Wednesday, January 26, 2022

Politikat Mashtruese të Regjimit Iranian Dhe JCPOA

Pavarësisht pretendimeve të Teheranit se ka siguruar një raund të ri negociatash me P4+1 në Bruksel, zyrtarët europainë dhe amerikanë e kanë mohuar ekzistencën e bisedimeve të tjera përveç bisedimeve aktuale në Vienë për të rikthyer në fuqi Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA).

Presidenti i ri i regjimit, Ebrahim Raisi, dhe administrata e tij kishin theksuar se nuk do të “negocionin për negociata.” Për shkak të përqasjes së dobët të zyrtarëve perëndimorë lidhur me veprimtaritë provokative bërthamore të Teheranit dhe shkeljen e JCPOA-së, regjimi kishte shpresuar gjithashtu se Perëndimi do t’i bënte lëshime duke e rikthyer në fuqi paktin bërthamor me të njëjtat dispozita si në implementimin e tij të parë në 2015-ën. Kërkesa për të filluar një varg të ri negociatash në Bruksel përpara bisedimeve të Vienës, tregon edhe një herë se regjimi po përpiqet të fitojë kohë për të vazhduar veprimtaritë e tij bërthamore.

“Bashkimi Europian të hënën e shpërfilli perspektivën e bisedimeve serioze rreth programit bërthamor të Iranit jashtë kuadrit të negociatave midis fuqive botërore dhe Iranit në Vienë,” raporton Reuters. Sipas Reuters, edhe vetë Josep Borrell, kreu i politikës së jashtme të BE, i njohur për qëndrimin e tij të dobët ndaj provokimeve bërthamore të Teheranit, ka thënë të hënën se “koha nuk ka qenë në anën e Iranit.”

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Ned Price, tha të hënën se qeveria e tij “nuk mendon se bisedimet në Bruksel janë të nevojshme përpara rifillimit të negociatave indirekte me Iranin për rikkthimin e paktit bërthamor të 2015-ës në Vienë.”

Teherani po mundohet të fitojë kohë duke zvarritur negociatat në mënyrë që ta vazhdojë programin e tij bërthamor dhe të zotërojë një armë bërthamore, pasi e sheh këtë si mundësinë e vetme për ta ruajtur pushtetin ndërkohë që në Iran vazhdojnë të shtohen thirrjet për ndryshim regjimi. Regjimi iranian ka nevojë gjithashtu për fuqi ndikuese për t’u bërë presion fuqive perëndimore që t’i bëjnë lëshime e t’ia heqin sanksionet.

Por a vijnë nga një pozicion force komentet kontradiktore të regjimit lidhur me JCPOA-në? Në shtator 2021, kishte shumë gjasa që Bordi i Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) të ndërmerrte një politikë të rreptë ndaj regimit për shkeljet e njëpasnjëshme të detyrimeve të tij sipas kushteve të JCPOA-së.

 

Teherani e ftoi menjëherë Rafel Grossi-n, kreun e IAEA-së, dhe më 12 shtator, ata lidhën një marrëveshje që i lejonte inspektorët e IAEA-së t’i zëvendësonin pajisjet monitoruese. Kështu, regjimi iu shmang pasojave të mundshme të veprimeve të tij provokative duke e mashtruar komunitetin ndërkombëtar, por pa dyshim që nuk e kishte guximin t’i bënte ballë një rezolute të bordit të IAEA-së.