Thursday, January 20, 2022

Ish Shefi Bërthamor i Iranit u Referohet Armëve Ndërkohë që Teherani Fillon Bisedimet në Vienë

Dy ditë para rifillimit të bisedimeve bërthamore në Vienë, një ish-kryetar i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit (AEOI) foli në mediat shtetërore iraniane për përparimet e viteve të fundit në programin bërthamor. Ai ia atribuoi Mohsen Fakhrizadeh-ut, shkencëtarit bërthamor të vrarë vitin e kaluar, krijimin e sistemit që aktualisht konsiderohet si një kërcënim shumë serioz nga kundërshtarët e Teheranit.

Fakti që Fereydoun Abbasi-Davani iu referua “armëve bërthamore” është prova më e fundit që tregon se regjimi iranian nuk ka hequr dorë kurrë nga objektivi i tij për të zotëruar një bombë atomike. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka raportuar me bindje të plotë se regjimi iranian ka patur një program armësh bërthamore në një moment të caktuar, por me sa dukej e kishte braktisur atë pas daljes në dritë të aktiviteteve klandestine të shtetit. Zyrtarisht, Teherani mohon të ketë punuar ndonjëherë në drejtim të sigurimit të armëve bërthamore, por Abbasi-Davani nuk është zyrtari i parë iranian që e pranon në heshtje se ky pretendim është i rremë.

Shkurtin e kaluar, ministri i atëhershëm i inteligjencës Mahmoud Alavi deklaroi qartë se Irani ndoshta do të siguronte një armë bërthamore, por se “ata që e kanë shtyrë Iranin në atë drejtim” do të ishin fajtorë në këtë rast. Në komentet e tij, ai iu referua në mënyrë të qartë një fetvaje të lëshuar nga udhëheqësi suprem i regjimit Ali Khamenei, e cila supozimisht deklaronte se armët bërthamore janë në kundërshtim me Islamin dhe si rrjedhim të papranueshme për regjimin iranian. Por duke aluduar se ky kufizim mund të shkelej haptazi, Alavi u dha shkas kritikëve që të argumentonin se ajo fetva nuk ishte e detyrueshme dhe kishte për qëllim kryesisht të shmangte shqetësimin e ndërkombëtarëve lidhur me aktivitetet me qëllime të dyfishta që mund ta shkurtojnë kohën që i nevojitet Iranit për prodhimin e një arme bërthamore.

Nëse është kështu, mund të thuhet se strategjia e liderit suprem ka qenë mjaft e suksesshme. Në prag të nënshkrimit të marrëveshjes bërthamore shtatëpalëshe në 2015-ën, dhe në kohën gjatë së cilës nënshkruesit kanë punuar për të rikthyer në fuqi atë marrëveshje pas tërheqjes së SHBA-së në 2018-ën, disa politikëbërës janë treguar të gatshëm të vazhdojnë përpara duke u bazuar në supozimin se Irani kryesisht dëshiron ta avancojë programin e tij bërthamor për qëllime civile. Kjo është ajo çfarë pretendon publikisht regjimi, megjithëse aktivitetet e tij gjatë dy viteve të fundit kanë ngritur gjithnjë e më shumë dyshime.

Në fillim të vitit 2020, regjimi shpalli se nuk do t’i bindej më me asnjë kushti, dhe kjo i hapi rrugë njoftimit publik se disa komplekse iraniane kishin rifilluar pasurimin e uraniumit me 20 për qind. Para nënshkrimit të JCPOA-së, ky ishte niveli më i lartë i pasurimit që kishte arritur Irani, dhe konsiderohet të jetë një hap teknik relativisht i shkurtër nga pasurimi 90 për qind, i cili nevojitet për prodhimin e armëve.