjimin nga përpjekjet për të siguruar një bombë bërthamore. Mullahët i kanë shpenzuar burimet e mëdha financiare që rezultuan nga heqja e sanksioneve për të armatosur, trajnuar dhe financuar proksit e tyre në Lindjen e Mesme, për të rinovuar komplotet e tyre terroriste në tokën europiane, për ta avancuar e zgjeruar programin e raketave balistike, për të vazhduar me programin bërthamor, dhe për të shtypur popullin iranian. Po të bazohemi tek e shkuara, asnjë lloj lëshimi politik apo ekonomik nën çfarëdolloj preteksti nuk mund ta moderojë sjelljen e këtij regjimi. Mohimi, mashtrimi, dhe dyfytyrësia janë pjesë e ADN-së së tij.

Që në 2015-ën, regjimi iranian jo vetëm që e ka shtuar shtypjen ndaj popullit të tij, por ka shtuar edhe terrorizmin në Europë. Në shkurt 2021, pas 2.5 vitesh hetime, një gjykatë në Belgjikë e dënoi një diplomat të regjimit dhe tre bashkëpunëtorë të tij pasi ata kishin tentuar të shpërthenin një bombë në tubimin e përvitshëm të NCRI-së në një nga rrethinat e Parisit, në qershor 2018, ku kishin qenë të pranishëm dhjetëra mijëra njerëz. “Diplomati” kishte vepruar në emër të Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë me bashkëpunim të plotë nga ana e Ministrisë së Jashtme. Heshtja dhe mosveprimi i BE-së përballë këtij akti të pacipë terrorizmi është e papranueshme dhe vetëm sa e trimëron edhe më shumë regjimin për të vazhduar me këto sjellje.

Në të vërtetë, nuk ka patur as edhe një kompleks apo projekt kërkimor të vetëm për të cilin regjimi ta ketë informuar vullnetarisht Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA). Regjimi thjesht e ka pranuar ekzistencën e komplekseve apo projekteve të tilla vetëm pasi IAEA e ka konfrontuar me prova të pamohueshme dhe e ka detyruar Teheranin t’i pohojë ato.

Si rrjedhim, në çfarëdo negociatash me Teheranin, respektimi i të drejtave njerëzore dhe ndalimi i terrorizmit duhet të jenë kushtet kyçe.

Ekspozimi nga Rezistenca Iraniane i kompleksit të pasurimit të uraniumit në Natanz dhe të Ujit të Rëndë në Arak në gusht 2002, si dhe ekspozimet e mëvonshme, e bënë të qartë se në çfarë shkalle kishte avancuar puna klandestine e regjimit për prodhimin e armëve bërthamore dhe nxitën inspektime nga ana e IAEA-së, që u pasuan me masa të marra nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Pa këto zhvillime, mullahët do ta kishin patur gati bombën tani.

Jemi krenarë që kemi qenë burimi kryesor i zbulimeve lidhur me programin e fshehtë të armëve bërthamore të regjimit. I pamohueshëm mbetet fakti që regjimi i mullahëve nuk e ka treguar shkallën e plotë të programit të tij bërthamor dhe ka lënë shumë pyetje pa përgjigje.