Sunday, April 11, 2021

Raporti i Ri i IAEA Bën Thirrje për Veprim Ndërkombëtar që t’u Jepet Fund Shantazheve Bërthamore të Iranit

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike konfirmoi të mërkurën se regjimi i Iranit ka nisur të prodhojë metal uraniumi, gjë që është një hap drejt pajisjes me një bombë bërthamore. Kjo është pjesë e fushatës së shantazheve bërthamore të regjimit, dhe qeveritë perëndimore nuk duhet të bien pre e saj.

“Irani ka ecur me planin e tij për të prodhuar metal uraniumi, konfirmoi agjencia atomike e OKB-së të mërkurën, pavarësisht faktit se fuqitë perëndimore e kishin paralajmëruar Iranin se kjo do të ishte shkelje e paktit të tyre bërthamor të 2015-ës pasi metali i uraniumit mund të përdoret si pjesë e bërthamës së një bombe atomike,” raportoi Reuters të mërkurën.

Regjimi e ka përshpejtuar shkeljen e paktit bërthamor të 2015-ës me fuqitë botërore brenda muajve të fundit, në përpjekje për ta detyruar administratën e re të Shteteve të Bashkuara që t’ia heqë sanksionet dhe të rikthehet tek pakti.

Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI), i cili e ka ekspozuar programin bërthamor të regjimit dhe dëshirën e tij për të patur një bombë bërthamore, pati zbuluar në 2017-ën se, ndonëse ka firmosur paktin bërthamor që njihet zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), regjimi nuk i ka zbatuar kurrë detyrimet e veta sipas kushteve të këtij pakti.