Tuesday, October 26, 2021

Presidenti i Regjimit Iranian Duhet të Ndiqet Penalisht

Vetëm pak ditë e ndajnë Asemblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nga dhënia e një platforme një vrasësi të masave. Nëse nuk fiton arsyeja dhe atij nuk i ndalohet ngjitja në podium, Presidenti i regjimit iranian Ebrahim Raisi do të mbajë fjalimin e tij përpara kësaj mbledhjeje vjetore të martën, supozimisht për të folur mbi temat e drejtësisë dhe lirisë. Ai do ta bëjë këtë as dy vite pas rolit të tij në një prej shtypjeve më të rënda ndaj po atyre koncepteve vitet e fundit. Për më tepër, hyrja e papenguar e tij në UNGA (Asemblenë e Përgjithshme të OKB) do t’ia shtojë pa dyshim ndjenjën e pandëshkueshmërisë për sa i përket krimit më të rëndë të Iranit kundër njerëzimit – një masakër ndaj të burgosurve politikë në të cilën  ai ka luajtur rol kryesor më shumë se 30 vite më parë.
Në 1988-ën, Raisi mbante postin e zëvendës prokurorit të Teheranit. Ky pozicion i dha atij mundësinë që ta demonstronte që herët entuziazmin e tij për dënimin me vdekje dhe për forma të tjera të ndëshkimit trupor, si dhe intolerancën e tij brutale ndaj disidencës. Kjo e futi në rrugën drejt emërimit si një nga katër zyrtarët që u bënë pjesë e “komisionit të vdekjes” të Teheranit, komision i cili u formua në përgjigje të fetvas së Liderit Suprem të atëhershëm, Ruhollah Khomeini, ku deklarohej se të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e MEK duhej të konsideroheshin mihrab apo “armiq të Zotit” dhe duhej të dënoheshin me vdekje.
Khomeini u dha urdhër vartësve të tij “t’i asgjësonin armiqtë e Islamit menjëherë,” duke specifikuar se duhej dënuar me vdekje kushdo që “në çfarëdo faze apo kohe e ruan mbështetjen e tij [ose të saj] për Monafeqin.” Ky term, që do të thotë “hipokritë,” ishte dhe mbetet emri nënçmues që regjimi përdor për Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), që është zëri kryesor i opozitës kundër sistemit teokratik dhe burimi i mbi 90 përqind të viktimave të masakrës.
Bilanci i përgjithshëm i vdekjeve nga ajo masakër është mbi 30,000 brenda një periudhe rreth tre-mujore. Kjo shifër reflekton efikasitetin mekanik me të cilin figura si Ebrahim Raisi e kanë zbatuar urdhrin e Khomeini-t. Komisioni i vdekjes operonte duke i thirrur të burgosurit politikë dhe duke u kërkuar atyre të deklaronin emrin dhe përkatësin e vet politike, përpara se t’i merrte në pyetje, shpesh për vetëm pak minuta para dhënies së një dënimi. Në përputhje me udhëzimet e Khomeini-t, çdokush që deklaronte besnikëri ndaj MEK-ut, ekzekutohej menjëherë. Dhe me kalimin e kohës, kriteret për këtë vendim u zgjeruan edhe më tej.
Në një rast që është cituar në letrën dërguar Khomeini-t nga pasuesi i tij i atëhershëm dhe kritiku i vetëm i regjimit për masakrën, paneli i ka kërkuar një të burgosuri që ta refuzonte MEK-un dhe angazhohej për të luftuar në frontin e luftës në Irak. I burgosuri tha ‘po’ në të dy rastet por më pas e pyetën se a do të angazhohej gjithashtu të ecte në fusha të minuara në shërbim të regjimit. Kur ai e vuri në dyshim këtë drejtim që morën pyetjet, hetuesi deklaroi se ky i burgosur vazhdonte ende t’i ruante idetë e tij dhe, si rrjedhim, dha urdhër që të ekzekutohej.

Në një letër të hapur drejtuar autoriteteve iraniane vitin e shkuar, shtatë ekspertë të OKB-së për të drejtat njerëzore vunë në dukje se asnjë nga organet kompetente nuk e kishte zbatuar rezolutën e 1988-ës, e cila njihte rritjen e madhe të numrit të ekzekutimeve me motive politike gjatë atij viti.

“Fakti që këto organe nuk vepruan,” deklarohet në letër, “pati një impakt shkatërrimtar mbi të mbijetuarit dhe familjarët, si dhe mbi situatën e përgjithshme të të drejtave njerëzore në Iran, dhe i dha guxim Iranit që të vazhdonte me… një strategji shmangieje dhe mohimi.”

Ky efekt në ndjenjën e pandëshkueshmërisë që gëzon Irani me siguri do të përforcohet nëse Raisi mirëpritet në Asemblenë e Përgjithshme të OKB-së nga lider e diplomatë të ndryshëm perëndimorë të cilët janë plotësisht të vetëdijshëm për rolin e tij në vrasjen e 30,000 të burgosurve politikë dhe në torturimin e mijëra të tjerëve.

Kur audienca e Raisi-t të mbërrijë në Asemblenë e Përgjithshme, me shumë mundësi kjo do të ndodhë në mes të thirrjeve të forta për të sjellë në vëmendje statusin e tij si vrasës i masave. Nëse organizatorët dhe pjesëmarrësit e këtij eventi do të ndiejnë turp për këtë, siç duhet të ndiejnë, atëherë ata duhet të kujtohen që do të kenë ende një mundësi për ta ndaluar fjalimin e Raisi-t, për të dalë nga salla në protestë, ose për t’u ngritur dhe për të kërkuar që ai të përballet me akuzat për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.