Sunday, April 11, 2021

Zyrtari Iranian Konfirmon Strategjitë e Propagandës së Regjimit dhe Objektivat e Tij Bërthamore

Ministri i Inteligjencës i regjimit iranian ka bërë bujë së fundmi në mediat ndërkombëtare me komente që shkojnë kundër një prej propagandave më të forta të regjimit për sa i përket programit kontroversal bërthamor të Iranit. Mediat shtetërore kanë cituar Mahmoud Alavi-n duke thënë se, nëse fuqitë perëndimore “e shtyjnë Iranin në atë drejtim, atëherë Irani nuk do të kishte faj” nëse fiton kapacitete armësh bërthamore.

Pozicioni zyrtar i regjimit ka qenë gjithmonë se nuk ka asnjë qëllim tjetër për lëndën bërthamore përveç gjenerimit të energjisë dhe kërkimit shkencor. Por deklarata e Alavi-t tregon se regjimi e ka mashtruar botën për sa i përket ambicieve të tij bërthamore.

Sigurisht, ky incident mbart mësime për ata politikë-bërës që janë përgjegjës për formulimin e përgjigjeve amerikane e europiane ndaj provokimeve bërthamore të Iranit. Por kjo duhet t’u shërbejë si mësim edhe më i madh atyre që kanë ndikim mbi reagimet perëndimore ndaj veprimtarive të tjera malinje të Iranit. Deklaratat e fundit të Alavi-t, përveç të vërtetave që propaganda iraniane mezi i fsheh, ekspozojnë edhe mënyrën e fshehtë të funksionimit të kësaj propagande.

Duke u larguar qëllimisht nga narrativa e një programi bërthamor ekskluzivisht paqësor, Alavi ekspozoi taktikën që Irani përdor për ta ndryshuar mënyrën se si e prezanton veten në varësi të nevojave praktike të momentit.

Gjatë javëve përpara kërcënimit të Alavi-t, Teherani me sa duket po mbështetej tek administrata e sapo-inauguruar Biden që t’i pezullonte me shpejtësi sanksionet ekonomike që kishte rivendosur paraardhësi i Biden. Duke këmbëngulur që qëllimet e tij ishin paqësore, regjimi me siguri priste që ta nxiste atë rezultat. Por SHBA nguli këmbë që Irani të rifillonte zbatimin e kushteve të paktit bërthamor të 2015-ës përpara se t’ia hiqte sanksionet. Kështu që regjimi tani po përpiqet të ushtrojë një presion më të dukshëm mbi administratën e re të SHBA.

Kërcënimi i Alavi-t nuk është shembulli i vetëm i këtij ndryshimi qëndrimesh. Një nga provokimet më të fundit ishte shpallja e planit të regjimit për të prodhuar metal uraniumi, një substancë që praktikisht nuk ka funksion tjetër veçse si pjesë e qendrës së një arme bërthamore.