Saturday, July 11, 2020

SHBA i Shtrëngon Sanksionet mbi Regjimin Iranian

 Nga Shahriar Kia

SHBA i ka shtrënguar shumë më fort sanksionet e energjisë kundër regjimit iranian këtë javë duke hequr lehtësimet që ishin bërë për tetë vendet që lejoheshin të vazhdonin të blinin naftë iraniane pas rivënies së sanksioneve vitin e shkuar.

Kjo është pjesë e përpjekjes së administratës së Donald Trump për të reduktuar në zero eksportet e naftës së regjimit iranian në mënyrë që t’i ndërpresë fondet që Regjimi përdor për financimin e grupeve terroriste, për represion të brendshëm, dhe për programet e tij balistike dhe të armëve bërthamore.

Shumë analistë janë tronditur nga tërheqja e papritur e lehtësimeve, pasi kishin pritur që Trump t’i shtrëngonte gjithnjë e më shumë lehtësimet çdo gjashtë muaj duke i pakësuar gradualisht blerjet e krudos iraniane, dhe disa mendojnë se kjo gjë mund ta trondisë tregun e naftës.

Vërtet që çmimet e naftës u rritën fillimisht pas kësaj shpalljeje nga SHBA, por nuk shkuan shumë lart dhe pritet që të ulen sërish së shpejti. Në fund të fundit, tregu i naftës aktualisht ka ofertë me tepri. Ekzistojnë edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në çmimin e naftës, duke përfshirë krizën në Venezuelë dhe naftën e kontaminuar në naftësjellësin rus, kështu që është e padrejtë t’i vihet faji vetëm sanksioneve amerikane për rritjen e çmimit.

Megjithatë, pavarësisht sanksioneve amerikane, ekziston frika se do të jetë e pamundur që eksportet e Iranit të ulen vërtetë në zero menjëherë, pasi ka shumë mundësi që Irani ta kontrabandojë naftën e tij përmes Irakut fqinj, gjë që vë në dukje rreziqet që vijnë nga lejimi i Regjimit për të patur kaq shumë ndikim në rajon.

Një mënyrë tjetër që Irani mund të përdorë për t’iu shmangur sanksioneve është shitja e naftës në transaksione jo me dollarë, sipas Tamar Essner, drejtor i energjisë dhe shërbimeve komunale në Nasdaq Corporate Solutions, i cili llogarit se 800,000-900,000 nga 1.3 milion fuçitë në ditë të naftës iraniane mund të dalin nga tregu.

Një tjetër sfidë vjen nga Kina dhe Turqia të cilat e kanë ngritur zërin kundër sanksioneve. Kina madje është betuar publikisht që nuk do të veprojë në përputhje me sanksionet. Megjithatë, të gjitha këto mund të jenë thjesht fjalë, kështu që do të na duhet të presim për të parë se ç’do të ndodhë.

E vërteta është se, edhe nëse këto sanksione shkaktojnë ndonjë vështirësi afat-shkurtër në rastin e rritjes së çmimeve të naftës, ia vlen ende ta heqim qafe Regjimin Iranian për të mbrojtur sigurinë globale.