Thursday, March 28, 2024

Senatori Cruz Thotë se SHBA Nuk Duhet t’i Lehtësojë Sanksionet mbi Regjimin Iranian

Senatori i Teksasit, Ted Cruz, ka thënë se do të ishte një “gabim serioz” për Presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump nëse do t’i lehtësonte sanksionet kundër regjimit iranian me qëllimin për të siguruar një takim me Presidentin e regjimit, Hassan Rouhani.

“Bëhet apo jo takimi, heqja e sanksioneve mbi Iranin, ofrimi i një litari shpëtimi ekonomik për ajatollahun ndërkohë që Irani mbetet sponsori shtetëror numër një në botë i terrorizmit, do të ishte thellësisht e dëmshme dhe një gabim serioz,” tha Senatori Cruz për Bloomberg të mërkurën.

Senatori Cruz tha se, ndërkohë që politika e Presidentit Trump mbi regjimin e Iranit ka qenë presion maksimal, ai dyshon se ka zyrtarë të karrierës në departamentet e Shtetit dhe të Thesarit të cilët po punojnë për ta sabotuar këtë politikë dhe për ta ringjallur paktin bërthamor të kohës së Obamës me regjimin. Presidenti Trump e tërhoqi SHBA-në nga ai pakt në 2018-ën.

Senatori Cruz tha se pakti bërthamor i 2015-ës ka qenë “i rrezikshëm në mënyrë katastrofike,” pjesërisht për shkak se ka liruar mbi 100 bilion dollarë për regjimin iranian. Senatori republikan tha se Presidenti Trump nuk duhet të ndjekë të njëjtë rrugë.

“Ajo ishte një përqasje kokëkrisur kur u ndërmor nga administrata Obama, dhe shpresoj e lutem që Presidentit Trump të mos i mbushet mendja nga stafi i tij që t’i përqafojë ato politika të dështuara të Obamës,” tha Cruz.

Më herët këtë muaj, Departamenti amerikan i Shtetit shpalli një shpërblim monetar për informata që mund të ndihmojnë në pengimin e aparatit financiar të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të regjimit iranian.

“IRGC trajnon, financon dhe pajis organizata proksi në mbarë Lindjen e Mesme. Irani kërkon nga këto grupe që t’i zgjerojnë kufijtë e revolucionit të regjimit dhe të mbjellin kaos e dhunë sektare,” ka thënë Brian Hook, përfaqësuesi special i Departamentit të Shtetit për Iranin dhe këshilltar i lartë i Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo.

Gjithashtu këtë muaj, Departamenti amerikan i Thesarit sanksionoi më shumë se dy duzina entitete dhe individë, si dhe 11 anije të përfshira në një rrjet iranian të transportit detar i cili mbështet IRGC-në, dhe të cilin zyrtarët amerikanë e kanë akuzuar se ka lëvizur qindra miliona dollarë naftë në drejtim të regjimit të Bashar al-Assad në Siri dhe aktorëve të tjerë të paligjshëm.

Kjo masë erdhi një ditë pasi Uashingtoni sanksionoi agjencinë hapësinore të regjimit iranian dhe dy grupe kërkimore të lidhura me të, duke e akuzuar Teheranin se i përdor ato për të çuar përpara programet e tij të raketave balistike.