Sunday, June 13, 2021

Paradoksi i Heqjes së Sanksioneve mbi Iranin në Bisedimet e Vienës

 

Ka dy lloje thashethemesh lidhur me bisedimet bërthamore që po zhvillohen midis Iranit dhe fuqive botërore në Vienë: zyrtarët iranianë po flasin për heqjen e sanksioneve ndërkombëtare, por homologët e tyre në negociata, kryesisht qeveria amerikane, thonë se duhet një rrugë e gjatë përpara se të kemi rezultate.

Ky raport i shkurtër do të analizojë labirintin e negociatave për të parë se në çfarë situate është tani pakti bërthamor i 2015-ës me Iranin (JCPOA), dhe se a do të arrijnë ndonjë rezultat së shpejti këto negociata apo jo.

Presidenti i Iranit Hassan Rouhani pretendon se sanksionet janë hequr. Më 5 maj në mbledhjen e kabinetit, ai tha: “Si kreu i shtetit, deklaroj para popullit se sanksionet janë thyer dhe nëse do të jemi të gjithë të bashkuar, sanksionet do të hiqen së shpejti.”

“Si amerikanët, ashtu edhe europianët deklarojnë qartë se nuk kemi zgjedhje tjetër përveçse t’i heqim sanksionet dhe të rikthehemi tek JCPOA. Pothuajse të gjitha sanksionet kryesore janë hequr dhe vazhdojnë negociatat për disa detaje.” (faqja shtetërore e lajmeve online 55, 9 maj 2021)

Por pak para tij, zyrtarë të tjerë të regjimit kanë bërë deklarata që nuk përputhen me pretendimet e tij për sa i përket negociatave.

Abbas Araghchi, përfaqësues politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Iranit, ka thënë: “Në përgjithësi, procesi po ecën, por kemi edhe sfida, edhe detaje të vështira. Duhet të biem dakord me ta fjalë për fjalë e shprehje për shprehje.” (IRNA, 30 prill 2021)

Nezam al-ddin Mousavi, deputet, tha më 19 prill lidhur me deklaratat e Rouhani-t: “Përsëri, Rouhani dhe grupi i tij po e keq-llogarisin çështjen e negociatave bërthamore dhe, në vend që ta ndjekin atë teknikisht dhe shkencërisht, e shohin si një vegël politike për punët e brendshme.”