Saturday, October 16, 2021

SHBA Vë Sanksione të Reja mbi Regjimin Iranian, Njëkohësisht me Aktivizimin e Mekanizmit ‘Snapback’

Më 21 shtator, Departamentet e Shtetit, Thesarit, dhe Tregtisë të Shteteve të Bashkuara vunë sanksione të reja mbi regjimin iranian për veprimtaritë e tij malinje dhe përpjekjet e tij për të patur një bombë bërthamore. Këto veprime u shpallën në një deklaratë të nxjerrë nga Departamenti i Shtetit të hënën.

“Regjimi e përdor programin e tij bërthamor për ta zhvatur komunitetin ndërkombëtar dhe për të kërcënuar sigurinë rajonale e ndërkombëtare. Irani posedon forcën më të madhe të raketave balistike në Lindjen e Mesme, dhe u ka eksportuar raketa dhe teknologji të prodhimit të raketave aktorëve të dhunshëm jo-shtetërorë si militantët Houthi në Jemen dhe terroristët e Hizballah në Liban e Siri. SHBA dhe forcat partnere i kanë ndaluar vazhdimisht armët iraniane të drejtuara për tek Houthi-t gjatë vitit të shkuar, gjë që tregon se regjimi vazhdon ta përdorë arsenalin e tij të armëve konvencionale për ta destabilizuar Lindjen e Mesme dhe për të nxitur dhunë sektare e terrorizëm në rajon,” lexon deklarata.

“Këto veprime theksojnë se Shtetet e Bashkuara nuk do të ngurrojnë t’u kundërvihen kërcënimeve bërthamore, të raketave, e të armëve konvencionale të Iranit të cilat bënë që Këshilli i Sigurimit i OKB të vendoste unanimisht sanksione mbi Iranin për herë të parë duke filluar në vitin 2006. Këto masa janë përsëri në fuqi kundër Iranit, falë rikthimit të sanksioneve bazuar në rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB,” shton deklarata, duke iu referuar mekanizmit ‘snapback’.