Monday, July 6, 2020

Reuters Konfirmon Numrin e Vdekjeve prej 1500, të Shpallur nga NCRI, nga Shtypja e Protestave në Iran

Në një raport të veçantë më 23 dhjetor 2019 lidhur me shtypjen vrastare ndaj protestave në Iran, Reuters konfirmoi numrin e vdekjeve prej 1500 që është shpallur nga Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI), e njohur ndryshe si Mujahedin-e-Khalq (MEK), më 15 dhjetor 2019. 

Reuters vuri në dukje gjithashtu rolin e drejtpërdrejtë të Liderit Suprem të regjimit iranian, Ali Khamenei, në shtypjen e protestave mbarëkombëtare të Iranit.  

“Pas disa ditësh protesta në mbarë Iranin muajin e shkuar, Lideri Suprem, Ajatollahu Ali Khamenei, dukej se kishte humbur durimin. Ai i mblodhi bashkë zyrtarët e lartë të sigurisë dhe qeverisë dhe u dha urdhër: Bëni ç’të jetë e mundur për t’i ndaluar,” thotë raporti.

“Ky urdhër, i konfirmuar nga tre burime të afërta me rrethin e ngushtë të liderit suprem dhe nga një zyrtar i katërt, vuri në lëvizje shtypjen më të përgjakshme ndaj protestuesve që nga Revolucioni Islamik i 1979-ës,” shton Reuters. 

“Rreth 1,500 njerëz janë vrarë në më pak se dy javë trazira që nisën më 15 nëntor. Numri i vdekjeve, që i është dhënë Reuters-it nga tre zyrtarë të ministrisë së brendshme të Iranit, përfshin të paktën 17 adoleshentë dhe rreth 400 gra, si dhe disa anëtarë të forcave të sigurisë dhe policisë,” shton raporti.

Sipas këtij raporti: “Shifrat që i janë dhënë Reuters-it, sipas dy prej zyrtarëve iranianë që i kanë siguruar ato, janë të bazuara në informacione të mbledhura nga forcat e sigurisë, morgjet, spitalet, dhe zyrat mjekoligjore.” 

Sipas raportit të Reuters, mbrëmjen e 17 nëntorit, gjatë një mbledhjeje në banesën zyrtare të Khamenei-t në një kompleks të fortifikuar në Teheran, “Khamenei u takua me zyrtarë të lartë, duke përfshirëë këshilltarë të sigurisë, Presidentin Hassan Rouhani dhe anëtarë të kabinetit të tij,” dhe “Në këtë takim, që është përshkruar për Reuters nga tre burimet e afërta me rrethin e tij të ngushtë, udhëheqësi 80-vjeçar, i cili thotë fjalën e fundit në të gjitha çështejet shtetërore të vendit, e ngriti zërin dhe kritikoi mënyrën se si ishin trajtuar trazirat. Ai ishte zemëruar gjithashtu nga djegia e një posteri të tij dhe nga shkatërrimi i një statuje të themeluesit të republikës, Ajatollah Ruhollah Khomeini.” 

“Republika Islamike është në rrezik. Bëni ç’të jetë e mundur për t’i dhënë fund kësaj gjëje. Po ju jap urdhër,” i tha grupit lideri suprem, sipas njërit prej burimeve të Reuters. 

Kryengritja mbarëkombëtare që filloi më 15 nëntor, e nxitur nga rritja e çmimit të lëndës djegëse, u shndërrua shpejt në kryengritje politike. Në slloganet e tyre, njerëzit kishin në shënjestër regjimin në tërësinë e tij dhe kërkonin ndryshim regjimi. Sipas MEK, deri tani janë vrarë 1500 njerëz. MEK ka identifikuar deri tani 557 martirë të protestave të Iranit.