Sunday, September 26, 2021

Raporti më i Fundit mbi Veprimtaritë Bërthamore të Iranit Duhet të Nxisë një Rishikim të Politikës së BE-së

iran-nuclear-flag

Të hënën, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike publikoi raportin e saj më të fundit mbi veprimtaritë bërthamore të regjimit iranian, ndërkohë që në Vienë po zhvillohen bisedime me qëllimin për ta ringjallur marrëveshjen e 2015-ës midis regjimit iranian dhe gjashtë fuqive botërore, marrëveshje e njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit. Disa ditë përpara këtij publikimi, Drejtori i Përgjithshëm i IAEA, Rafael Grossi , hodhi dyshime mbi perspektivën e këtij objektivi, duke u thënë reporterëve që “nuk është e mundur” që marrëveshja të ringjallet në formën e saj origjinale tani që “Irani ka akumuluar njohuri, ka akumuluar centrifuga dhe ka akumuluar material.”

Raporti i të hënës bëri të qartë që nuk dihen me saktësi përmasat e këtij akumulimi. Kjo pritej, duke patur parasysh përpjekjet e Teheranit për ta reduktuar bashkëpunimin e tij me IAEA gjatë periudhës kur zyrtarët e regjimit të Iranit kanë tentuar b’i bëjnë presion SHBA-së që të rikthehet tek pakti. Por me aq sa dihej nga personat jashtë IAEA-së përpara të hënës, pengesat ndaj punës së inspektorëve bërthamorë kohët e fundit kryesisht kanë patur të bëjnë me mungesën e aksesit në monitorim me video të komplekseve iraniane. Por rezulton që regjimi iranian në fakt po fsheh një sasi të madhe të dhënash të regjistruara nga pajisje të tjera në po këto komplekse.

Si pasojë e kësaj pengese, raporti më i fundit i IAEA-së është i pari raport që kur është implementuar pakti, që jep vetëm llogaritje të përafërta, jo matje të vërteta, të sasisë së uraniumit të pasuruar që ka aktualisht Irani në rezervat e tij. Megjithatë, ky raport dhe komentet e mëparshme të Grossi-t përforcojnë gjithashtu perceptimin – perceptim që ndahet nga shumë kritikë të JCPOA-së – se edhe kur marrëveshja ishte në fuqi të plotë, nuk ka patur kurrë një ide të qartë dhe të besueshme të gjendjes së programit bërthamor të regjimit iranian në një kohë të caktuar.