Thursday, August 18, 2022

Kujdes nga Lojërat e Fjalëve të Teheranit në Lidhje me Çështjet Bërthamore

Më 8 qershor, një shumicë dërrmuese e Bordit të Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike nxori një rezolutë që i bënte thirrje regjimit klerikal në Iran të tregonte të vërtetën për ambiciet e tij bërthamore. Pothuajse menjëherë, ndërsa delegacionet e vendeve anëtare të BoG nuk ishin larguar ende nga Vjena, Organizata e Energjisë Atomike e regjimit (AEOI) njoftoi se ka hequr 27 kamera nga objektet delikate bërthamore dhe bëri të qartë se Teherani nuk ka ndërmend t’i dëgjojë. Deklaratat e lëshuara më pas nga zyrtarët e regjimit dhe përgjigja e perëndimit treguan se mësimi nuk është nxjerrë ende.

Edhe pse lëvizja e IAEA-s nuk ishte aspak një kritikë e drejtpërdrejtë dhe as që i afrohej dënimit për tridhjetë vjet mashtrim dhe fshehje, për regjimin mjaftoi që të jepte alarmin se nëse nuk përgjigjet me “kundërmasa”, kohë më të vështira mund të priten.

Më 12 qershor, parlamenti i regjimit zhvilloi një seancë publike ku deputetët mbajtën fjalime të zjarrta, duke kritikuar në tërësi rezolutën e BG.

“Këto masa tregojnë se pala tjetër nuk e sheh me seriozitet arritjen e një marrëveshjeje të mirë për të hequr sanksionet kundër kombit iranian.” Kryetari i parlamentit, Mohammad Bagher Qalibaf, tha: “Ne mbështesim fuqimisht masat e fundit teknike dhe ligjore të marra nga Organizata e Energjisë Bërthamore në përgjigje të rezolutës së fundit shtypëse dhe sjelljes jokonstruktive të vendeve themeluese të saj, dhe ndërsa e mirëpresim votën kundra të Rusisë dhe Kinës, ne do të fokusohemi në neutralizimin e sanksioneve dhe ecjen drejt prosperitetit ekonomik duke u mbështetur në fuqinë e brendshme. Kjo është përgjigja më e rëndësishme dhe më e fortë ndaj keqbërësve dhe armiqve të kombit krenar të Iranit.”

Hadi Beiginejad, deputet nga Malayer deklaroi: “Perëndimorët dhe zionistët e kanë krijuar Agjencinë e Energjisë Atomike për të legjitimuar kërcënimet e tyre në rendin e padrejtë që ata kanë krijuar!”

Edhe zyrtarët e tjerë shtetërorë kënduan të njëjtën këngë. Duke iu referuar piraterisë së fundit të IRGC-së dhe rrëmbimit të dy anijeve greke, Shamsollah Seraj, përfaqësuesi i liderit suprem në Ilam tha: “Sapo djemtë tanë morën dy anije greke në Gjirin Persik, ne rimorëm naftën tonë. Me fjalë të tjera, Gjykata greke e Apelit lëshoi një urdhër për të zhbllokuar naftën tonë. Bota është si një xhungël. Po të kesh fuqi do të të marrin parasysh, ndaj ata që thonin ‘për çfarë duhen raketat apo për çfarë duhet atomi’, tani duhet të shikojnë se ku jemi. Sa më i fortë të jesh, aq më shumë bota të merr parasysh. Prandaj, unë besoj se Organizata e Energjisë Atomike duhet të heqë më shumë nga këto kamera, sepse Europa ka dëshmuar se është një koloni e Shteteve të Bashkuara.”

Ndërkohë, Teherani u sigurua gjithashtu që të komunikonte me një ton tjetër për t’u mbrojtur nga çdo veprim vendimtar i komunitetit ndërkombëtar.

“Ne shpresojmë që me grupin e masave që janë ndërmarrë për t’i kthyer të gjitha palët në pajtim me të ashtuquajturën marrëveshje bërthamore JCPOA, të ruhen autoriteti i vendit tonë, kërkesat tona dhe pritshmëritë e popullit”, tha ministri i Jashtëm i regjimit Amir-Abdollahian. teksa iu drejtua deputetëve të dielën.

Pavarësisht retorikës së dukshme apo veprimit të pacipë të paraqitur nga regjimi, Perëndimi nuk duket se është prekur. Sipas Financial Times me bazë në Londër, një zyrtar i lartë amerikan ka thënë se veprimi i Teheranit për të hequr 27 kamerat e vëzhgimit ishte një goditje serioze, por jo ende fatale për marrëveshjen “sepse në këtë pikë është e kthyeshme”. Por zyrtari paralajmëroi se sa më gjatë të qëndrojnë të fikura kamerat, aq më e vështirë do të jetë rihyrja në marrëveshje.

Drejtori i Përgjithshëm i IAEA, Rafael Grossi, tha gjithashtu në një intervistë me CNN se Teherani duhet të rifillojë bisedimet “tani” për të shmangur një krizë që mund ta bëjë “jashtëzakonisht më të vështirë” shpëtimin e marrëveshjes bërthamore të 2015-ës.

Gjatë dy dekadave të fundit, regjimi në Iran dhe zëdhënësit e tij në Perëndim kanë arritur të mbajnë gjallë iluzionin se bota duhet të zgjedhë midis paqësimit ose luftës me Teheranin. Lojrat e fjalëve në Iran i shërbejnë të njëjtit arsyetim dhe ata që vazhdojnë të predikojnë se “gjakftohtësia do të triumfojë” po tundin degën e ullirit duke patur në thelb interesat e regjimit.

Nëse liderët botërorë interesohen vërtetë për paqe dhe stabilitet në rajon, ata duhet të fillojnë të kuptojnë se nuk ka zëra të ndryshëm brenda Iranit, përkundrazi është një njeri i vetëm që komandon gjithçka dhe ai ka dëshmuar se kupton një dhe vetëm një gjuhë.