Wednesday, October 20, 2021

Plani i Regjimit Iranian për Pasurim me 60 Përqind Reflekton një Model Shumë më të Gjerë Provokimesh

Iran nuclear facility

Regjimi iranian ka filluar ta pasurojë uraniumin me 60 përqind, në përputhje me fushatën e shantazheve bërthamore të mullahëve.

Zëvendës Ministri i Jashtëm i mullahëve, Abbas Araqchi, kishte shpallur më përpara se “1,000 centrifuga të tjera me kapacitet 50% më të madh do t’u shtohen makinerive ekzistuese në Natanz, krahas zëvendësimit të makinerive të dëmtuara.”

Fakti që përmendi makineritë e dëmtuara ishte një pohim i faktit që në fillim të javës, në kompleksin e fortifikuar bërthamor në Natanz ishte thyer siguria. Sabotazhi në këtë kompleks ishtë një shenjë e qartë e dobësisë së regjimit iranian, gjë që e ka bëër pa dyshim Teheranin edhe më të dëshpëruar për të prezantuar një imazh të fortë.

Komuniteti ndërkombëtar, kryesisht Bashkimi Europian, duhet të bëjë kujdes në mënyrën se si u përgjigjet provokimeve të regjimit, duke filluar nga kërcënimi i pasurimit të përshkallëzuar në Natanz e në komplekse të tjera. Sigurisht që këto kërcënime duhet të merren seriozisht, por jo aq seriozisht saqë entitetet perëndimore të ndihen të detyruara t’i bëjnë Teheranit lëshime të reja me qëllimin që ta nxisin regjimin të tërhiqet.

Pa dyshim që ky është pikërisht rezultati që udhëheqësit e regjimit kanë në mendje. Dhe nëse shtetet e Europës ua japin atë që ata duan, regjimi vetëm sa do të stimulohet edhe më tej që të bëjë gjeste të tjera provokuese sa herë që të jetë nën presion në të ardhmen.

Fakti është që është shumë më e mundshme që Teherani t’i përgjigjet gjuhës së forcës sesa të hyjë në negociata në mirëbesim me komunitetin ndërkombëtar. Pasurimi me 60 përqind nënvizon mungesën e këtij mirëbesimi në të shkuarën, pjesërisht për shkak se reflekton një ritëm përshkallëzimi që u ka ardhur i papritur shumë mbështetësve të paktit bërthamor të 2015-ës me Iranin, dhe pjesërisht për shkak se me sa duket konfirmon objektivat malinje prapa projekteve bërthamore të regjimit iranian, të cilat ai i kishte mohuar me kohë.

Ky përshkallëzim i fundit nuk është aspak e para gjë që e konfirmon këtë. Në fillim të këtij viti, regjimi shpalli se kishte nisur të punonte për prodhimin e metalit uranium. Shumë ekspertë të teknologjisë bërthamore u përgjigjën duke konfirmuar se kjo substancë nuk ka asnjë qëllim tjetër veçse të funksionojë si një komponent kyç në bërthamën e një arme bërthamore. Ky fakt i përforcoi shqetësimet që kishin nisur kur regjimi filloi të operonte centrifuga më të avancuara se sa ato që lejoheshin sipas kushteve të paktit bërthamor, duke e rritur kështu edhe nivelin, edhe shpejtësinë e pasurimit të uraniumit.

Regjimi iranian ka prodhuar uranium të pasuruar me 20 përqind të paktën që nga janari. Në mënyrë që të prodhojë bomba bërthamore, regjimit do t’i duhej të vazhdonte ta pasuronte uraniumin përtej 90 përqind, por siç kanë vënë në dukje edhe ekspertët bërthamorë, për të mbërritur këtu duhet vetëm një hap i shkurtër teknik nga pasurimi me 20 përqind. Makineritë e regjimit kanë nisur tashmë të lëvizin drejt 60 përqindshit, kështu që hapi i kërkuar është edhe më i shkurtër, dhe koha e “shpërthimit” të Teheranit për një armë bërthamore do të jetë edhe më e shkurtër sesa afërsisht dy muajt që citohen në llogaritjet më të fundit.