Friday, December 3, 2021

JCPOA në një Shakullinë Politike

 

Me përfundimin e raundit të gjashtë të bisedimeve të Vienës lidhur me programin bërthamor të Iranit, data e një raundi të ri bisedimesh dhe e rikthimit të delegacioneve politike të P4 + 1 dhe të Iranit e Shteteve të Bashkuara në Austri mbetet ende e paqartë. Një zëdhënës i kreut të politikës së jashtme të BE, Joseph Borrell, ka deklaruar për EuroNews se Irani ka thënë që nuk do t’u rikthehet bisedimeve derisa presidenti (Ebrahim Raisi) të marrë detyrën në gusht.

Shtyrja e bisedimeve të Vienës ka shkaktuar skepticizëm e pesimizëm për sa i përket ringjalljes së JCPOA-së. Sidomos komentet e bëra nga përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë, Mikhail Ulyanov, i cili deri tani kishte folur gjithmonë me nota pozitive, i kanë shtuar mundësitë negative për një pakt bërthamor. Javën e shkuar ai paralajmëroi se shtyrja e bisedimeve mund ta dobësojë vendosmërinë e palëve të marrëveshjes.

Kjo po ndodh edhe pse, pas fillimit të bisedimeve të Vienës, marrëveshjes fillestare të anëtarëve, dhe shpalljes se kishte nisur shkrimi i tekstit përfundimtar të marrëveshjes, optimizmi lidhur me arritjen e një mirëkuptimi të hershëm ishte rritur aq sa disa besonin se raundi i gjashtë i negociatave do të përfundonte me arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Ka reagime të ndryshme për faktin se pse nuk u arrit kjo marrëveshje pas gjashtë raundeve të negociatave dhe shtyrjes pa afat të vazhdimit të tyre.

Në përgjithësi, divergjencat midis palëve negociuese mund të vlerësohen në dy nivele, tekniko-ligjore dhe politike. Në nivelin tekniko-ligjor, i cili duket se është guaska e negociatave, janë arritur disa marrëveshje dhe heqja e sanksioneve të forta nuk është kontestuar në mënyrë të konsiderueshme përballë tërheqjes bërthamore të Iranit.

Disa ekspertë të regjimit llogarisin se heqja e sanksioneve mbi sektorin bankar, të naftës, petrokimik, të sigurimeve, dhe të transportit detar do të çlironte të paktën 80 përqind të ekonomisë së Iranit nga hija e sanksioneve.

Por ajo që regjimi po kërkon është heqja e sanksioneve të vëna mbi persona të vërtetë e ligjorë, të cilët janë kryesisht anëtarë të IRGC-së dhe lideri suprem i regjimit, Ali Khamenei. Por SHBA ka thënë se nuk mund t’i heqë sanksionet jo-bërthamore të vendosura nga administrata Trump.

Nga ana tjetër, SHBA dhe Troika Europiane këmbëngulin që centrifugat e gjeneratës së re ose të shkatërrohen, ose të hiqen nga Irani, për shkak të reduktimit të ‘pikës së arratisjes’ bërthamore të Iranit, gjë që nuk është miratuar nga regjimi.