Saturday, July 2, 2022

Regjimi iranian mbetet ende në listën e zezë të FATF

Iran has been blacklisted by FATF, the global money-laundering and anti-terrorism financing watchdogIrani është në listën e zezë të FATF-së, organizatës globale kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit

Taskforca për Veprim Financiar (FATF) ka zgjedhur ta mbajë regjimin iranian në listën e zezë pas mbledhjeve të zhvilluara më 19-21 tetor. FATF është një organizatë ndër-qeveritare që zhvillon politika për luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në mbarë botën.

Lista e zezë e FATF-së, e njohur ndryshe si lista e “thirrjes për veprim,” përfshin shtete me “mangësi të konsiderueshme strategjike në regjimet e tyre për luftimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, dhe financimit të proliferimit.”

FATF u bën thirrje të gjithë anëtarëve të saj, që përfshijnë 36 shtete, Bashkimin Europian, dhe Këshillin për Bashkëpunim në Gjirin Persik (GCC), që të aplikojnë shqyrtim dhe kujdes të veçantë në marrëdhëniet me këto vende, dhe në rastet më serioze, të aplikojnë kundërmasa për ta mbrojtur sistemin financiar ndërkombëtar nga rreziqet financiare që vijnë nga shtete me rrezik të lartë. Lista e zezë aktualisht përfshin vetëm dy vende: Iranin dhe Korenë e Veriut.

Regjimi i Iranit është futur për herë të parë në listën e zezë të FATF-së në shkurt 2020. Regjimit i janë dhënë paralajmërime dhe mundësi të shumta për ta rregulluar sistemin e tij financiar dhe për të implementuar dy ligje që do të mundësonin plotësimin e standardeve të FATF-së kundër pastrimit të parave (anti-money laundering – AML) dhe kundër financimit të terrorizmit (countering terrorism financing – CTF) nga ana e regjimit. Por regjimi ka dështuar vazhdimisht në zbatimin e afateve të FATF-së.

Përfshirja në listën e zezë të FATF-së do t’ia bëjë jashtëzakonisht të vështirë regjimit iranian kryerjen e transaksioneve financiare, edhe nëse Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera i heqin sanksionet kundër Teheranit. Edhe Kina, Rusia, dhe aleatë të tjerë të regjimit iranian kanë ngritur shqetësime lidhur me mungesën e transparencës të Teheranit dhe mos-zbatimin e rekomandimeve të FATF-së.

Dega ekzekutive dhe ajo legjislative, si dhe të ashtu-quajturat organe mbikëqyrëse kanë debatuar rreth projektligjeve të FATF-së për disa vite pa arritur në një përfundim. Edhe më të ndërlikuara i ka bërë gjërat pozicioni i liderit suprem të regjimit, Ali Khamenei, autoritetit të pazgjedhur që ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet kritike. Nga njëra anë, Khamenei e ka urdhëruar Këshillin e Ekspediencës që të shqyrtojë katër projektligje që do të mundësonin arritjen e standardeve të FATF-së nga regjimi. Por nga ana tjetër, ai i ka denigruar këto projektligje. Në qershor 2019, Khamenei tha para anëtarëve të Majlis (parlamentit): “Nuk është e domosdoshme t’u bashkohemi konventave ndërkombëtare… që janë problematike.”

Dhe vërtet, projektligjet e FATF-së paraqesin disa probleme serioze për regjimin. Duke iu bashkuar konventës, regjimi do të detyrohej të ishte transparent për sa i përket marrëdhënieve financiare, gjë që do t’ia bënte shumë të vështirë regjimit financimin e veprimtarive të tij terroriste, duke përfshirë financimin e Forcave Quds të IRGC-së dhe pagesat që u bën Hezbollahut libanez, Hashd Al-Shaabi në Irak, dhe proksive të tjerë terroristë në rajon.

Refuzimi për t’iu bashkuar FATF-së i sjell probleme të tjera regjimit. Me përkeqësimin e vazhdueshëm të situatës ekonomike në Iran, shoqëria po i afrohet pikës së shpërthimit. Ekspertët ekonomikë dhe mediat shtetërore po paralajmërojnë për mundësinë e një raundi tjetër kryengritjesh mbarëkombëtare. Ka protesta në çdo cep të Iranit, pavarësisht masave të rënda të sigurisë dhe përhapjes së shfrenuar të Covid-19. Dhe këto protesta po bëhen çdo ditë e më intensive pasi regjimi refuzon të marrë masa për t’iu përgjigjur ankesave të popullit. Regjimi e ka të vështirë të financojë madje edhe forcat e veta të sigurisë për të vazhduar shtypjen e protestave.

Regjimi gjendet në një rrugë pa krye. Nga njëra anë, ai ka nevojë për akses në sistemin financiar ndërkombëtar për të financuar veprimtaritë e tij të paligjshme. Por nga ana tjetër, zbatimi i rregullave të FATF-së shkon kundër vetë natyrës së këtij regjimi, që ka në themel korrupsionin financiar, terrorizmin, dhe shtypjen.